Albspirit

Media/News/Publishing

EVIDENCAT E  SHTETIT OSE ‘GURET’ E KALASE  SË ÇDO KOMBI

Shefqet Meko

 

Një fakt që nuk e dija nga Zvicra dhe një dramacitet i “Shtetit modern” shqiptar

Këtë fundjavë piva një kafe me mikun tim amerikan Steve Dickenson. Njihemi familjarisht prej dekadash. Sapo ishte kthyer nga  Hollanda dhe me një gëzim miqësor kërkoi të më takonte. Erdhi tek kafja me librin anglisht në dorë “Viza Amerikane”. “Akoma nuk e kam mbaruar, më tha, por urime. Është në një anglishte perfekte dhe histori interesante”. Më erdhi mirë. Një fjalë miku ballë përballë të gëzon.Jemi njerëz. Asnjë  shqiptar këtu në Minneapolis nuk ka  më ka thënë një fjalë  të vetme për këtë libër, përveç ustait Ben Tomini. Ka me dhjetra që kanë bujtur tek shtëpia ime dhe  tani sikur “fshihen në skuta”. Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që më befasoi ishte rrëfimi i mikut tim amerikan. Ai është martuar me  një zviceriane. Prof.Dr. Catherin Dickenson-Guisan e cila është duke shkruar një libër për marrëdhëniet mes Amerikës dhe Europës. Duke folur për këtë draditë historike Steve Dickeson më tha: “Catherinë ka dekada  e larguar nga Zvicra, por për vit shteti i dërgon një paketë speciale e me të gjitha zhvillimet politike dhe  zgjedhjet e ardhshme. Është një gjë që vërtet rrëfen se si mbahet gjallë një komb dhe një traditë”.

Një rrëfim i thjeshtë, por  plotdomethënës. Kjo në fakt më kujtoi një mbresë të adoleshencës. Në fshatin tim kishim zyrat e kooperatives  diku në hyrje pranë rrugës, kur përditë, ekonomistja Tefta Aliçkolli, një vajzë  simpatike pakëz  e bëshme,  dëgjohej në telefon t’i jepte qendrës, evidencat e punës përditë. Edhe agronomi i talentuar i atyre viteve, Miti Jançe  të fliste për evidenca mbjelljesh dhe korrjesh, evidenca të llojeve të grurit dhe  rendimentet. Natyrisht këto kujtime të “kooperativës bujqësore” duket se nuk kanë asnjë lidhje me “evidencat zviceriane”. Mbase. Por kjo “furtunë” kujtimesh më solli në mendje një ndodhi të vitit që shkoi. Për nder të festave të nëntorit, ambasada shqiptare në DC kishte organizuar “Javën Shqiptare”. Gjë shumë e bukur. Ambasada  kishte hapur kanatat për të festuar me miq dhe dashamirës. E kush nuk ishte ftuar? Të gjithë amerikanët që kishin punuar në Shqipëri madje edhe kushërinj të largët dhe të harruar të Fulcit të famshëm. Vetëm unë nuk kisha marrë ndonjë ftesë. Do kenë harruar, thashë. Një mikja ime amerikane që ishte në Amerikën e Jugut më tha: “Një ftesë me ka ardhur edhe mua, shko po deshe në vendin tim. Fli po deshe tek apartamenti ynë në DC që është bosh”. E dëgjova me vëmendje duke e falenderuar. Fillova të ndiej  dhimbje koke. Si mundet, pyeta veten,  ambasada e vendit tim ka evidenca të të gjithë amerikanëve që kanë punuar në Shqipëri një dy apo tre  vjet, por nuk më ka “në tefter” mua që kam jetuar 40 vjet në vendlindje? Në Amerikë njeriu “ngopet” me të gjitha: me pritje e përcjellje, me  lëvdata e sharje, me temena dhe lëvëdata, me borxhe dhe dollarë,  me kafe dhe “bishta kafesh”, por kurrë me respekt dhe evidencë. Ja pse mu kujtuan edhe “evidencat socialiste”. Jo për nostalgji, por për hir të së vërtetës: ashtu ka qënë. Shteti kishte evidenca të të gjitha llojeve: edhe të spiunëve,  edhe të “armiqve të klasës”, edhe të drejtorëve edhe të punëtorëve, edhe unë isha në evidenca. Ruaj edhe këtu në Amerkë ca ftesa që  më bënte “shteti diktaturë”- i sodis dhe qesh me vehte. Po sot a jam diku në “evidencat e shtetit” nga erdha? Nuk më mjafton “regjistri themeltar”, më duhet që shteti i vendit tim “më ka në evidencë” dhe do të më ketë edhe kur të “bëhem pluhur” apo “pa varr dhe nishan”, sepse ndaj njeriu ka nevojë për shtetin. Që të mbetet në evidencat e tij. Si bashkëqytetrja ime  amerikane që shteti zvicerian nuk e harron kurrë…

