Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

 

 

 PERËNDIM BERATI

 

 

Humbi dielli pas Shpiragut,
hesht mes muresh kala e gurtë,
mbi kodra fshatrat ranë në gjumë,
hijet zgjaten  e mbyten në lumë.

Nga bregu përmatanë,
dëgjohet thirrje  e Zarizanës

djemtë sulen te pellg i thellë

e befas zhduken nën shtjellë.

Osumi rrjedh murmurin,

hëna lart mbi hon e urë  ndrin ,
në ato castevashë e flijuar,
lanë sy e vetull, faqe e duar,
me lot yjesh valë mbi valë,
lundra e thyer  dergjet në zall.
Dritaret ndizen një mbi një,
faqe Gorice  e  në Mangalem,
mbi rrugë fenerët varg,

në terr fle Tomori  larg.
S’jehon më kambanë e Shëndëllisë,
u mbyllën portat e xhamisë,
nuk ndrijnë as qirinjtë e Baba Aliut,
ndihet zëri ëmbël i Vexhiut:.
“Më pushton që prej së largu
dhe një shpirt prej lashtërie
…”
Lisat pikojnë lot e gjeth,
kujtimi i trishtë shpirtin rrënqeth,
kur krismat hijeve nën ullinj
vrisnin këngët, poetin e ri.—1)
Mbrëmje e vonë, pak nga pak
e lodhur, kotet, bie në shtrat,
flakë mbi kreshtë mjegull e re,
zogu i vonuar zbret në fole,
asnjë zë në muzg, as drita
kur tej Shpiragut, shkrep dita.

————

(1- Namik Meqemeja)

 

POETIT TË KËNGËS SË PAKËNDUAR

Namik Mehqemeja

 

Me rrezet e fundme

një brez i përskuqur-flak,
u hap e u shtri mbi Shpirag

e befas u fik.

Afër lumit nën ulli
krisma  dhimbje e gjak
A fle lumi?
A ndjen lumi?,

A sheh lumi?

Hesht mbi shkëmb qyteti i bardhë
pas dritaresh, radhë mbi radhë ,
me përralla e legjenda
brenda portave të rënda.

Afër lumit nën ulli, hijeve,
u vra poeti i bukurive,
në zemra i paharruar.
U vra kënga e pakënduar
për fllad e det,
për lule e fletë,
vjeshtën e borën dimërore,
e mbrëmjen pranverore,
në kohë zgjimi
e në çaste frymëzimi
nën flakën e kandilit
me trillet e bylbylit.

Hesht qyteti, prehet në fresk,
në orën e krimit në terr.
Psherëtijnë rrepet- pëshpërijnë,
qajnë valët nën urë flijimesh,
qajnë poetin e dashurisë
poetin e hijshëm të lirisë.

Hëna ngriu mbi Kala,
feks dritare e baxha,
në gjumë trondit qytetin,
nën ulli e zgjoi poetin.
Nako, Nako, emri i tij rinor
ikën tutje lumit në Tomor.
jeton me kumtin e besimit,
për ditën e ngadhnjimit.

E ndjek në kohë muzg vjeshte,
shpirtin lot, tek ngrihet lart në heshtje
e humbet tej malesh e pyjesh
ja, tek  ndrin  si yll mes yjesh

 

 KUR IKTE BUHARAJA  

Kush ia thote aty matanë

me një fyell që përvëlon?

Vexhi  Buharaja

 

Nën hijen  Kalasë,

ku çohej drejt për qiell,

minare e rrënuar,

nuk buron më Cezma e Sahatit

me ujë malesh nga gurët e latuar.

S’dëgjohet më këmbana,

jehona tej Beratit,

shkallmuar, rrafsh me tokën,

hesht Kulla e Sahatit…

Sofati  i xhamisë,

i heshtur e pa jetë,

askush nuk falet

te sallë e shkretë.

Asnjë shandan, asnjë kandil

dhe Libri i Shenjtë  i fshehur rri.

S’dëgjohet më nga larg,

as thirrje e myezinit.

as  fjala shqip e Firdusit

fjala mjaltë, si qëmoti,

veç thellë në shpirt,

me besë i falet Zotit.

Kur nata shkon e dita vjen sërish,

as hije, as fresk, as fëshfërimë selvish,

veç fryma e Tomorit

në rrënoja ka zbritur,

e loton, se fluturoi e shkoi,

bibili i ndritur.

Mos shkoi te Mali i Thatë

e yjet lasgushiane gjen,

apo ku hesht lopata në Liqen?

A mbi Tomor me  lule bore,

dëgjon i lumturuar,

xhuranë baritore?

Takon Naimin,

në male e pyje, bukurinë,

larg prangash e qelisë,

dhunës, padrejtësisë.

Ringjall histori

betejash  për liri,

Gjergj Kastriotin-Skënderbe

arbër trima për atdhe.

 

Lë  ibrat e penën mbi letër,

me shpresë rilindjesh

në një kohë tjetër.

Hipur deveve në karvan

ikën tutje  në shtegtim,

me Shahnamenë në duar,

në shqip plot shkëlqim.

Në fund të shkretëtirës,

kanë dalë Firdusiu dhe Sadiu,

me çallma, bardhë dëborë,

se ja,  po vjen, po vjen Vexhiu.

* * *

Poeti  i hijshëm

me tungjatjeta, kur vije,

gëzonin porta, e dritare,

mure e gurë shtëpish

në sheshe e faqe tatëpjeta,

bahçetë  me fryta,

lule e fletë të blerta

 

Nga  kulla-hije e Sahatit

jehon  kambana tej Beratit,

nën urë Osumi kalonngadalë

rrepet hedhin gjethet mbi valë.

në ato caste dëgjojnëpoetin

me vargjet këputur yjesh

pas vuajtjesh e mundimesh

ndrin dhe zgjonqytetin.…

—–

 

 

 

Please follow and like us: