Gëzim Llojdia: Enriko Veizi dhe talenti i tij
Deklarata: Më mirë me pranga dhe me miq, se sa në kopshte dhe me armiq. Dënimi për sabotim me Lipe Nashin, Koço Plakun, Petraq Xhaçkën, Niko Koçobashin dhe Beqir Aliajn
Dossier/ Për Enriko Veizin dhe talentin e tij: Më mirë me pranga dhe me miq se sa në kopshte me lule dhe me armiq
Ishte karikaturist e dënuan për sabotim me Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka
1.
Artist si Enriko Veizi lindën jetuan në vite të vështira. ”Brezi i humbur”, po shuhet dalëngadalë. Inxhinieri dhe karikaturisti Enriko Veizi i mbylli hesapet më këtë botën tonë mizore dhe me jetën tokësore. Në parajsë ka të tjerë ligje. Shpirti atje, i endur përballë dilemës, të rikthehet në trupa të tjerë, nuk e ka lehtë të vendosë të kthehet atje, në tokën, vendin e tij, diktaturë apo liri?
2.
Prof. Dr. Hazbi Shehu shkruan: Enriku gjendjen e tij shpirtërore e shprehte ne art. Ai ishte i sinqertë dhe i ndershëm. Bukuria më e madhe qëndronte në thjeshtësinë e tij. Ai nuk fliste kurrë për veten. Regjimi “simpatik” komunist e dogji Enrikun jo vetëm si trup, por dhe si shpirt. Nga shtypja lind veç turpi dhe shkatërrimi. Nuk djeg flaka aq shumë kur në kashtë bie zjarr; se sa djeg ahu i njeriut që ia bën jetën varr. Më mirë me pranga dhe me miq se sa në kopshte me lule dhe me armiq. “Njerëzve foli ëmbël dhe jo me thumb”, thoshte Enriku, “dhe atë që do paqen mos e prit me plumb. Ruaju nga gjembat, mblidh lule, se ato janë të pastra dhe nuk kanë djallëzi, por vetëm dashuri.” Kur e burgosen ai nuk kundërshtoi, as nuk pyeti, vetëm zgjati duart dhe ata i vunë prangat.
I dashur Enrik, ty të burgosen se karikaturat e tua përhapnin dashuri midis njerëzve. Ato ishin te gatuara me shpirt, me tru, me zemër dhe shprehnin jetën e popullit, punën dhe vuajtjet e tij. Njerëzit duke i analizuar qeshnin, kënaqeshin dhe shpreheshin “është i talentuar ky djalë”. Nuk mund të duronte Enver Hoxha dy rryma, dy burime. Populli duhet të studionte vetëm udhëzimet e partisë dhe veprat e tij dhe si rrjedhojë autori i këtyre karikaturave duhej eliminuar. Enriku punonte në Institutin Gjeologjik të Naftës në projektimet e puseve të naftës. Kështu shkaku për ta dënuar ishte i qartë dhe i besueshëm. Ata donin të burgosnin shpirtin e Enrikut, mendimet e tij dhe jo trupin. Po a burgosen mendimet?! Karikaturat ishin shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. ….
3.
Gazeta letrare artistike: “Drita” më 6 gusht 1967, gazeta e Lidhjes së Shkrimtare dhe Artistëve të Shqipërisë sjell shkrimin e parë që flet për talentin dhe shpërthimin e një artisti si Enriko Veizi. Shkrimi shoqëruar më fotografi është shkruar nga karikaturisti i mirënjohur, Zef Bumçi. “Sot në fushën e karikaturës militojnë me dhjetëra karikaturistë, të cilët me krijimet e tyre japin një kontribut të çmueshme në zhvillimin e këtij arti aq të dashur për masat tona punonjëse”, thotë Z.Bumci. Më tej ai thotë: “Një ndër të rinjtë, që i është kushtuar me pasion këtij arti, këto vitet e fundit, është edhe inxhinieri gjeo-fizik që punon në Patos, Eriko Veizi. Në kuadrin e 25 vjetorit të ditës së shtypit tonë popullor, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, hapi në sallën e klubit të saj një ekspozite me karikatura të tij”.
