Para, makina dhe aksione në disa kompani, SPAK sekuestron pasuritë e Ilir Beqajt
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të hetimeve që po kryen për procedimin penal nr. 190, të vitit 2023, lidhur me veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, parashikuar nga nenet 143//2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë që iu përkasin personave nën hetim, të cilat përbëjnë produkt të veprës penale/ apo në vlerën ekuivalente të tyre.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:
1. 14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
2. 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
3. 42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim;
4. Sekuestro preventive mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k..
5. Sekuestro preventive mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale.
Pasurimi i shpejtë i Ilir Beqjes
Deputeti i PS, Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë në mandatin e parë të qeverisë “Rama” deklaron pasuri familjare me vlerë rreth 80 milionë lekë, duke shënuar 6-fishim të saj nga deklarimi i parë në vitin 2003 deri në fund të vitit 2018. Ilir Beqja u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe qëndroi në detyrë përgjatë një mandati. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Beqaj u zëvendësua nga ministrja aktuale, Ogerta Manastirliu. Ilir Beqja është diplomuar për Informatikë në vitin 1990 në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje në Institutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Politeknik Tiranë. Në vitet 1990 – 1994, Beqaj ka punuar në Bankën e Shqipërisë, ndërsa gjatë viteve 2003-2006 ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Prej vitit 2007 ai është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe prej vitit 2009, deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit Ilir Beqaj nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020. Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Ilir Beqaj zotëronte pasuri me vlerë 12.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është 6-fishuar duke kapur vlerën e gati 80 milionë lekëve. Z.Beqja deklaron familjarisht likujditete bankare me vlerë 46.9 milionë lekë, pasuri të patundshme me vlerë 29.3 milionë lekë, automjete me vlerë 3.3 milionë lekë dhe pjesë në kapital me vlerë 95,9 mijë lekë. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 151.6 milionë lekë, ku burimi kryesor ka qenë kompania Intech+. Z.Beqja ka siguruar përmes kompanisë të ardhura në masën 27% të totalit, ndërsa nga shitja e aksioneve ka siguruar të ardhura në masën 12%. Ndërkohë, rreth 14% e të ardhurave kanë si burim pagën e Z.Beqaj, 29% pagat e familjarëve dhe rreth 5% të tjera burojnë nga qiratë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi një sëri “flamujsh të kuq”, të cilët lidhen me aksionet në kompaninë Intech+, detyrimet për blerjen e një apartamenti si dhe një hua të marrë sërish nga kompania e biznesit.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, subjekti Ilir Beqja deklaron se zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë tregtare Intech+, me vlerë 51,000 lekë. Kur rideklaron pasurinë nga e para në vitin 2010, pas një shkëputjeje rreth 4 vjeçare, z.Beqaj saktëson se vlera e aksioneve në Intech + është rritur në 11,220,000 lekë me burim rikapitalizimin e fitimeve ndër vite, ndonëse nuk është e qartë se sa nga fitimet janë tërhequr dhe sa janë rikapitalizuar. Zoti Beqaj i ka shitur aksionet në vitin 2013 me çmim 18,360,000 lekë, me pagesa të realizuara përkatësisht: 1,000,000 lekë (2014), 10,000,000 lekë (2015) dhe 7,300,000 lekë (2017).
Gjatë viteve që ka zotëruar aksione në kompaninë Intech+, Z.Beqja ka qenë njëkohësisht zyrtar publik, duke mbajtur pozicionet e drejtorit të ISSH dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht kufizimeve të ligjit për konfliktin e interesit.
Në vitin 2004, Z. Beqja ka deklaruar një apartament banimi me sip 147 m2, me çmim 77,760 USD në bashkëpronësi, por ka paguar vetëm 32,000 USD. Në vitin 2006, ai deklaron si detyrim ndaj shoqërisë së ndërtimit shumën 6,350 USD, pa shpjeguar se kur është shlyer pjesa tjetër e detyrimit prej 39,410 USD.
Ndërsa në deklarimin periodik/vjetor 2005 është deklaruar një hua nga shoqëria Intech+ prej 2,000,000 lekësh, e cila mbahet në llogari bankare në emër të bashkëshortes. Në vitet në vijim, nuk deklarohet nëse kjo hua i është kthyer shoqërisë apo jo./BIRN/