Albspirit

Media/News/Publishing

Pse Clinton zgjodhi Kaine si zëvendës

Zgjedhja e zëvendësit të rrëfen shumë për kandidatin që hyn në fushatë zgjedhore. Me vendimin për Tim Kaine si zëvendëspresident, Hillary Clinton zgjodhi një pragmatik me një bonus financiar, mendon Miodrag Soric.

USA Hilary Clinton und Tim Kaine

Ai nuk është një vullkan që derdh llavë karizmatike. Kështu e prezantoi një moderator televizioni Tim Kaine, senatorin nga Virginia, të cilin Hillary Clinton vendosi ta ketë zëvendëspresidentin e saj në rast fitoreje. Tim Kaine është një tip i qetë, miqësor, besnik e me integritet. Ai ka përvojë qeverisëse si guvernator, paraqitet si besimtar katolik, madje ka qenë edhe tek jezuitët në Honduras, por megjithatë e mbron abortin për femrat në raste të caktuara. Fryma e kohës i ka rrumbullakosur këndet e besimit – pra një njeri pragmatik.

Hillary Clinton e bëri këtë zgjedhje për dy arsye: Ajo i beson atij. Tjetra: Ajo nuk do rreziqe. Tek 58 vjeçari Kaine ajo e di se cilin person ka zgjedhur. Prej javësh përflitej për këtë. Të dy politikanët i përkasin krahut të moderuar të demokratëve. Kaine punon në komisionin e senatit për politikën e jashtme e të sigurisë. Nëse Clinton ulet në Oval Office në vitin 2017, ai do të jetë zëvendësi i saj luajal, me të cilin ajo do të peshojë vendime të rëndësishme.

Soric Miodrag Kommentarbild App

Shumë ekspertë në Uashington janë të mendimit: Hillary Clinton vendosi për këtë kandidat, sepse ai flet shumë mirë spanjisht, dhe me këtë mund të bëjë për vete votuesit latino-amerikanë. Por kjo pakicë e rëndësishme -sipas të gjitha sondazheve- voton për demokratët. Kaine nuk i sjell Clintonit as vota shtesë tek afroamerikanët. Edhe ata shpesh e vënë kryqin për demokratët. Ajo që flet për Kaine janë lidhjet e tij të mira në Wall Street e tek bosët e ekonomisë, dihet që një fushatë zgjedhore në Shtetet e Bashkuara është një ndërmarrje e shtrenjtë. Ai është pro tregtisë së lirë, si Hillary. Kandidatja demokrate shpreson që Kaine të sjellë më shumë vota në Virginia. Qytetarët në këtë shtet federal janë të paparashikueshëm, dhe e ndërrojnë votën për partitë.

Nga ky vendim duhet të jetë i zhgënjyer krahu progresist i partisë. Këtu bëjnë pjesë politikanë si senatorja nga Massachusetts Elisabeth Warren, apo Bernie Sanders, rivali kokëfortë i Hillarysë në muajt e fundit. Sanders ia doli të mobilizojë miliona të rinj në fushatën e tij. Shumë prej tyre janë të zhgënjyer. Për një zëvendëspresident si Sanders ata do të vazhdonin të luftonin në fushatë, por jo për një Kaine. Por pavarësisht se sa i rëndësishëm është posti i zëvendëspresidentit: Ky vendim personeli nuk e përcakton rezultatin e fushatës zgjedhore në SHBA. Në fund lufta zgjedhore zhvillohet mes Hillary Clinton dhe Donald Trump.

Please follow and like us: