Dr. Vlora Obertinca: Dëshira e heshtur brenda nesh
“Duke e luftuar dëshirën e heshtur brenda nesh, ne e luftojmë pasionin. Duke e luftuar pasionin e shuajm dashurinë, e duke e shuar dashurinë e shuajmë edhe jetën”. – Dr.sci. Vlora Obertinca
Kur vijmë në këtë jetë mendojmë se këtu do jemi gjithmonë andaj, edhe gjatë rrugëtimit lindin shumë dëshira, e nganjëherë disa i lëmë në heshtje edhe pse i dëshirojmë shumë.
Kur dëshira e heshtur, prej një pike bëhet lum, prej lumit det, e prej detit oqean, shëndërrohet në vuajtje, e prej vuajtjes në sëmundje, e prej sëmundjes në vdekje të ngadalshme e të dhimbshme.
Vallë pyesim ne, a kemi ardhur në këtë jetë të vuajmë apo ta shijojmë atë? Në fund të ditës të gjithë ata për të cilët bëmë sakrifica, vazhdojnë rrugëtimin e tyre sepse ata e kanë kuptuar para nesh se e kanë vetëm një jetë për të jetuar, andaj edhe i ndjekin dhe i realizojnë ëndërrat e tyre. Po ku mbetem ne në tërë këtë udhëtim, pyesim veten?!
Të dashurit e mi, mos i leni ëndërrat dhe dëshirat tuaja të heshtura sepse minutat e jetës janë të numëruara. Ju dhe vetëm ju mund t’i realizoni ato dhe ta gëzoni çdo moment të jetës suaj. Besoni në vetvete dhe merrni vendimet e duhura duke e dëgjuar zërin tuaj të brendshëm.
Filloni sot!
Please follow and like us: