Albspirit

Media/News/Publishing

KËZE SULÇAJ, GRUAJA NGA FSHATI VAJZË QË U PUSHKATUA NGA FASHIZMI

(Në kuadrin e 80 vjetorit të ekzekutimit nga pushtuesit fashistë në fshatin Vajzë të Vlorës, të Këze Shahin Sulçaj (1898 – 25.12.1943), nënë e ish-partizanëve dhe dëshmorëve të LANÇ-it, Mete e Delo Mystehak Sulçaj, heroinës së papërkulur që shkroi faqe lavdie gjatë Luftës së Dytë Botërore)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Këze Sulçaj ishte lindur në pranverën e vitit 1898, në fshatin Beçisht të Tepelenës. Ishte koha kur në Shqipëri vijonte sundimi i gjatë pesë shekullor i sulltanatit osman. Ajo ishte një vajzë me tipare burrërore që në fëmijëri dhe shpejt u bë grua dhe një nënë me halle shumë që ishte martuar në fshatin Vajzë. Ajo përjetoi kohërat më të errëta të pushtimit dhe të luftrave. Ishte vetëm 14 vjeçe kur vendi u shpall i pavarur, por shqiptarët sërish nuk mund të merrnin frymë lirisht prej pushtimeve e luftrave. Lufta e Vlorës ishte një epope që Tepelenas e Vlonjatë, gjithë Labëria, njëmijë djem nga Mallakastra dhe nga të gjitha trevat shqiptare mbritën në Vlorë për ta bashkuar atë me Atdheun. 89 çeta u përbashkuan në një front lufte për jetë a vdekje. Në rrethana varfërie u martua në fshatin me tradita në Vajzë. Oxhaku ku u martua u rrit e shumua, u bë me djem sërish me luftëtarë të gatshëm për luftra, sepse pas 7 prillit 1939 shqiptarët sërish ishin në luftë në Luftën e Madhe Antifashiste. U krijuan formacionet e vogla, njësitë guerrile, cetat e batalionet. Lufta po rritej dhe po bëhej më e përgjakshme.

Edhe nëna e partizanëve Këze Sulçaj ishte përfshirë në mbështetje të fortë për të shkatërruar makinerinë ushtarake pushtuese të fashizmit italian dhe gjerman. Djemtë e saj ishin bërë figura të rëndësishme të lëvizjes antifashiste të fshatit Vajzë dhe të mbarë Labërisë. Këze Sulçaj ishte nëna e dëshmorëve Mete Mystehak Sulçaj dhe Delo Mystehak Sulçaj, që meritojnë nderim si një familje dëshmorësh. Këze Sulçaj ka qenë ndër gratë e Vajzës, që megjithese pa shkollim, kishte shkollën e jetës, edhe kur ishte e mbytur në fukarallëkun e saj, në varfërinë e jetës, megjithëse shpresa ishte tek Lëvizja Nacionalçlirimtare, tek e ardhmja e lirë dhe e çliruar e Shqipërisë. Këze Sulçaj si nënë nuk i pengonte djemtë e saj ti bashkoheshin formacioneve partizane që në fillimet e luftës çlirimtare, por krenohej që ata të punonin për luftën dhe çlirimin, për partizanët e çetës së fshatit dhe të krahinës që ishin ngritur me armë në dorë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë.

Gjithë fisi “Sulçaj”, e kanë pasur traditë dyfekun, ndaj edhe djemtë e Këzes duke patur si drejtues të tyre djalin e gjetur të saj Gani Sulçaj, që njihet edhe si Gani Vajza, shpejt e hodhën dyfekun në krah dhe u bashkuan me djemtë e malit. Metja doli partizan në çetë, Delua aktivizohej me rininë antifashiste, kurse vetë Këzia priste e përcillte shokët e djemve të saj të formacioneve luftarake partizane. Fakt është se më 25 dhjetor 1943, kur forcat gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre ndodheshin nën goditjet e forcave partizane në Vajzë, Plloçë, Velçë e deri në prapavijat e tyre, në kohën që po tërhiqeshin nga Vajza, ata kapën e pushkatuan disa fshatarë që njiheshin si strehues të partizanëve.

Në këtë kohë pushkatohet edhe Këze Sulçaj, në momentin që po tërhiqte një fshatar të ekzekutuar nga gjermanët në fund të fshatit Vajzë. Bashkëpuntorët e fshaizmit e njihnin Këzen si nënë të djemve partizanë dhe aktiviste të lëvizjes çlirimtare, dhanë urdhër që edhe ajo të pushkatohej dhe kështu u veprua. Ajo ishte e para grua nga fshati Vajzë që u ekzekutua nga nazistët gjermanë dhe bashkëpuntorët e tyre në atë operacion. Nazifashistët e dogjën fshatin Vajzë tre herë por nuk mundën që ta përkulnin. Këze Sulçaj ishte dhe mbeti një nënë heroinë jo vetëm për bijtë e saj që ja fali Atdheut, por edhe për sakrifikimin e saj si dëshmore e pashpallur, por e nderuar dhe respektuar në tetë dekada. Ajo ra për lirinë e Atdheut në moshën 45 vjeçare për të mbetur përjetësisht e pavdekur dhe që përkujtohet nga bashkëfshatarët e saj në ditët e dëshmorëve. Në më shumë se një gjysëmshekulli trajtohej si nënë partizanësh,, nënë dëshmorësh dhe edhe ajo vetë si dëshmore edhe pse nuk i ishte akorduar titulli i dëshmorit, dhe nuk kishte një dokument juridik vërtetues. Faktikisht titullin e lartë “Dëshmor” e kishte merituar prej kohësh. Sipas origjinalit të dokumentit “Historiku i fshatit Vajzë”, të vitit 1981, faqja 143, të rregjistruar në arkivin e Muzeut të Vlorës për bijën e fshatit Vajzë, Këze Sulçaj , është dokumentuar si më poshtëvijon: “Këze Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, u vra nga nazistët gjermanë në afërsi të shtëpisë së saj më 28 dhjetor të vitit 1943. Ajo kudesej shumë për partizanët dhe me çka i ndodhej i ushqente.

Të dy djemtë e saj ishin në luftë. Ajo gjithçka e kishte vënë në shërbim të luftës” dhe meriton lavdinë si mbështetëse e luftës clirimtare, si nënë dëshmorësh dhe mbi të gjithë si e pushkatuar nga fashizmi. Këze Shahin Sulçaj ra në fushën e nderit për të mos u harruar dhe për të mos vdekur kurrë, sepse ngeli në memorien e fshatit Vajzë dhe të krahinës, ndërkohë që kryeplaku dhe pleqësia e fshatit Vajzë e ka evidencuar si një ndër dëshmorët që plotëson kriteret ligjore, sipas ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”,  Pika “d” në të cilën thuhet që: shpallen Dëshmorë të Atdheut “shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”.

Duke u mbështetur në faktet e shkruara në tetëdhjetë vite, Këze Shahin Sulçaj, meriton për t’u shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” bazuar në kriteret ligjore të shtetit shqiptar. Të dhënat mbi Këze Sulçaj janë përgatitur në bashkëpunim me një grupi të posaçëm pune të Kryesisë së Shoqatës Kulturore Atdhetare të fshatit “Vajzë”, të kryepleqësisë së fshatit Vajzë, duke shfrytëzuar të gjitha të dhënat e tjera të publikuara të “Historikut të fshatit Vajzë”, dorëshkrimi i vitit 1984, por edhe Historiku i rishikuar e publikuar me një komision të zgjeruar prej trembëdhjetë anëtarësh një vit më parë (2023); dokumentacionin e trashëguar nga OKDA-ja Dega e Selenicës dhe Vlorës, në dokumentat autentike të grumbulluara nga fshati Vajzë i Bashkisë së Selenicës të Qarkut të Vlorës, të dhënat muzeale të ish-Muzeut të fshatit Vajzë, publikime e të dhëna të ish-partizanëve të fshatit Vajzë dhe të krahinës, shkrime dhe të dhëna nga ish-mësuesi i historisë së fshatit Vajzë Nasip Xhelilaj, libra të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve çlirmitare që kanë qenë pjesë e këtyre formacioneve si në çetë, batalion e Brigadë Partizane, ku një ndër librat më bazë është libri i ish-partizanit dhe ushtarakut madhor Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, Shtëpia botuese, “Arbri”, Tiranë, viti 2002, faqe 274-275; si dhe të dhëna të tjera burimore të besueshme.

 

Please follow and like us: