Albspirit

Media/News/Publishing

Andis Gjoni: HISTORI E ANËS PERËNDIMORE “WEST SIDE STORY”

20 vjet nga muzikali i parë në skenën shqiptare.

 

Për herë të parë në historinë e skenës shqiptare u realizua një muzikal në skenën e TKOB me rastin e ditës së pavarësisë së SHBA në 4 Korrik 2004. Muzikali i parë do ishte “Histori e anës perëndimore” (në anglisht: “West Side Story”). Është një nga muzikalet më të bukur të krijuara ndonjëherë me muzikën e Leonard Bërnshtainit, me tekst të Stefën Sond’haimit bazuar mbi libretin e Arthur Lorensit. Muzika dhe libreti i kësaj kryevepre të teatrit amerikan paraqet jetën njujorkeze dhe rivalitetin e dy bandave të të rinjve me etni të ndryshme, nga njëra anë portorikanët e sapoardhur në SHBA dhe nga ana tjetër të rinjtë vendas e të bardhë. Historia është bazuar në tragjedinë e Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta” dhe, megjithëse tema është tragjike ajo shoqërohet nga një muzikë shumë e bukur e krijuar nga Bërnshtaini, duke evidentuar karakteret e ndryshme të kohës dhe duke shprehur idilin e dashurisë së dy të rinjve protagonistë që mundohen të kapërcejnë kohën duke u përballur me problemet sociale të shoqërisë amerikane të atyre viteve.

Iniciativa e realizimit të këtij muzikali ishte e drejtorit të atëhershëm të TKOB-së, muzikantit dhe personalitetit të kulturës shqiptare z. Zhani Ciko i cili ftoi për vënien në skenë të këtij muzikali regjisoren Nenci Rhods, dirigjentin Xhon Jafe, koreografin Xhastin Shervud si dhe skenografin Andis Gjoni. Fjalët u shqipëruan nga mjeshtri i përkthimit Adrian Klosi.

Në atë produksion do të krijohej një miqësi dhe bashkëpunim që vazhdon edhe sot e kësaj dite midis meje dhe shumë artistëve pjesëmarrës, teknikëve të skenës, regjisores Nenci Rhods, e cila kishte një eksperiencë të madhe në opera dhe në teatër. Ajo ishte shumë kërkuese dhe punonte me seriozitet të madh. Prej punës me të mësova shumë. Muzikali ishte një gjini a panjohur për artistët shqiptarë që do interpretonin në skenë dhe kjo paraqiste vështirësi. Po ashtu edhe koha e kufizuar që na ishte vënë në dispozicion prej vetëm tre javësh ishte e pamjaftueshme, po të kemi parasysh se spektakle të përmasave të tilla kërkonin një kohë më të gjatë. Megjithatë pasioni dhe dedikimi me të cilin iu kushtuam këtij realizimi të parë do bënin që në fund të dilte një shfaqje e bukur.

Ideja ime dhe frymëzimi kryesor për skenat ishte sjellja e një pjesëze të Nju Jorkut përpara syve të spektatorit shqiptar. Doja të përçoja atë emocion që ndjen njeriu kur viziton këtë metropol të Botës, këtë vend ku puqen me qindra kultura dhe ku sigurisht ka përplasje dhe bashkim në të njëjtën kohë. Këto kontraste u mundova t’i pasqyroj edhe në skenë. Sfondin e konceptova si një pamje të konturit të qytetit me qiellgërvishtësit me drita në momentet e muzgut të mbrëmjes, sfond që mendova ta shfrytëzoj edhe për skenat e dashurisë mes dy personazheve kryesorë, duke krijuar një atmosferë idilike. Nuk mungonin në këtë vizion edhe shkallët karakteristike të zjarrit që janë pjesë e të gjitha ndërtesave në Nju Jork dhe që duhej të ishin funksionale, pasi këngëtari italian Alesandro Rinela që interpretonte rolin e djaloshit Tony duhej të ngjitej e zbriste nëpër to.

Ekipi me regjisoren Nenci Rhods, dirigjentin Xhon Jafe, koreografin Xhastin Shervud dhe unë si skenograf diskutonim gjithë kohës për projektin, shkëmbenim ide, jepnim zgjidhje për elementë të ndryshme të spektaklit. Gjatë atyre bisedave mësoja shumë. Një ditë dirigjenti më tha: “Muzikali është prova e zjarrit për një skenograf dhe nëse arrin ta kalosh me sukses, bëhesh i denjë për çdo skenë”. Ishin fjalë të vërteta. Muzikali është një gjini shumë e veçantë, në të ndërthuren muzika, kënga, aktrimi, baleti. Ka një ritëm të shpejtë që reflektohet edhe në ndërrimin e skenave të cilat duhet të jenë në një hap me gjithë ritmin e shfaqjes. “Histori e anës perëndimore” kishte 8 skena kryesore dhe 16 ndërrime skenash dhe kjo paraqiste vështirësi pasi punonjësit e skenës në Tiranë nuk ishin mësuar me një numër kaq të madh skenash për një shfaqje, e veçanërisht me ndërrimin e skenave në mënyrë aq të shpejtë. Ata sot e kësaj ditë kujtojnë vështirësinë e realizimit të kësaj shfaqjeje, ku u desh të pëdoreshin shtanga dhe kundraspesha deri në disa kuintalë që të mund të ngriheshin lart objektet skenike. Megjithatë gjithçka shkoi mirë falë përkushtimit të të gjithë stafit realizues. Shfaqja u prit mirë nga publiku dhe kritika nuk i kurseu lavdërimet për të gjithë pjesëmarrësit e shfaqjes. Regjisorja Rhods u shreh për mua: “një artist i thellësive, një artist që krijon menjëherë kontaktin me publikun”.

Jam krenar që isha pjesë e ekipit realizues të muzikalit të parë në skenën shqiptare.

Po e përmbyll me një fjali domethënëse që e kam thënë në një nga intervistat në ato vite:

“Skena është një botë magjike, ku secili do të futet dhe të bëhet pjesë, është detyra e skenografit dhe regjisorit që t’i ftojë shikuesit në këtë botë magjike me anë të krijimit të atmosferës skenike dhe një spektakli tërheqës”.

Please follow and like us: