Gjelok Marko: Të guxosh të thuash të vërtetën
Sot mjerisht kultura perëndimore është helmuar nga koncepti i të folurit “politikisht korrekt”. Prapa kësaj frazeologjie mund të fshihet gjithçka që dikur quhej “e padenjë”, “amorale”, “e korruptuar”, “mashtrim”, etj, etj. Në fakt kultura e politika e Perëndimit shkëlqeu dhe fitoi admirim në kohën kur zbatohej parimi: “Ju do ta mësoni të vërtetën dhe e vërteta do t’iu bëjë të lirë”! Mjerisht tani ky parim nuk respektohet e nuk ndiqet më me përkushtim si dikur. Liria dhe e vërteta janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Atje ku nuk ka terren të shpallet hapur hapur e vërteta nuk mund të ketë terren për lirinë. Kushdo që të kufizon dhe nuk të lejon të shpallësh hapur të vërtetën, të gjithë të vërtetën sipas parimeve të drejtësisë dhe paanësisë; në fakt si synim ka të të kufizojë lirinë. Çdo kulturë, komb apo individ faktikish e praktikisht ka atë shkallë lirie sa ka edhe terren për të shpallur të vërtetën.
Kur u rrëzua diktatura të gjithë u gëzuam: Më në fund ardhi ora e lirisë, ora e lirisë të vërtetë.
Fatkeqësisht pas shkatërrimit të diktaturës jo vetëm që ëndërrat e shqiptarëve nuk u realizuan, përkundrazi ne përjetuam zhgënjime e shkatërrime të habitshme. Për këtë fajin ja vumë politikanëve tanë të korruptuar, mentalitetve të trashëguara nga e kaluara, ndërhyrjes dashakeqe të fqinjëve, etj, faktorë që në fakt janë realë, por pakkush ose askush nuk guxon të thotë se të gjitha këto shkatërrime e zhgënjime mund të kenë ardhur edhe nga gabimet e aleatëve tanë të mëdhenj: Komuniteti Europian dhe SHBA. A ka patur gabime madje dhe korrupsion edhe në radhët e tyre?
Pas Luftës së Dytë Botërore bota u nda në dy kampe. Në të gjitha ato vende ku ish influenca e SHBA u vendosën qeveri të tipit të Demokracisë Perëndimore, përkundrazi kudo që ish influenca Sovjetike u vendosën qeveri e Diktatura Komuniste. Në të gjitha vendet, faktori vendimtar ishte ndikimi i jashtëm. Në asnjë vend ku dominonte influenca perëndimore nuk ardhën në pushtet partitë komuniste, nuk u vendos sistemi socialist i ekonomisë. Në asnjë vend ku dominonte influenca sovjetike nuk ardhën në pushtet qeveri të tipit të Demokracisë Perndimore, nuk u vendos ekonomia e tregut e sistemi kapitalist. A nuk na jep kjo të drejtën të mendojmë se edhe tek ne sot në Shqipëri influenca e jashtme ka një rëndësi të madhe, madje ndofta parësore? A ka ndryshuar kaq shumë Perndimi? Apo na trajton ne shqiptarëve disi ndryshe: Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore askujt nuk i shkonte në mendje të ndërtonte një të ardhme evropiane me një Gjermani që të drejtohej nga Joseph Goebbels. Askush nga aleatët nuk u kërkoi hebrenjve që të mos flisnin, të mos i përmendin viktimat e tyre të Holokaustit. Askush nuk kërkoi nga hebrenjte të mos besdisin ish-xhelatët e tyre, të mos kërkonin eshtrat e viktimave, të mos insistonin të kërkonin të dhëna për të humburit. Askush nuk kërkoi që të kapërxenin mbi vuajtjet, varret e pafajshme, mbi të vërtetën e krimeve, ndëshkimin e sadistëve dhe të krijonin marrëdhënie e të nënëshkruanin marrëveshje me ish xhelatët e tyre. Asnjëherë aleatët nuk u thanë hebrenjve: “Ne ju çliruam ju nga Kampet e Shfarosjes, ne bombarduam Gjermaninë dhe ju sollëm lirinë, tani heshtni ju për viktimat tuaja, heshtni ju për krimet e Joseph Goebbels-it, shkoni me ta në bisedime dhe nga përparimi i bisedimeve varet e ardhmja e integrimit të kombit tuaj. Ne do t’iu pranojmë ju si komb vetëm së bashku me Gjermaninë nën drejtimin e Joseph Goebbels-it”. Në atë kohë një gjë e tillë as mund të imagjinohej!
Mjerisht shqiptarëve, Kosovës i kërkohet pikërisht kjo gjë. Të gjithë e shohin qartë që Vuçiçi qimen e ka ndërruar po zakonin nuk e ka harruar: Ai organizon atentate kundër ish bashkëpuntorit të tij Dick Marty, organizon Banjskën, Perëndimi hesht, hesht ose pëshpërit me gjysmë zëri, por pa marrë masa, pa vendosur sanksione, as për keqtrajtimin e tmerrshëm të Nikolla Sandulloviçit, etj, etj, etj po nga ana tjetër në Gykatën e Hagës në bazë të dosjeve të Vuçiçit mbahen të arrestuar ish udhëheqësit e UÇK dhe sanksjonohet Kosova. Perëndimi ende beson se po të kënaqet me fonde të mjaftueshme si dhe me lëshime në kurriz të shqiptarëve ujku Vuçiç do të bëhet qenjgj. Le të imagjinojmë sikur me Gjermaninë Naziste pas Luftës së Dytë Botërore të ish vepruar sipas politikës së sotme të Perëndimit, sikur Gjykata e Nurembergut do të kish ndjekur parimet që ndjek sot Gykata e Hagës. Atëhere Hermann Göring, Ernst Kaltenbrunner, Joachim von Ribbentrop, Wilhelm Keitel, Julius Streicher, Hans Frank, Wilhelm Frick, etj nuk do të ishin dënuar me vdekje, por do ti kish dënuar me periudha të shkurtra apo të mesme burgimi. Pasi të dilnin nga burgu ata do të ktheheshin si heronj në Gjermaninë me Bundeskacelar Joseph Goebbels-in, do të ishin figura qendrore në edukimin e rinisë gjermane, etj, etj. Ndërkohë nga ana tjetër shumë gjeneralë të forcave aleate si dhe persona që pas Luftës së Dytë Botërore u shpallën heronj, sot do të ishin ende në burg.Krimet e Nazistëve viktimat e Holokaustit do të konsideroheshin të barabartë me Nazistët e vrarë, etj. A do të ish një Europë e tillë një vend i lirisë dhe demokracisë?
Po si do të jetë nesër Evropa, Ballkani pas një politike të tillë të Bashkimit Europian e SHBA ndaj Vuçiçit, Serbisë që sa po vjen e bëhet më agresive? Si do të jetë pozita e shqiptarëve në një Evropë të bashkuar sipas këtyre parimeve? Aleksander Vuçiç pa turp sot deklaron publikisht: “Unë nuk kam vrarë asnjë njeri”! Po as Joseph Goebbels-i, as Wilhelm Frick, Julius Streicher, nuk kishin vrarë me dorën e tyre. Julius Streicher ish thjesht një kryeredaktor gazete, Wilhelm Frick një avokat, ata nuk vranë fizikisht, por sepse i shërbyen një sistemi vrasës me aftësitë e tyre u dënuan me vdekje. Përse nuk gjykohen sipas të njëjtave parime Aleksandër Vuçiç, aktiviteti e deklaratat e tija si: “Për 1 sërb to të vrasim 100…”!? A po trajtohen nga aleatët tanë viktimat tona,vuajtjet tona me respektin që meritojnë? Fillimisht Kosovës iu kërkua: “Kini të drejtë po prisni! Tani Putinin e kemi mik, ai vetë do ta detyrojë Sërbinë të pranojë të vërtetën. Pritni dhe do të çuditeni vetë se si duke bërë lëshime nga ana juaj vetë kriminelët do tju kërkojnë falje… Tani po na thonë: A e shikoni se e kemi armik Putinin? Prandaj vazhdoni të bëni lëshime, kini të drejtë po ende nuk ka ardhur koha tju trajtojmë si të barabartë dhe tju japim të drejtat tuaja. Mos u bëni kokëfortë si Albin Kurti. Po çfarë po kërkon Albin Kurti? Kërkon të zbatohen gjëra krejt elementare që duhet të ishin zbatuar shumë vite më parë…
Sa për Shqipërinë, për Ramën e Salinë nuk do të fillojmë fare të flasim sepse për të përshkruar dashurinë dhe urrejtjen, skenat dhe prapaskenat, intrigat dhe makinacionet do të na duhej Balzaku që të na shkruante e përshkruante “Komedinë Njerëzore të Demokracisë Shqiptare”. Kur analizojmë këro fakte nuk mund ta largojmë një mendim që na vjen si një vizion një realitet i frikshëm: Na dalin parasysh, monarkitë, shoqëritë e “larta” të asaj kohe. Ndodhte në atë kohë që përfaqësues të aristokracisë dilnin dhe merrnin fëmijë nga familjet e varfëra. Prindërve u jepej premtimi: “Do t’i mbajmë si të barabartë, do t’i rritim bashkë me fëmijët tanë”! Lumturoheshin prindërit e shkretë. Po fakt ish se këta fëmijë me të arritur në oboret mbretërore futeshin brenda fuçive dhe mbaheshin aty për vite të tëra. Ndërsa bashkëmoshatarët rriteshin, këta fëmijë të shkretë, që kishin ëndëruar një të ardhme të lumtur në oboret mbretërore nuk hidhnin shtat, nuk i lejonte fuçia ku i kishin futur. Pas shumë vitesh i nxirrin nga fuçia po tani ish tepër vonë: Trupi i tyre kish marrë formën e fuçisë. Tani dilte qartë përse i kishin marrë në oboret mbretërore: Për ti deformuar dhe për tu argëtuar me ta.
Falemnderit, NATO, falemnderit Europë që luftuat kundër gjenocidit të Millosheviçit.Ju jemi mirënjohës! Po kjo nuk j jep të drejtën ta mbani Kosovën përjetësisht brenda fuçisë së interesave të Sërbisë së Vuçiçit. Mjerisht politika perëndimore për shumë vite, edhe sot po bën pikërisht këtë gjë!
Po Shqipëria? Në kohën e Diktaturës kish industrinë, ushtërinë, institucionet kombëtare dhe gjithë srukturën shtetërore. Demokracia në vend të sillte ndërtimin e përmirësimin solli shkatërrimin: U shkatërrua qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar ushtria dhe arsenali i saj, u shkatërrua industria u shkatërruan institucionet…
Edhe sot pavarësisht retorikave zyrtare po shkatërrohet bujqësia, blektoria. Ujësjellsi i Himarës: Vërtet i padëmshëm apo projekt për shpopullimin e Kuçit dhe të gjithë zonës përreth? Etj, etj.
Shtrohet pyetja: Cili jeni ju zoti Soros? Cilat janë me të vërtetë planet dhe projektet tuaja?
Në çdo takim të kryetarëve të shteteve të ballkanit është i pranishëm Aleks Soros. Me çfarë statusi? Cilat janë me të vërtetë planet e vizionet e tija?
Enver Hoxha dikur ish i bindur se parimet e Marksizëm-Leninizmit duheshin ndjekur pikë për pikë. Ai deklaronte: “Ne shqiptarët jemi të gatshëm të hamë dhe bar dhe parimet nuk i shkelim”!
Edhe më i bindur dhe më i vendosur është Edi Rama të ndjekë pikë për pikë mësimet e “humanistit të madh George Soros”, siç e quan ai. Se cilat janë konkret këto mësime dhe çfarë do të hanë shqiptarët për hir të këtyre parimeve ende nuk dihet me saktësi.
Skllavëria e gjatë sjell me vete edhe shpirtin e skllavërisë dhe kompleksin e inferioritetit dhe të lirohesh nga shpirti i skllavërisë dhe nga kompleksi i inferioritetit është edhe më vështirë se sa të lirohesh nga një sistem politik diktatorial.
Po mjerisht pa u liruar nga shpirti i skllavërisë dhe nga kompleksi i inferioritetit mbetesh gjithmonë skllav kudo që të shkosh. Gjergj Kastrioti jo më kot tha: “Lirinë nuk ja u solla unë, lirinë unë e gjeta në mesin tuaj”!
Hapi i parë i domozdoshëm është gjithmonë çlirimi i mendjeve dhe zemrave.
Jo, në asnjë mënyrë ne nuk e nënvleftësojmë mdihmën e SHBA dhe të Bashkimit Europian. Në asnjë mënyrë ne as nuk duam të armiqësohemi me aleatët tanë dhe as nuk kërkojmë aleanca të tjera.
Ajo që kërkojmë është të trajtohemi si partnerë dhe jo si vasalë e qytetarë të dorës së dytë. Ajo që kërkojmë është që aleatët tanë të na trajtojnë ne sipas parimeve që ata kanë vendosur si themel të shteteve dhe shoqërive të tyre. Ajo që kërkojmë është që kur shohim se nuk trajtohemi nga aleatët tanë sipas këtyre parimeve të kemi guximin të flasim, të paraqitim faktet dhe ti quajmë gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Sistemi demokratik, përveç të mirave, ka dhe të metat e tij. Një nga të metat është se në një sistem e shtet demokratik ka dhe ekzistojnë rryma të ndryshme. Këto rryma të ndryshme i ndjejnë më fort aleatët e vegjël të periferisë, siç jemi ne. Mund të ndodhë që një rrymë e caktuar që vepron brenda një shteti apo aleance demokratike të ketë një piksynim dhe të dëshirojë të eksperimentojë e të aplikojë metoda krejt të kundërta me idealet themelore të vetë shtetit dhe aleancës. Ka jo pak persona që besojnë se Fondacion Soros kërkon të eksperimentojë, me Ballkanin, me kombin shqiptar. Po këta persona deklarojnë se kryeministri Edi Rama është i gatshëm ta kryejë çdo eksperiment që i serviret. Nuk mund ti komfirmojmë këto deklarata, nuk kemi faktet e mjaftueshme. Po nga ana tjetër të gjithë shohim disa sjellje, deklarata të çuditshme të aleatëve tanë. Shohim jo vetëm një heshtje të çuditshme ndaj fakteve të qarta e të pamohueshme por shohim edhe raste kur e mira quhet e keqe dhe dhe viktimat trajtohen si fajtorë kurse fajtorët përkëdhelen sikur ata të ishin viktimat. Kjo del më qartë në marëdhëniet me Sërbinë, po jo vetëm aty.Si të veprojmë? Të heshtim e të presim deri sa një ditë të pendohen vetë fajtorët dhe të veprojnë automatikisht aleatët, apo të protestojmë?. Sistemi demokratik, aleanca në të cilën bëjmë pjesë ka parimet e saja po ka edhe rrymat dhe zyrtarët e saj të korruptuar. Shpesh kjo aleancë vepron automatikisht drejt po ka raste kur duhet “zgjuar” me anë të protestave. Sido që të jetë në radhë të parë ne duhet ta çlirojmë vetveten nga shpirti i skllavërisë dhe nga komplekset e inferioritetit, ne duhet të kemi guximin të shpallim hapur të vërtetën. Le të mos harrojmë fjalët e heroit tonë Gjergj Kastrioti: “Lirinë nuk ja u solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj!” Kurrë nuk duhet të mendojmë se lirinë do të na e sjellin dhe do ta mbajnë gjallë midis nesh të tjerët.Liria paraprihet nga shpallja e së vërtetës. Gjoni 8:
32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”.