Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Mendimet e fshehura të një fytyre prej lideri!

Maska nuk është send, por ndjenjë. Kjo ndjenjë lind nga nevoja dhe dëshira e atij individi që kërkon të fshehë e të mos duket, të manipulojë e të mos tregojë.
Maska vërtet mbulon dhe fsheh, por kur hiqet, vendin e saj e zë realiteti, i cili shfaq jo atë që ka mbetur, por atë që ka ekzistuar.
Maska nuk përdoret nga ekskluzivë, por është e përdorshme sipas dëshirës dhe nevojës për t’i shërbyer çdo individi që fshehjen e përdor si armë për t’u mbrojtur dhe për të sulmuar, thënë në gjuhë retorike, nevojë manipulimi.
Nevoja për përdorimin e saj nuk ka efekt kohor, por koha shënon përdorimin e saj si gjurmë, e cila nuk fshihet por mbetet si dëshmi që i vlen përdoruesit të maskës.
Maska nuk është fytyrë, por bëhet fytyrë. Maska nuk është shprehje ,por bëhet shprehje. Maska nuk flet, por flet nëpërmjet pamjes së saj. Maska nuk lind me njeriun, por njeriu e përdor maskën nga ngacmimi i vesit.
Çdo njeri është lider në jetën e tij, çdo njeri ndjen nevojën për të kontrolluar veten, e në këtë mënyrë bën bilancin e veprimeve, sjelljeve e me rradhë.
Të jesh lider në jetë do të thotë të udhëheqësh sipas disa parimeve të cilat nëse nuk janë të shëndetshme nuk prodhojnë fryt të shëndetshëm.
Lider i vetvetes quhet ai njeri që kontrollon të tjerët por jo veten, që barazon veten kur duhet të peshojë më parë ngarkesën që prodhon, që përdor maskë përpara njeriut që nuk e njeh maskën.
Lider i vetvetes quhet ai njeri që kërkon më shumë nga çfarë i takon, që mbjell në tokë shterpë e kërkon të vjelë për të mbushur hambarë me foleza minjsh.
Higjena e mendjes nuk mbahet e pastër kur nuk pastrohet. Ujët e burimit nuk shterron, por njeriu e ka humbur rrugën që të shpie tek ky burim!
Mendja e njeriut nuk është as e trashë dhe as e hollë, e për çudi themi mendjetrashë ose mendjehollë. Mençuria e njeriut nuk matet me metër, por kur njeriu në vullnet të lirë përvetëson dhe ushqehet me dijen që dhurohet falas për të gjithë, atëherë quhet mendjendritur, se rrezet e dijes të zbukurojnë e nuk të shëmtojnë. E kundërta ndodh me ata vullnetpakë që dështojnë në dhurimin e vullnetit dhe në përvetësimin e dijes. Ata ushqehen me mbeturina të paaftësisë, e kësisoj quhen dembelë dhe parazitë në shërbim të padijes.
Sado i lartë të jetë mali ka udhë dhe shtigje për të mbërritur në majë. Këto udhë e shtigje bëhen të njohura nëpërmjet dijes, e cila të forcon muskuj për t’u ngjitur e për të zbritur pa patur frikë nga vështirësitë.
Njeriu nuk mund t’i ngjitet malit me maskë, pasi humbja e shikimit të ngatërron udhën!
Rrëzimi i qorrit është mësim për të drejtin, e i drejti bëhet mësim për çdo qorr që e humb shikimin nga padija!
15 korrik 2024.
Please follow and like us: