Ndrek Gjini: Sindromi i (keq)përdorimit të vdekjes
Në shoqërinë shqiptare, sindromi i (keq)përdorimit të vdekjes ka marrë përmasa të frikshme.
Nuk di vend tjetër demokratik në botë, (përveç Shqipërisë), të ketë përdorur apo të përdorë në mënyrë kaq pasionante çdo vrasje apo vdekje, për të fituar kredite mediatike apo dhe politike.
Për këtë flasin më së miri deklaratat e pafundme pasionante politike dhe jo politike, shkrimet e përditshme të gazetave, emisionet televizive apo dhe lajmet e përorshme mbi vrasjet vetëvrasjet dhe vdekjet.
Lajmi, komentet, apo dhe deklaratat politike për një vrasje apo vdekje të vetme, të shpërndarë në eter 20 herë në ditë, nga dhjetëra TV e gazeta, apo dhe qindra radio, të krijojnë idenë sikur në këtë vend nuk ndodh asgjë pozitive. Të krijojnë idenë sikur në këtë vend, i vetmi biznes fitimprurës është të jesh pronar i ndonjë agjencie funerale. Imazh ky jo vetëm i rremë, por edhe mjaft i dëmshëm për psikikën e popullatës së këtij vendi.
Ky sindrom i ka rrënjët thellë në histori, dhe për rrjedhojë shërimi nga kjo sëmundje nuk është i lehtë.
Ai lidhet me pushtimet e gjata shumë shekullore apo dhe me regjimet autoritare apo dhe diktatoriale që ka përjetuar vendi ynë.
Për breza e breza me radhë, shqiptarët haptazi apo në mënyrë të fshehtë, fajësonin për vrasjet apo vdekjet e njerëzve të tyre të afërt pushtuesin, apo qeverinë. Në fakt, ky ishte realiteti i asaj kohe, pasi për afro 80 për qind të vrasjeve apo vdekjeve, gjatë këtyre periudhave, fajtorë ishin përfaqësuesit e pushtuesve apo organet represive të këtyre regjimeve të dhunshme.
Tani kohët kanë ndryshuar. Në Shqipëri nuk ka më pushtues.
Por fatkeqësisht sindromi në mendjen e shqiptarëve rreth (keq)përdorimit të vdekjes ka mbetur i pandryshuar. Kjo është e trishtueshme dhe njëkohësisht e dëmshme për shëndetin mendor të popullatës.
Është lehtë të konstatosh, mund të thotë dikush. Po si, dhe qysh, mund të kurohemi nga ky sindrom i rrezikshëm?
Unë mendoj se rrugëzgjidhjet për këtë ekzistojnë. Duhet vetëm vullneti i mirë.
Po sjell këtu veç një shembull. Një statistikë e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Irlandës, (shtet i cili ka një popullsi afërsisht të njëtë me atë të Shqipërisë), thotë se gjatë vitit 2023 kanë ndodhur 896 vetëvrasje. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe vrasjet, vdekjet apo aksidentet e tjera, i bie që çdo ditë në mediat e këtij vendi të kishte lajme për tre apo katër të vdekur. E them me përgjegjësi të plotë; nuk ka pasur në media as edhe një lajm të vetëm lidhur me vetëvrasjet. Ndofta një apo dy herë në muaj ka pasur ndonjë lajm për ndonjë aksident apo vrasje të bujshme. Dhe kaq. Krejt ajo çka mëson lidhur me këto ngjarje është ndonjë vendim përfundimtar i gjykatës.
Po bisedoja me një mikun tim doktor, rreth shifrës së lartë të vetëvrasjeve dhe mospublikimit të këtyre lajmeve. Është një si ‘kontratë’, apo si të thuash ligj i pashkruar mes mediave, portaleve, gazetave dhe politikës, tha ai, për të mos publikuar asgjë lidhur me këto raste fatkeqe vdekjesh. Pastaj, shtoj ai, askush nuk është i lejuar të japë informacione në media apo gazeta për raste vdekjesh apo vrasjesh pa lejen e familjarëve të këtyre viktimave.
E solla këtë rast për të thënë atë që rrugëzgjidhjet ekzistojnë. Mungon vetëm vullneti i mirë.
Vdekja është humbje. Nuk ka të fituar në betejën me të. (Keq)përdorimi i saj është turpi ynë. Ndaj dhe na duhet të shërohemi nga sindromi i (keq)përdorimit të saj sa më shpejt të jetë e mundur.