Albspirit

Media/News/Publishing

Trupat ukrainase hyjnë thellë në Rusi: Po çojmë luftën tek agresorët

Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për zjarrin që shpërtheu në centralin gjigand bërthamor të Zaporizhias të dielën.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse kishin shkaktuar zjarrin në centralin e pushtuar nga forcat e Moskës për më shumë se dy vite.

Por guvernatori i instaluar nga Rusia në Zaporizhia pretendon se janë bombardimet ukrainase që kanë shkaktuar zjarrin.

“Pushtuesit rusë nisën një zjarr në territorin e centralit bërthamor të Zaporizhias. Aktualisht treguesit e rrezatimit janë normalë, por për sa kohë që terroristët rusë ruajnë kontrollin e centralit, situata nuk mund të jetë normale”, tha presidenti Volodymir Zelenski.

Sipas raportimeve flakët përfshinë kullat e ftohjes së centralit. Agjencia Ndërkombëtare për energjinë bërthamore tha se kishte evidentuar kolona të mëdha tymi të dilnin nga kompleksi, por se deri më tani nuk kishte raportim për ndikimin në sigurinë bërthamore.

Zhvillimi vjen teksa trupat Ukrainase avancuan 30 km në thellësi të territorit rus, në inkursionin më të madh e më të rëndësishëm që kur Moska nisi luftën e plotë në shkurt të 2022.

Të dielën, presidenti Zelensky pranoi për herë të parë se ushtria po ndërmerr një ofensivë ndërkufitare brenda Rusisë, në rajonin e Kursk.

Në një mesazh të postuar gjatë natës, Zelensky tha se Ukraina po e çonte luftën në territorin e agresorit.

Sakaq, një zyrtar i lartë në Kiev tha për agjencinë e lajmeve AFP se mijëra trupa ishin angazhuar në operacion, më shumë nga sa ishte raportuar fillimisht nga rojet kufitare të Moskës.

Moska nuk ja ka dalë deri më tani të ndalë inkursionin e nisur të martën me më shumë se 76 mijë njerëz që janë evakuuar nga rajoni i Kursk ku është shpallur gjithashtu gjendja e emergjencës.

Please follow and like us: