HASAN ÇEREPI DHE I ATI SALIH ÇEREPI, DY DËSHMORË NGA NJË DERË
(Në kuadër të 80 vjetorit të rënies së pionierit partizan Hasan Salih Çerepi (1927-14.3.1944), djaloshit të fshatit Zhulat që ra në përballje me nazifashistët pranë fshatit Senicë të Delvinës)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Salih Çerepi ishte djalë në qemal, me trup të lidhur, që koha e kishte trimëruar para kohe, një djalosh energjik që u burrërua para kohe dhe nuk mundi ta shijonte ditën e lirisë pasi rroku armën për ti dalë zot kombit dhe u bashkuan me formacionet luftarake partizane për lirinë e atdheut, edhe për të marrë hakun e babait. Lufta Nacionalçlirimtare e shqiptarëve parë në thellësinë e veprimeve të saj, ishte luftë pakompromos kundër pushtuesve, luftë politike dhe revolucion çlirimtar. Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i qëndroi besnik luftës patriotike nga fillimi e deri në çlirim. Fronti antifashist në Shqipëri dokumenton krijimin e 288 çeta, 96 batalione, 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata, një forcë njerëzore rreth 70 mijë luftëtarë. Gjaku i bijëve më të mirë të popullit i solli lirinë përfundimisht Shqipërisë së robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.
Gjatë LANÇ-it, që me të drejtë ky vit quhet viti i 80 vjetorit të çlirimit Shqipëria me luftën e saj hyri në histori, si fitimtare e luftës. Në këndshikimin e pas tetë dekadash, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë që vepronin në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sipas rrethanave historike para tetë dekadash kishin detyrën patriotike për të rrëmbyer armët kundër pushtuesive të huaj. Fondi i dokumentacionit historik është disa herë më i pasur se në vitet e luftës, që vijnë edhe nga institucione arkivore aleate dhe kundërshtare të saj. Edhe pse ka gati tre dekada që debatet e hapta dhe të ndezura ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it vazhdojnë shkenca historiografike, epokën e luftës partizane e ka pikë reference historike që ballafaqon epokat. LANÇ-i kur zhvishet nga tezat e ngjyrimet politike, ngelet pastërtisht një luftë e merituar e shqiptarëve fitimtarë të radhitur në krahun ruso-anglo-amerikan kundër bllokut të agresorëve fashistë gjermano-italo-japonezë.
Gjaku i të rënëve nuk matet as me numra e as me okë, si dhe “as me okë e as me kokë”. Gjaku është shpagimi solemn i lirisë, themeli i së vërtetës, ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Bijtë e kombit shqiptar, të mëdhenj e të vegjël u trupëzuan me gjak me tokën arbërore në mbrojtje të vatrave të tyre.
Në kthesat e rrugës së re pranë Senicës kanë rënë pesë trima do të përjetësohen në një memorial lavdie në portën e parë të Labërisë, në drejtimin Fushëvërri-Senicë-Qafa e Luvadhit–Skërficë në afërsi të zonës së Senicës. Pesë dëshmorët do të jenë roje të lirisë, të tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë, të sertë dhe të stërralltë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, përjetësisht në memorien e brezave. Ata do të jenë përjetësisht bashkë të çimentuar në truallin e tyre të gjithë bashkë në unitet krahinor si fshatrat të lidhur gjerdan supebashkuar, në një monument përjetësie të trimave: Hasan Çerepi (1927 – 1944), Karafil Bello (1902 – 1944), Sami Golemi (1907 – 1944), Sefer Meta (1916 – 1944), Skënder Pepiaj (1925 – 1944). Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë. Historia e shqiptarëve është histori mbijetese, përpjekje titanike për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri dhe mëvetësi, është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve të tij. Më mirë, më drejtë, më bindshëm se gjithçka flet gjaku i dëshmorëve të kombit shqiptar, flet historia e lavdisë shqiptare.
Biri i fshatit Zhulat dhe Labërinë e donte të lirë Shqipërinë nga çizmja e pushtimit
(Dëshmorit të Atdheut Hasan Salih Çerepi 1927-14.3.1944 me rastin e 80 vjetorit të rënies). Hasan Çerepi lindi në një familje me traditav me rrenjë të Zhulatit historik në vitin 1927. Traditat familjare dhe luftarake të fshatit Zhulat janë të mëdha. Fshatrat Fushëbardhë e Zhulat punonin bashkë, luftonin bashkë, mbronin vatrat e trojet e tyre bashkë. Jo më kot quheshin edhe Zhulati I tejmë dhe Zhulati i këtejmë. Bashkë ishin në kuvendet në Senicë, në Rrepet e Agait në Taroninë, në Cepo, në Shtëpëz dhe në çdo aktivitet tjetër atdhetar e patriotik. Arsimi fillor që mori Hasani nuk ishte i mjaftueshëm, por të tilla ishin rrethanat e kohës. Ai kishte lindur në një fshat me tradita të thella luftarake që të parët e tij të fisit Çerepi dhe të fiseve të tjera kishin luftuar në 1847 në luftën antitanzimat, në luftën kundër osmanëve me Zenel Gjolekën në Mal të Zi, në Manastir, Janinë, në Lëkurës, Delvinë, lufta antiandarte, e deri në LANÇ-in, ku gjaku u derdh lumë për mëmëdhenë. Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, si i gjithë fshatrat e Labërisë edhe Hasani e priti me urrejtje dhe kundërshtim të hapur. Në Zhulat, Fushëbardhë dhe gjithë krahinën, lajmi i pushtimit u përhap si rrufeja. Në këtë luftë u përfshi mbarë botën e qytetëruar, dhe nga fitorja e saj varet ekzistenca e kombit, prandaj përbashkimi i forcave mendore, shpirtërore e fizike, ishte në nderin e çdo shqiptari. Prandaj Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar për çlirim kombëtar dhe lirinë ishte dhe ngeli sa heroike aq edhe e rëndësisë së veçantë. Hasani djali i Zhulatit, që doli partizan që 16 vjeç, duke qenë ndër djemtë më aktivë të njësitit të fshatit Zhulat si dhe më gjerë të krahinës së Kardhiqit.
Hasani u lidh me lëvizjen nacionalçlirimtare sikundër edhe shokët e tij, Hamit Pula, Axhem Çela, Qemal Shabani, Hasan Çela etj., që janë sot dëshmorë të Zhulatit, Labërisë dhe të të gjithë Shqipërisë. Ai u betua se: “armën e hodha supit për Zhulatin tim dhe për Labërinë që të rrojë e lirë nga çizmja e pushtimit fashist”. Me idealin e lirisë luftoi trimërisht në të gjithë betejat për çlirim në jug të vendit, në Cepo dhe te Ura e Kardhiqit, në Gjirokastër e në Libohovë, në Lunxhëri dhe në zonën e krahinës së Rrëzomës e Delvinës. Por kur forcat partizane luftonin për marrjen e lartësive pranë fshatit Senicë të Delvinës në përleshje me forcat gjermane dhe bashkëpuntorët e tyre ra në krye të detyrës në një ndër sulmet për marrjen e fshatit Senicë duke ngelur përjetësisht në këngët, në kujtimet e popullit, në memorialët e lirisë dhe çlirimit të atdheut. Hasani ishte pjesë e armatës së luftëtarëve partizanë për çlirim, pjesë vitale e LANÇ-it, ku tashmë është katërcipërisht e vërtetuar dhe e gjithëpranuar se: “Partizanët dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare i siguroi çlirimin dhe pavarësinë e vendit”. Gjaku i Hasan Çerepit dhe bijëve dhe bijave të tjerë të Shqipërisë i sollën vendit lirinë dhe e integruan atë mes kombeve më të civilizuara dhe më dinjitoz të Europës dhe botës. Hasan Çerepi ishte pjesë e luftëtarëve shqiptarë, që sollën në skenën e historisë europiane vlerat e tyre të larta, që populli shqiptar shpalosi përmes LANÇ-it që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve, një nga faqet më të shkëlqyera që shkruan shqiptarët me luftën partizane në mes të shekullit të kaluar. Dëshmori Hasan Çerepi nuk ka pasur fotografi, por mjeshtri piktor Kosta Raka duke mësuar në detaje jetën e tij përmes një analize të detajuar të fotografisë së babait të Hasanit, realizoi mjeshtërisht skicë-foton e dëshmorit me tipare origjinale të fytyrës së të atit në 75 vjetorin e rënies së tij. Gjaku i djaloshit nga Zhulati vadit ende pemën e lirisë së kombit tonë. Ai tashmë ka hyrë në memorien e fshatit, krahinës, Labërisë dhe kombit shqiptar. Hasan Salih Çerepi është “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër, si dhe eshtrat prehen në varrezat e dëshmorëve. Në varrezat e dëshmorëve prehen edhe eshtrat e babait të tij Salihut, prandaj edhe babë e bir kanë ngelur flamur lirie në idealet për çlirim. Megjithatë edhe pse kanë kaluar tetë dekada ende mungon një memorial kujtese, por që kohët e fundit djemtë dëshmorë shndrohet në frymëzim brezash të përbashkuar në një memorial kujtese për pesë bijtë e Labërisë nga Fushëbardha, Zhulati, Golemi, Progonati si vlera e çmuar e vendnderimit të shenjtëruar të lavdisë dhe krenarisë si çdo komb i qytetëruar. Librat, encikolopeditë, monografitë, shkrimet nuk kanë munguar në tetë dekada por për të rënët për Atdhe, nderimi, respekti dhe mirënjohja është gjithmonë pak.
Bibliografia: Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA); DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944; Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991; Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012; Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011; Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992; Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Gjirokastrës; Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët; Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm; Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake”; Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ; Publikime të portaleve shqiptare Albspirit, Balkanweb etj.
–