Corriere della Sera: Një restorant me emrin e Melonit në Shqipëri
Ndoshta sepse është mik i kryeministrit Edi Rama, mik i Giorgia Melonit. Ndoshta sepse i është mirënjohës për impulset e dhëna për reformën e pensioneve, siç thotë vetë ai, shkruan Valentina Santarpia për gazetën e njohur italiane ‘’Corriere della Sera’’.
‘’Por, Gjergj Luca, një sipërmarrës shqiptar, ka vendosur t’i kushtojë një nga restorantet e tij Melonit dhe ka mbuluar muret e restorantit me foto të kryeministres italiane, duke shkaktuar komente të shumta në Instagram, në llogarinë crazyitalianpol që ka publikuar lajmin.
“Për mua ajo është një grua e jashtëzakonshme”, shpjegon ai.
Restoranti ndodhet në qytetin e Shëngjinit dhe është një iniciativë e sipërmarrësit shqiptar, Gjergj Luca i cili ndër të tjera falënderon kryeministren për rolin e saj në ndihmën e 500 mijë shqiptarëve, të cilët do të përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve.
Restoranti “Meloni” ka dhjetëra piktura në mure që portretizojnë lideren e FDI-së, që nga hapat e saj të parë në politikë e deri te ”Palazzo Chigi”.
Vetëm në korridorin që të çon në tualet ndryshon peizazhi, pasi këtu ka portrete të politikanëve të tjerë, nga Barack Obama te Benjamin Netanyahu.
Gjergj e sheh lokalin si një falënderim për ”kontributin e ofruar për komunitetin shqiptar” nga kryeministrja italiana.
Në fakt, për sipërmarrësin, Meloni luajti një rol vendimtar për të ndihmuar rreth 500 000 shqiptarë të merrnin pensionin e tyre, një synim që shumëkush konsiderohet i pamundur.
Në këtë restorant pritet të performojnë live muzikantë italo-shqiptarë e shumë të tjerë.
Menuja? Vetëm peshk, por si në të gjitha vendet e tjera të zonës./atsh