4.
Zef Bumçi duke vlerësuar artin e tij në fushën e veçantë të karikaturës. përveç klisheve të zakonshme për artin e kohës, thotë: “Në punimet e Eriko Veizit të bie menjëherë në sy thjeshtësia, qartësia dhe mbi të gjitha përmbajtja e shëndoshe ideo-politike. Ai punon midis punëtorëve naftëtarë, njeh mirë shpirtin revolucionar të popullit dhe duke zbatuar vijën e partisë në art, ka vënë në shënjestër bartësit e mbeturinave, zakoneve prapanike, ka stigmatizuar të metat dhe fenomenet negative që dëmtojnë shoqërinë tonë socialiste, ka goditur e satirizuar armiqtë tanë të çdo kallëpi. Në interpretimin e ngjarjeve ndërkombëtare, ai me mprehtësi godet drejt në shenjë në mënyrë marksiste-leniniste« ashtu siç na mëson Partia. Nga pikëpamja artistike, karikaturisti Enriko Veizi, që nga koha fillimit të tij e deri më sot, duke botuar punimet në revistën Hosteni, në gazeta dhe revista të tjera, ka bërë mjaft përparime. Kjo të jep të kuptosh, se përveç pasionit, ai ka edhe vullnetin për studim. Këtu do të ishte me vend t’i vinim në dukje, që të largohej nga ndonjë formë gjoja e veçantë që është përdorur në artin e karikaturës më parë, siç është p.sh., paraqitja e duarve të njerëzve me tre gishtërinj e ndonjë formë tjetër, në mënyrë që vërtet të përcaktojë definitivisht stilin e tij krejt origjinal, tërheqës dhe elegant. Ekspozita ka shumë punime të mira. Qoftë për sa i përket problemeve shoqërore, siç janë p.sh një karikaturë për dembelin kur ha e kur punon apo dy karikatura për autokritikën etj, qoftë ato me probleme ndërkombëtare si p.sh., një karikaturë e Xhonsonit në kafaz me bishat, e tjera, përfundon artikulli i të mirënjohurit në këtë fushë, Zef Bumci për një talent që po lindte në këtë fushë.
6.
Piktori, Qemal Agaj te një gazetë e përditshme në intervistën dhënë A. Aliut thotë: Ishin vitet 1976-1977, ku pas valës së arrestimeve dhe burgosjeve, në industrinë e naftës, nisi spastrimi nga “armiqtë” dhe “sabotatorët”. Ishte koha kur partia “fabrikonte grupe armiqësore”. Mua, si me biografi të keqe, më njoftuan se duhej të largohesha nga Patosi. Pa dyshim, nuk e prita mirë; ku të shkoja, pa punë, pa shtëpi, ndërkohë kisha familje dhe djalin tre vjeç, pa harruar këtu mbiemrin tim, që në Vlorë tingëllonte si kambanë alarmi. Por kur mendoja se mjaft drejtues dhe inxhinierë të njohur, si Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka dhe njeriu që aq shumë admiroja, Enriko Veizi, u arrestuan dhe u burgosën, ishte e turpshme të ligështohesha. Nuk mund të harroj çastin, kur për të diskretituar këta “sabotatorë”, i sollën me pranga në sallën kryesore të këtij pallati me më se 600 vende. Njoftimi ishte bërë disa ditë më parë. Një hije mortore kishte rënë mbi qytet. Te dera kryesore, midis shpatullave te njerëzve, vura re në podium të arrestuarit, të shpërfytyruar, me pranga në duar. Kur përfaqësuesi i (ç) drejtësisë filloi të shqiptonte emrat, britma e një të porosituri trushplarë, “në litar’’, u shoqërua nga dhjetëra të tjera. Nuk dëgjohej gjë tjetër veç një turmë që thërriste: “Në litar, në litar…”. M’u duk sikur do të shpërthente salla. Rrëqethëse…!
https://telegraf.al/dosier/dossier-enriko-veizi-dhe-talenti-i-tij/