Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Legjitimimi i vjedhjes së trashëgimisë kulturore 

 

 

Trashëgimia kulturore është një nga pjesët më të rëndësishme në historinë që vërteton lashtësinë e një kombi. E tillë është edhe trashëgimia jonë kulturore fetare në Kosovë, në këtë rast ajo e krishterë, me vazhdimësi që nga shekulli IV. Kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë janë pjesë e qytetërimit  tonë dhe si të tilla, çdo monument historik e fetar, duhet të vlerësohen si kosovare. Ato edhe pse janë ndërtuar nga shqiptarët për nevojat e tyre fetare janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen edhe nga pakicat e ndryshme, që jetojnë në Kosovë, veçanërisht nga pakica serbe.

Kishat dhe manastiret ortodokse, të periudhave më të hershme, para pushtimit osman, nuk mund të quhen serbe, sepse janë ngritur dhe janë shfrytëzuar për të kryer rite fetare nga shqiptarët deri sa u konvertuan edhe ata në fenë islame. Këtë e pohon shkencërisht edhe profesori i shquar Selami Pulaha në vepren “Kosova në shek. XV, XVI”.

Me gjithë përpjekjet e historiografisë shoveniste serbe, për të mohuar të vërtetën historike, manastiret dhe kishat ekzistuese ortodokse nuk janë serbe, por janë të Kosovës. Kishat, manastiret dhe çdo objekt tjetër kulti, pa marrë parasysh se të cilës përkatësi fetare janë, përcaktohen varësisht nga religjioni dhe nga vendi që i takojnë. Vetë emërtimi kishë serbe ose e Serbisë, qoftë në të kaluarën ose tani, ka për qëllim që edhe kultet fetare të shfrytëzohen për jetësimin e qëllimeve pushtuese të hegjemonisë serbe. Serbia, për këtë qëllim, në të kaluaren, sidomos në etapa të caktuara të shekullit të kaluar, posacërisht në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Rankoviçit si dhe në atë të Millosheviçit, ka ngritur kisha politike për t’i dhënë Kosovës fizionomi serbe. (Kisha ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës).

Të gjitha kishat dhe manastiret e ndërtuara gjatë sundimit të Nemanjiçëve në trevat shqiptare i përkasin stilit bizantino-shqiptar. Ato duhet të trajtohen vetëm si të tilla, sepse për shërbime fetare janë ndërtuar nga shqiptarët. Manastiri i Deçanit, si monument i rëndësisë së madhe kulturore, si monument me vlera të larta, është marrë në mbrojtje nga UNESCO-ja. Kështu është vepruar para sa ditësh edhe me Patrikanën e Pejës, me Manastirin e Graçanicës dhe me Kishën e Levishkës në Prizren. Hapësira mbrojtëse, që i është dhënë Manastirit të Deçanit, është kontestuar nga shumë faktorë, sepse në atë hapësirë, që nuk është e vogël, afër tre kilometra, nuk ekzistojnë vepra fetare as monomente historike. Një hapësirë e tillë nuk e ka as Shën Sofia e Stambollit!

Nëse Manastirit të Deçanit i është dhënë një hapësirë e tillë, pa ndonjë mbështetje shkencore serioze, një hapësirë e tillë, sidomos për pozicionin më të rëndësishëm historik, do të duhej të jepej edhe Manastirit të Graçanicës. Me propozim të Serbisë, këtij manastiri i është dhënë hapësirë mbrojtëse vetëm brenda mureve rrethuese. Pse? Sepse në afërsi të Manastirit të Graçanicës janë rrënojat e një qytetërimi shumë të lashtë, pararasllav, pra të Ulpianës, që e pengojnë historiografinë shoveniste serbe që të bëjnë shtrembërime dhe përvetësime. Këto rrënoja vërtetojnë edhe më qartë se ndëtimi arkitektonik i këtij manastiri është ngritur mbi rrënojat e kishës iliro-arbërore-shqiptare. Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi midis hapësirave, që i është dhënë manastirit të Deçanit dhe atij të Graçanicës.

Nuk e di nëse anëtarët e Grupit Negociatorkonsultohen me ekspertë të fushave të artit historik, me arkelogë, me arkitektë, me etnologë etj, që janë kompetentë për këto çështje. Nëse ata nuk i referohen shkencëtarëve përkatës, del se pranë tyre, ata që thonë se janë këshilltarë, shkencëtarë, s’janë tjetër, përpos një servis i shkollës së Beogradit, që e mohon identitetin dhe kontinuitetin e trashëgimisë sonë kulturore.

Grupi Negociator, duke mohuar identitetin e këtyre kishave shqiptare dhe duke i quajtur ato kisha dhe manastire serbe, nuk bën gjë tjetër veçëse e shtrembëron dhe falsifikon historinë dhe trashëgiminë tonë të lashtë kulturore. Fakti se në Kosovë sot nuk ka ose ka fare pak shqiptarë ortodoksë, kishat nuk mund të konsiderohen serbe apo të Serbisë, por kisha ortodokse të Kosovës, në të cilën banorët e saj, pa marrë parasysh përkatësin etnike , mund t’i kryejnë ritet fetare. Duke u pajtuar me vjedhjen, që i bëjnë serbët shovenistët identitetit tonë, duke i quajtur serbe kishat dhe manastiret e Kosovës, legjitimohet teoria e Grashaninit, se “shqiptarët në këto troje kanë ardhur në shekjujt  XVIII – XIX”.

Me këtë servilizëm politik, para disa qarqeve ndërkombëtare, antarët e Grupit Negociator, për trashigimi kulturore, për deri sa nuk bazohen në historinë e vërtetë, do t’ia legjitimojnë Serbisë vjedhjet e vlerave të trashigimisë kulturore të Kosovës.

Kosova sot, 18 korrik 2006.

Please follow and like us: