Cikël poetik nga Avdush Canaj
PIKTUROJMË NË VARGJE
Ti mbledh ëndrrat
e luleve
unë cicërimat
e pemëve
bashkë i pikturojmë
në vargje
me lapsin
e gushëkuqit
t’ua lexojmë
fluturave
në tangon e mëngjesit.
E KARAMELTA
Ti s‘ke lindur në spital,
sigurisht
në fabrikën e çokollatave
të ka gjetur mami ty,
prandaj je e ëmbël,
krejt ëmbëlake,
e karamelta ime!
PJESHKËT
Nganjëherë
edhe pjeshkët gabojnë
kur i bëjnë detyrat
Gabimet
i kanë të ëmbëla
si buzëqeshja e qerpikëve
Dielli s’ua ul notën
në ditarin e degës.
NË SYTË E TU
Në sytë e tu
prej deti
lundrojnë
përditë
anijet me përqafime.
Please follow and like us: