Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Demiraj: Dalja e ‘kërmë-gazetarit’, punonjës në Televizionin Publik Shqiptar

Personalisht si shqiptar dënoj me ashpërsinë më të madhe shfaqjen e turpshme ditën e djeshme në Televizionin ‘Euronews’, kjo pa asnjë lidhje me televizionin në fjalë dhe gazetarin. Dalja e ‘kërmë gazetarit’ të sportit Ervin Baku, punonjës në Televizionin Publik Shqiptar gjatë një intervistë televizive me bluzën në të cilën gjendet flamuri i Sërbisë, paturpësisht dhe pa e fshehur aspak këtë veprim, është një ngjarje sa e turpshme, shumë e rrezikshme dhe e papranueshme në kushtet dhe në situatën aktuale politike.

Kjo për faktin se Serbia nuk është as Franca dhe as Gjermania, të cilat edhe pse gjatë gjithë historisë kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, përsëri kanë lënë mënjanë dallimet, bashkëpunojnë ngushtë dhe sot janë dy vendet më të fuqishme ekonomike dhe demokratike në BE.

Serbia për dekada me radhë në të gjitha fushat, nuk ka lënë aktor, faktor, organizatë ndërkombëtare, aktivitete ndërkombëtare, aleanca politike, ushtarake, fetare, etj pa shfrytëzuar për të dëmtuar me të gjitha format Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e saj të integrimit europian, në shumë raste edhe duke planifikuar, financuar, mbështetur, stërvitur, drejtuar deri edhe sulme terroriste kundër saj si një rastin e Banjës në shtator të vitit 2023.

Shkurtimisht do të përpiqem ta argumentoj sa më lartë, dhe me këtë rast në parantezë dua tju bëj me dije se ky status nuk ka aspak lidhje me përpjekjen për tu dukur patriot i madh, pasi kjo është diçka që nuk ka lidhje me rastin dhe unë besoj se patriotizmi nuk bëhet as me fjalë dhe në FB, por bëhet me zemër dhe dashuri ndaj Kombit Shqiptar, gjë të cilën ne ushtarakët e kemi dëshmuar më shumë se askush tjetër deri më sot.

Nuk ka dyshim që këto 34 vite Serbia, Federata Ruse, Greqia por jo vetëm kanë investuar pa masë në të gjithë fushat si në fushën politike, ekonomike, diplomatike, akademike, informative, të biznesit por në mënyrë të veçantë në privatizimin e mediave Shqiptare, nëpërmjet financimit të një pjesë të madhe të personave dhe ‘haleistëve të gjithëditur’, me qëllim mbështetjen e axhendave të tyre kombëtare që në shumë raste bien ndesh me interesin tonë kombëtar, por edhe në përgatitjen e opinion publik për ngjarjet dhe ndryshimet e mëdha gjeopolitike që na presin së shpejti edhe në Ballkanin Perëndimor.

Deri dje (1991-2024), të gjitha këto aktivitetet dhe veprimtaritë anti shqiptare janë bërë tinëzisht, në fshehtësi, duke ndjekur doktrinat e tyre të mbrapshta por gjithmonë duke i justifikuar me shprehjet si: në kuadrin e ‘marëdhënieve të fqinjësisë të mirë, të bashkëpunimit për rritjen ekonomike, të integrimit Euro-Atlantik’ në shumë raste duke na kondicionuar qëndrimet dhe vendimet e politikës tonë.

Rasti i ‘kërmë-gazetarit’, është rast që nuk mund të shkojë pa u denoncuar dhe pa u dënuar me forcë nga i gjithë opinion publik, pasi ky nuk është një veprim padashje, por është një provokim për të testuar reagimin qytetar. Gjithmonë pas këtyre ‘testimeve’ qëndrojnë plane edhe më djallëzore.

Më duhet t’i kujtoj kujtdo që ka harruar spastrimet etnike serbe të shekullit të kaluar, pushtimin e vazhdueshëm të territoreve tona kombëtare, genocidin kundër qytetarëve tanë, vrasjet masive, përdhunimet, vjedhjet e pronës publike, private në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 dhe vazhdimin e provokimeve me të gjitha format.

Të gjithë së bashku e kemi obligim që të nderojmë dhe mbrojmë gjakun e derdhur për liri dhe pavarësi nga çlirimtarët tanë. Për rrjedhojë ju bëj thirrje si asnjëherë më parë, bëjeni share sa më shumë këtë mesazh kudo në Shqipëri, Dardani, Republikën e Maqedonisë, Malin e Zi, Greqi, Europë dhe SHBA në mënyrë që kërmat dhe shërbëtorët e Serbisë, jo vetëm që të mos guxojnë të na provokojnë, por ta kuptojnë se po e mbushën kupën do të përballen me të gjithë zemërimin kombëtar të bashkëkombasve tanë.

Please follow and like us: