Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Mendoja se ishe gjallë…

Mendoja se ishe gjallë…
…kur isha ende duke shpresuar se merrje frymë me mua, e ëndërrimi bëhet ditë, ku drita e mëngjesit të puth sytë, faqet, gushën, e zgjimi është bekim i një dite të re…
Mendoja se ishe gjallë… e fjala jote gjendej brenda botës sime, botë ku puthen ëndrrat, ku edhe dragojt lidhen me zinxhirë, se i mposht dashuria, forca, fuqia e saj….
Mendoja se ishe gjallë… brenda kataraktit të mendimit, ku jepesh e dorëzohesh, se nuk mund ta shmangësh dot të vërtetën të lashtë sa koha, se dashuritë jetojnë e nuk vdesin…
Mendoja se ishe gjallë… brenda ujvarës së dëshirës që të rrëmben, e shijon ujrat e qeta nën melodinë e dashurisë, që të përkund mes vargjesh ëndrrash të pathëna, të patreguara, si vetë fshehtësia ….
Mendoja se ishe gjallë… e brenda shpresës thurr dëshira zbukuruar me pikla ndjenjash, qarkuar me dritëza që vezullojnë e nuk fiken…
Mendoja se ishe gjallë… por ti…. eh o njeri, sa me lehtësi e flak premtimin, besën, se nuk je i fortë kur je vetëm, se je i dobët pa të vërtetën…
Mendoja se ishe gjallë… por fryma të është mekur, e ashtu, vetullngrysur e hijerëndë, ecën i kërrusur me lodhjen e kohës mbi shpinë. Vuajtja të ka mposhtur, e krenaria si një shami e ndotur brenda xhepit të shpirtit tënd bie erë, me të cilën je mësuar tashmë e nuk e largon dot nga vetja…
Mendoja se ishe gjallë … por fytyra jote pa buzëqeshje e ka humbur bukurinë, edhe hijeshinë, e kështu pa hir, lëvdon veç vetveten…
Mendoja se ishe gjallë… por koha ka shkuar tashmë, e kthimi është përgjigja më e mirë, e cila gjendet brenda zarfit të jetës, shkruar me dorën e së vërtetës, se e braktise dashurinë, por ajo, dashuria, nuk të braktis kurrë….
Please follow and like us: