“Agim Qirjaqi i divorcuar, Reshat Arbana komunist, Robert Ndrenika ka vëllanë të arratisur”
Dashnor Kaloçi
Dokumente të panjohura, të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që i përkasin vitit 1989 dhe bëjnë fjalë mbi një korrespodencë të disa institucioneve kulturore dhe artistike të Tiranës, si Teatri Popullor, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore etj., me Komitetin e Kulturës dhe Arteve, të kryesuar nga Alfred Uçi, lidhur me dekorimin me titullin “Artist i merituar” apo “Artist i Popullit”, të 12 aktorëve dhe artistëve të njohur të skenës dhe ekranit, si: Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Roland Çene, Shaban Hysa, Haxhi Dalipi, Dhimitraq Orgocka, Agim Qirjaqi, Ndrek Shkjezi, Alfons Balliçi, Fatos Haxhiraj dhe Ahmet Pasha.
Të gjitha anët e panjohura të aktorëve dhe artistëve të njohur të skenës, ekranit dhe kinematografisë shqiptare, të shënuara në karakteristikat e tyre përkatëse që mbajnë firmën e drejtorit të Teatrit Popullor të asaj kohe, Muharrem Shtylla. Nga biografia familjare që nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe më pas shkollimi, profesionet dhe puna që kishin kryer, rolet dhe pjesët ku ata kishin interpretuar, cilësia e tyre dhe deri te divorcet bashkëshortore.
Dokumentet i përkasin vitit 1989 dhe aty janë disa propozime të bëra nga kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve të asaj kohe, Alfred Uçi, dërguar Komitetit Qendror të PPSHsë, për dekorimin e një grupi prej 12 personash, të gjithë artistë dhe aktorë të njohur të ekranit dhe kinematografisë shqiptare të atyre viteve, por dhe më pas, të cilët kryesisht asokohe ishin të angazhuar me punë pranë Teatrit Popullor dhe gjithashtu jepnin mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë.
Sipas dokumenteve të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi 14, Ap, Struktura), propozimet në fjalë, pasi janë përpiluar nga institucionet përkatëse, kryesisht Teatri Popullor, janë firmosur nga drejtori i atij institucioni, Muharrem Shtylla, dhe i janë dërguar Komitetit të Kulturës, të kryesuar nga Alfred Uçi, i cili karakteristikat përkatëse për çdonjërin prej tyre i ka dërguar në sektorin përkatës të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që asokohe mbulohej nga Enver Halili. Dhe më pas, pasi është bërë verifikimi i tyre, ato janë dërguar për miratim te sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Foto Çami, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, gjë të cilën deri në vdekjen e Enver Hoxhës e kishte mbajtur Ramiz Alia.
Për brezin e ri, që nuk e ka jetuar atë kohë, theksojmë se karakteristika personale ishte një dokument mjaft i rëndësishëm për çdo kuadër dhe prej saj varej shumë e gjitha puna dhe karriera e tij. Dy nga gjërat më të rëndësishme që nuk mungonin në asnjë karakteristikë kuadri ishin: qëndrimi që kishte mbajtur familja gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe a kishte pasur njeri të dënuar apo arratisur pas çlirimit. Ajo ishte pjesë e dosjes personale dhe mbahej në kasafortë nga dega e kuadrit e institucionit (që ishte e siguruar me hekura) dhe ajo shoqëronte nga pas kudo që mund të transferohej apo emërohej kuadri në punë të ndryshme. Po kështu, këto karakteristika përdoreshin edhe në raste dekorimesh, siç janë këto që po publikojmë. Karakteristika e kuadrit ishte një dokument që nuk para ndryshonte shpesh përmbajtjen e saj, me përjashtime të rralla, kur personi pësonte kthesa të rëndësishme në punën dhe jetën e tij.
Ajo që vihet re në këto karakteristika është fakti që, edhe pse ato dërgoheshin për dekorim, aktorit të njohur Robert Ndrenika (si dhe disa të tjerëve, si Alfons Balliçi), u janë shënuar edhe anët e “errëta” të tyre, ato biografike, si p.sh. ajo që vëllai i Ndrenikës ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1961. Gjë e cila kurrsesi nuk mund të mbahej e fshehtë nga askush, madje as nga vetë Ndrenika, kur i duhej për të bërë biografinë e tij, e cila u kërkohej kuadrove herë pas here. Por duhet theksuar se karakteristika e aktorit të famshëm, Ndrenika, është përpiluar me mjaft dashamirësi nga Alfred Uçi, çka solli dhe miratimin e saj dhe akordimin e titullit të lartë “Artist i Popullit”. Pasi, siç kemi parë edhe në dokumentet e tjera, ndaj Ndrenikës ka pasur mjaft akuza, madje deri urdhra për largimin e tij nga puna si aktor dhe dërgimin e tij larg Tiranës, për të vetmin shkak, vëllanë e arratisur. “Hija” e tij e ka rrezikuar shpeshherë karrierën profesionale dhe jetën e tij, por që Ndrenika mundi t’i shpëtonte vetëm në saj të punës, korrektesës dhe talentit të tij.
KARAKTERISTIKE, RESHAT HAMIT ARBANA – aktor
Ka lindur në Tiranë në vitin 1940. Origjina shoqërore, zanatçi individual. Gjendja shoqërore, nëpunës. Është anëtar Partie. Banon në Lagjen Nr. 5, rruga “Kont Urani”, Nr. 23. Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i mirë dhe sot familja e tij mban qëndrim të mirë moralo-politik.
Reshati mbaroi Politeknikumin “7 Nëntori”, punoi në NTASH, mallna, në fillim nga dhjetori 1959 deri në qershor 1959 si tornitor dhe nga qershori 1959 e deri në qershor 1961, si normist po në këtë ndërmarrje. Në këtë kohë filloi studimet për aktor në shkollën e lartë të aktorëve. Me mbarimin e shkollës në gusht 1965 deri në tetor 1972, punoi si regjisor dhe përgjegjës redaksie në Radio-Tirana. Këta e pranuan kandidat partie dhe ka bërë stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike nga tetori 1972 deri në dhjetorin 1973.
Pas kësaj date ka punuar në Radio-Televizion si regjisor deri në vitin 1974 dhe nga kjo datë punoi si aktor në Teatrin Popullor. Është martuar me Afërdita Arbanën, punonjëse në Komisionin e Planit të Shtetit si ekonomiste. Familja e gruas mban qëndrim të mirë politik. Në legjislaturën e fundit është zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor. Është komunist i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të vazhdueshme për t’u thelluar në materialet e Partisë dhe të shokut Enver.
Në format e edukimit në Parti, diskuton gjithmonë dhe ngre probleme për Teatrin. Si aktor ka realizuar një sërë rolesh me cilësi të mira artistike, si në pjesët “Komunistët’, “Përballë vetes”, “Vdekja e një komisioneri”, etj. Krahas roleve në teatër, ka realizuar edhe një sërë filmash në Kinostudio dhe në RTSH. Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale dhe është aktor i talentuar, gëzon simpatinë e kolektivit. Është “Artist i merituar”. Propozojmë që t’i jepet titulli “Artist i Popullit”
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.
KARAKTERISTIKE, ROBERT PETRO NDRENIKA –aktor
Ka lindur në Tiranë në vitin 1942, banues në Lagjen Nr. 5, rruga “Islam Alla”, Nr. 126. Është me origjinë nëpunës i mesëm dhe gjendje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1964. Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës NacionalÇlirimtare ka qenë indiferent. Tani është i mirë. I ati i tij Petro, nga Vunoi i Himarës, para çlirimit ka shërbyer në Ministrinë e Financave.
Nga viti 1945 deri në vitin 1948 shërbeu përsëri në Ministrinë e Financave. Më vonë ka punuar në Komitetin e Fizkulturës në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani është në pension. Një vëlla i tij, inxhinier topograf, në vitin 1961 është arratisur jashtë shtetit. E ëma, Krisafgjia, para dhe pas çlirimit deri sa doli në pension ka qenë arsimtare.
Ka filluar punë në Teatër në vitin 1974. Para se të vinte këtu, ka qenë aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Është një nga aktorët e talentuar të Teatrit Popullor dhe një nga aktorët më me rendiment. Kontributi i tij është i madh në teatër dhe në film. Është i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të mira për t’u thelluar në materialet e partisë dhe të shokut Enver.
Gjatë viteve të fundit, veç kontributit të tij të ndjeshëm në kinematografi, ka realizuar shumë role kryesore në pjesët “Nata e dymbëdhjetë”, “Kështu të dua”, “Komunistët”, “Shi në plazh”, “Vdekja e një komisioneri”, role që janë mirëpritur nga spektatori dhe kritika letrare. Mban peshë të madhe në repertorin aktiv dhe është i papërtueshëm në punë. Ndihmon shokët më të rinj në realizimin e roleve që u besohen.
Për merita në punë, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar titullin “Artist i merituar”. Propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Popullit”.
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.
KARAKTERISTIKE, AHMET QEMAL PASHA – aktor
Ka lindur në Shishtavec (Kukës), më 7.2.1948, banues në Lagjen Nr. 1, rruga “Shyqëri Ishmi”, Pallati 32, Shkalla 1., Ap. 12. Është me origjinë fshatar i varfër dhe nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970.
Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë indiferent, kurse tani është i mirë. I ati i tij punon si kamerier në Fier. Nënën e ka greke dhe ka ardhur në vendin tonë në vitin 1944. Njerëzit e nënës i ka në Greqi dhe korrespondon me ta.
Edhe e ëma punon në NTUS në Fier. Ka filluar punë si aktor në vitin 1970. Është aktor me të dhëna të mira profesionale dhe si i tillë i janë besuar shumë role kryesore, të cilat i ka realizuar me nivel të lartë ideo-artistik. Mban peshë kryesore në repertorin aktiv të teatrit. Detyrat i ka kryer mirë dhe me ndërgjegje.
Është i sjellshëm dhe i disiplinuar. Drejton format e arsimit në Parti. Jep mësim prej vitesh në Institutin e Lartë të Arteve. Është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”. Për meritat e tij në punën krijuese, propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.
KARAKTERISTIKE, AGIM SOTIR QIRJAQI – aktor
Ka lindur në Tiranë, më 27 janar 1951, banon në Tiranë, në Lagjen Nr. 1, rruga “Labinoti”, Pallati i Oficerëve, shkalla 2. Ap. 62. Është me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, i reformës së Pushtetit Popullor dhe në gjendje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1972. Qëndrimi i tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë dhe është shumë i mirë. I ati i tij ka përqafuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare që në fillimin e saj. Është anëtar i Partisë që në vitin 1942.
Pas çlirimit ka punuar gjithmonë në organet e Drejtësisë. E ëma ka qenë gjithmonë punëtore. Tani që të dy janë në pension. Ka qenë i martuar, por në vitin 1982 u nda dhe tani ka një fëmijë. Ka filluar punë në teatër në vitin 1972. Më pas, në vitin 1978, punoi si regjisor në RTV. Pastaj vjen përsëri në teatër në vitin 1982. Është nga aktorët më të talentuar të teatrit dhe mban peshën kryesore në repertorin aktiv.
Rolet e realizuar prej tij kanë qenë në nivel të mirë artistik. Ka dhënë kontribut të ndjeshëm edhe në kinematografi. Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale. Është serioz dhe kërkues në punë. Është pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit II. Për merita në punë, propozojmë që t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.
KARAKTERISTIKE, NDREK PALOK SHKJEZI- aktor
Ka lindur në Shkodër, më 4. 6. 1922. Është me origjinë nëpunës i ulët dhe gjendje nëpunës. Ka kryer arsimin 7-vjeçar. Nuk është i organizuar, ka filluar punë në teatër nga viti 1945 e deri më sot sa doli në pension.
Qëndrimi i familjes së tij ka qenë dhe është i mirë. Ka filluar punë në teatër në vitin 1945. Është ndër pionierët e parë të Teatrit Popullor. Prej vitit 1945 deri sa doli në pension në vitin 1988, ka realizuar mbi 90 role në teatër dhe kinematografi.
Ka realizuar role të ndryshme në pjesët tona dhe të huaja, është shquar veçanërisht si aktor i komedisë. Shquhet në realizimin e roleve të karaktereve. Edhe tani që është në pension, ai punon veçanërisht me rolet në kinematografi.
Për merita në punën e tij Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar Medaljen e Punës dhe Urdhrin “Naim Frashëri”. Duke u mbështetur në aktivitetin e tij të gjerë cilësor, propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.
KARAKTERISTIKE, FATOS ZIRAHUDIN HAXHIRAJ – Regjisor
Ka lindur më 1943, në Tiranë. Është me origjinë zanatçi individual dhe me gjendje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1963. Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i mirë. Nuk ka pasur njeri me armikun apo me organizatat tradhtare, nuk ka njeri të dënuar apo të arratisur.
Xhaxhai dhe daja i tij kanë qenë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nuk është i organizuar. Ka filluar punë në teatër në vitin 1968 si aktor dhe në vitin 1982 është emëruar si regjisor i teatrit. Detyrat e ngarkuara është përpjekur që t’i kryejë mirë.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur role në shfaqje teatrale. Rolet që i janë ngarkuar është përpjekur që t’i realizojë me nivel të mirë artistik. Si regjisor, ka vënë në skenë disa pjesë me nivel të mirë artistik, si nga dramaturgjia kombëtare, ashtu dhe nga ajo e huaj, si “Karavidhet”, “Pas provimit të fundit”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Nesër është vonë”, etj., nga dramaturgjia e huaj, “Vdekja e një komisioneri”, “Zbutja e kryeneçes”, etj. Është punëtor i zellshëm dhe i disiplinuar. Bën përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e nivelit ideo-profesional. Jep mësim në Institutin e Lartë të Arteve. Propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.
DREJTORI: Muharrem Shtylla, 20.I.1989.