A është kaq e vështirë të kesh evidenca dhe prova  shqiptare për shqiptarët? Kryeministri shqiptar me kapadiallëk siç di ta manifestojë vetëm ai, vite më parë njoftoi një minitri të re për Diasporën? Cili ishte bilanci i asaj ministrie që  u shkri si  kripa në det? Si nuk mundi ajo ministri  së paku të kishte një evidencë si “qitapet e Turqisë”, për ne që ikëm? Ka një çerekshekulli që prita një letër  nga qeveria  e vedlindjes sime si “evidencë të ekistencës” sime shqiptare në Minnesota, por kurrë nuk ndodhi. U bënë  disa forume pompoze në Tiranë me gjithfarë ikanakësh si puna ime, por unë nuk dola në asnjë listë. Nuk flas për Shefqet Mekon. Emri im është diku. Flas për mua, shqiptarin e thjeshtë ikur larg. Befas Ministria e Diasporës “shkoi në të sëmës” për të “pjellë” një Ministri për Administratën dhe Antikorrupsionin! Ku po  shkon Shqipëri?…Si nuk pipëtiu  askush për këtë “çiban administrativ” në kurriz të popullit që punon?  Opozitë koti. Ajo duhet të ishte ulur këmbëkryq në parlament  pa lëvizur thjesht duke  thënë:nuk na duhet një “çiban më shumë”. Unë do kisha ardhur nga Amerika t’i bashkohesha protestës që nuk ndodhi kurrë…

Pse kam në mendje shëmbëlltyrën e një “çobani me krrabë” me vathë bosh që pi duhan me një çibuk të  madh duke thënë: “Plot ishte kjo vathë…Plot e përplot…”

Kujtoj shembullin që më solli miku im amerikan Stiv, për të shoqen me dyshtetësi. Edhe unë atë status gëzoj në Amerikë, jam sa qytetar shqiptar, aq edhe amerikan. Pse “më ka fshirë nga evidencat” qeveria e mëmëdheut, si ka qejf ta shkruajë me kapitale shkrimtari mbase “në evidencë” Faruk Myrtaj, që jeton në Toronto?… Mëmëdheu na ka harruar. Mbase e meritojmë, por qevëria duhet të mbetet një “matkë” e mirë, që mban evidencë dhe i ruan në arshiva madje edhe me dublikata të arshivuara në vende super të sigurta. Ndryshe do na vidhet edhe kjo  evidencë dhe një ditë fqinjët do thonë: “Shqiptarë!? Ku ka shqiptarë këtu? Të gjithë janë grekë, vllehë dhe sërbë. Ja  evidencat. Ju keni evidenca!?…”

Ata papagallët parlamentarë  paskan filluar “kakaraisjet”për reformën zgjedhore. Ndaloni llomotitjet tuaja që janë bërë të neveritshme dhe filloni me “evidencat”, siç fillonte ditën e punë në kooperativë Tefta e fshatit tim, dhe Miti nga Treni i Devollit.  Ndaloni llomotitjet dhe mësoni diçka nga Zvicra, ose po nuk patët turp edhe nga ish-kooperativa. Fshiheni emrin tim. Nuk dua të jem në evidencat tuaja, sepse nuk më doni, por, ruajni të tjerët sepse janë miliona, miliona që ikin dhe ikin duke  u bërë “të paevidencë”.

Është urgjente, mendoj. Sot çdo gjë është bërë evidencë dhe provë. Megallomania qeverisëse dhe “dashuria” opozitare për “themeluesin” po bëhen varrmihës të ekzistencës sonë…Mbylleni atë ministri koti dhe rihapni Ministrinë e Diasporës që ta fillojë “me evidencat”. Ato janë “gurët” e kalasë së çdo kombi…

Sot piva një kafe me mikun time amerikan dhe  humba në mendime.

Minnapolis, 27 Janar 2024.

Please follow and like us: