Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Shembuj për të mos vrarë

 

Një shqiponjë u ul në një shkëmb të lartë, duke parë lëvizjet e një lepuri, të cilin kërkonte ta bënte pre. Një shigjetar, i cili e pa nga një vend i fshehtë, e qëlloi dhe e plagosi për vdekje. Shqiponja i hodhi një vështrim shigjetës që i kishte hyrë në zemër; ajo ishte bërë nga pendët e e saj. “Është pikëllim i dyfishtë për mua”, tha ajo, “të vdes nga një shigjetë e bërë nga krahët e mi”. Kështu ka qenë Shqipëria, dje dhe sot, e goditur nga bijtë e vet.
***
Një bletë, mbretëresha e kosheres, u ngjit në majë të malit për t’i dhuruar Zotit pak mjaltë të freskët të saj. Zoti, i kënaqur me ofertën, i premtoi se do t’i jepte gjithçka që do të kërkonte. Bleta iu lut: “Më jep një thumb, që nëse ndonjë njeri afrohet për të marrë mjaltin, unë mund ta vras”.
Jupiteri ishte shumë i pakënaqur, sepse e donte racën njerëzore, por nuk mund t’ia refuzonte kërkesën bletës për shkak të premtimit të tij. Ai iu përgjigj: “Ti do ta kesh kërkesën tënde, por do të jetë me rrezik për jetën. Sepse, nëse e përdor thumbin, ai do të mbetet në plagën që i ke hapur tjetrit, dhe pastaj ti do të vdesësh”.
Dëshirat e liga, kthehen e të vrasin ty. Atë që kërkoni t’ia bëni të tjetrit, ia bëni vetes. Historia ka nga të gjitha shembujt. Mësoni, që të mos i përsërisni.
Please follow and like us: