Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Do anulojmë koncesionin e Rrugës së Kombit 

“Koncesioni i  Rrugës së Kombit do të anulohet sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet”. Këtë theksoi gjatë një deklarate për median nga selia blu, deputetja demokrate Jorida Tabaku. Sipas saj, “Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit”.

“10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit.

5 euro në vajtje e 5 euro në kthim.

Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 për qind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët.

Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën.

Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët!

Një aferë e pastër me miliona euro çdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro çdo vit që do të japë shteti.

Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shterruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare.

Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anulojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre”, – tha gjatë deklaratës së saj, deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Please follow and like us: