Rreziqet dhe kërcënimet nga shërbimet sekrete të Kinës
Dr. Dritan Demiraj
Një nga elementët e rëndësishëm, përveç shumë të tjerave të cilat i kemi analizuar gjatë shkrimeve të kaluara, në pjesën e luftës tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës duke i përkeqësuar këto marëdhënie në nivelet më të ulëta historike, janë kërkesat e vazhdueshme të drejta të Washingtonit që Kina të ndalojë vjedhjen e pronësisë intelektuale të sekreteve teknologjike, ushtarake dhe ekonomike të SHBA-ve. Kina në të gjitha rastet i ka mohuar këto akuza shumë të vërteta, ku më shumë se 100 raste të hetimeve dhe dënimeve të realizuara në SHBA nga FBI-ja vërtetojnë të kundërtën. Aktivitetet dhe operacionet e fshehta të agjensive inteligjente të Kinës janë duke ndryshuar balancën e fuqisë në botë, duke krijuar një impakt negativ në ekonominë amerikane dhe të vendeve të tjera të huaja, duke krijuar sfida në rritje për agjensitë e brendshme të sigurisë, sigurinë kombëtare dhe politikën e huaj të këtyre vendeve.
Shkelja e ligjeve të një vendi të caktuar, është praktikë e zakonshme e botës të spiunazhit. Gjatë gjithë kohës, një shërbim i caktuar sekret ekzekuton operacione spiunazhi kundër një vendi tjetër, nëpërmjet shkeljes të ligjeve të atij vendi, këtu mund të përmendim edhe shërbimet kryesore inteligjente ruse jashtë vendit të tyre. Ndryshimi i aktivitetit të agjensive amerikane, është se shumë vende të tjera realizojnë operacione inteligjence për të përcaktuar dhe kundërshtuar vjedhjen e teknologjive të tyre ushtarake dhe të industrisë të avancuar, në mënyrë që ato të mos përdoren kundër kombit amerikan, forcave të tyre të armatosura dhe sigurisë së tyre kombëtare. Krejtësisht ndryshe nga kjo qasje, aktivitetet e shërbimeve inteligjente të Kinës kanë objektiv kryesor zhvillimin sa më të shpejtë të ekonomisë dhe të forcave të tyre të armatosura, nëpërmjet vjedhjes dhe trasferimit të teknologjisë të avancuar perëndimore në vendin e tyre.
Me qëllim avancimin sa më të shpejtë të ekonomisë, industrisë, teknologjisë dhe modernizimin e forcave të armatosura me armët më moderne të kohës, gjatë 20 viteve të fundit të gjitha strukturat e Republikës Popullore të Kinës qofshin ato shtetërore, private por edhe agjensitë e inteligjencës janë përqëndruar në ‘vjedhjen’ e sa më shumë projekteve shkencore nga Federata Ruse, Japonia, Korea e Jugut, vendet e BE-së dhe veçanërisht nga SHBA-të.
Sigurimi i teknologjisë moderne ka qënë prioritet kombëtar që nga koha e Mao Ce Dun-it, ushtria e të cilit ishte krejtësisht e varur nga Bashkimi Sovjetik. Por kërkesa për avancimin teknologjik të Kinës u rrit shumë gjatë kohës së liderit vizionar të Kinës Ten Hsiao Pin-it. Nën drejtimin e presidentit Xi Jinping, fokusi në këtë drejtim u rrit aq shumë sa në vitin 2015 ai miratoi planin kombëtar të quajtur: ‘Made in China 2025’, i cili konsistonte në një plan 10 vjeçar industrial. Objektivi i këtij plani është që të ketë efekte përtej vitit 2025, pra duke e kodifikuar si: ‘Një strategji të transformimit të Kinës në një fuqi moderne prodhuese deri në vitin 2049 në botë’. Viti 2049 është përcaktuar si kufiri i fundit të këtij objektivi, për shkak se Republika Popullore e Kinës atë vit do të festojë 100 vjetorin e krijimit të saj. Por duhet thënë se tashmë edhe pse jemi në mes të vitit 2024, Kina në fushën e teknologjisë të avancuar ka arritur një sukses të paimagjinueshëm nga askush më parë.
Në ditët e sotme, Kina është vendi me teknologjinë më të avancuar të survejimit në botë, me një numër kamerash në dispozicion për të monitoruar shtetasit e saj dhe të huaj më shumë se 1.1 miliardë. Të gjitha këto kamera janë të afta të dallojnë fytyrat e shtetasve nëpërmjet përdorimit të teknologjisë të ‘Inteligjencës Artificiale’ (AI). Kina ka sot në dispozicion superkompjuterin më të shpejtë në botë, tunelin supersonik të erës më të fuqishëm në botë dhe sistemin e parë me inkriptim kuantik të komunikimit satelitor në botë. Kina në vitin 2010 e kaloi SHBA-në si fuqia më e madhe prodhuese në planet. Pra në këtë realitet, Kina ka shumë mundësi të avancojë edhe më shumë deri në vitin 2025 dhe 20 vite më vonë unë besoj se me këtë ritëm avancimi ajo mund të jetë superfuqi teknologjike e shekullit të XXI-të.
Lista e planit për të realizuar prioritetet e Kinës janë: Përmirësimi i prodhimit dhe i novacionit, integrimi më i mirë i industrisë dhe i teknologjisë, forcimi i bazës industriale, forcimi i emrave dhe firmave kineze në botë, rritja e prodhimit të automjeteve që përdorin energji ‘green’, primovimi i shpikjeve dhe i invacionit në vend.
Realizimi i këtyre objektivave nuk është aspak i lehtë, pasi pavarësisht faktit se industria dhe teknologjia kineze janë zhvilluar shumë, përsëri kompanitë japoneze, amerikane, gjermane, franceze, korano jugore, ruse, etj në disa fusha janë përpara. Për këtë qëllim, Kina është hedhur në ‘sulm’ për të ‘siguruar’ me çdo formë informacione dhe teknologji nga gjithë kompanitë kudo nëpër botë. Në momentin kur Kina të arrijë objektivin e saj dhe të bëhet vend lider për teknologjinë, atëherë makinat e saj bujqësore, pajisjet mjekësore, anijet e mëdha të transportit detar dhe portet në të cilat ato udhëtojnë në bashkëpunim me ekonominë e saj e cila do të jetë më e fuqishmja në botë, do të influencojë në kontrollin gjeopolitik dhe gjeoekonomik global.
Fakti që një numër kaq i madh i aktiviteteve të spiunazhit kinez ka lidhje me realizimin e objektivit kombëtar “Made in China 2025” dhe me teknologjitë kryesore, tregojnë qartë udhëzimet e Partisë Komuniste për të intensifikuar përpjekjet për grumbullimin e teknologjisë nëpërmjet spiunazhit. Në shtesë mund të përmendim edhe vjedhjet në fushën e ‘Teknologjisë Informative’ me 150 raste në Luginën Silicon në veri të Kalifornias, më shumë se 140 raste në shtetet amerikane të Masachusets-it, Michigan-it, New York-ut, Pensilvanias, New Jerseyt, Texas-it dhe Floridas.
Në këtë këndvështrim, zyra e BE-së e cila është përgjegjëse për ‘Vjedhjet Intelektuale’ ka deklaruar se 63 për qind e vjedhjeve të përgjithshme në këtë fushë gjatë viteve 2013-2016 janë bërë nga agjensitë, kompanitë, individë ose shërbimet inteligjente të Kinës. Në SHBA, sipas Raportit të Komisionit të ‘‘Vjedhjeve Intelektuale & Shkencore’ për vitin 2017, më shumë se 70 për qind e vjedhjeve teknologjike i përket agjensive të Kinës. Në rast se në këtë investigim futet edhe Hong Kongu, atëherë ajo shkon në 87 për qind.
Në vitin 2019, kostot financiare vjetore të ‘‘Vjedhjeve Intelektuale & Shkencore’ nga Kina shkojnë në shumën 600 miliardë dollarë për ekonominë botërore, ndërsa humbjet vjetore të SHBA-ve nga Kina si pasojë e ‘‘Vjedhjeve Intelektuale, Shkencore dhe IP-ve’ janë 360 miliardë dollarë.
Në gjykimin tim, në ditët e sotme Republika Popullore e Kinës paraqet një nga rreziqet më të mëdha për sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Këtë e përforcon edhe fakti se ekonomia e saj po rritet dita ditës në koordinim të vazhdueshëm me Federatën Ruse, me vendet anëtare të BRICS-it dhe Organizatës të Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Fuqia e madhe ekonomike, i mundëson Kinës të alokojë sasi të mëdha financiare në drejtim të forcimit të mbrojtjes kombëtare, shërbimeve dhe operacioneve të inteligjencës, investimeve infrastrukturore dhe ekonomike në të gjithë botën dhe planeve afatgjata për t’u bërë superfuqia e ardhshme e botës. Kina ka objektiv për të kundërshtuar me çdo mjet interesat e SHBA-ve dhe të aleatëve të saj në rajonin e Detit të Kinës Jugore, Detin e Kinës Lindore dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.
Nga viti 2012 dhe deri në ditët e sotme në vitin 2024, nën drejtimin e presidentit Xi Jinping, Kina ka shfaqur siguri të lartë dhe është bërë shumë aktive në nivel global. Presidenti Xi i ka kushtuar rëndësi ‘Ringritjes të Madhe të Kinës’ dhe të ashtuquajturës ‘Ëndra Kineze’. Presidenti Xi Jinping e ka përcaktuar si prioritet të lartë politikën e jashtme të vendit, duke e përcaktuar diplomacinë e vendit të tij si diplomaci e një vendi të fuqishëm, duke u mbështetur në ‘Marëdhëniet e reja si një fuqi e madhe botërore’.
Politikat ekonomike, ushtarake, teknologjike dhe së fundi edhe diplomatike, janë forcuar shumë gjatë viteve të fundit nën presionin e vazhdueshëm të presidentit Xi Jinping. Ekspertët ndërkombëtarë deklarojnë se nën drejtimin e tij, Kina ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndërkohë që vetë kinezët kohën e drejtimin nga presidenti Hu Jintao e konsiderojnë si ‘dekadën e humbur’.
Ndërkohë, me qëllim forcimin e Kinës në arenën ndërkombëtare, gjatë dekadës të fundit Kina i ka kushtuar një vëmendje të veçantë modernizimit, ristrukturimit dhe forcimit të forcave të saj të armatosura, pra të Ushtrisë Popullore Çlirimtare (PLA). Rritja e rëndësisë të fuqizimit të tregtisë, rritja ekonomike, rritja e nivelit të investimeve jashtë vendit, rritja e prezencës së qytetarëve të saj jashtë vendit shpesh në vende me mungesë të theksuar të sigurisë publike dhe me kërcënime nga grupet terroriste, kanë detyruar presidentin Xi Jinping dhe lidershipin e agjensive kineze të sigurisë të marrin masa për mbrojtjen e interesave të tyre dhe qytetarëve të saj në të gjithë botën.
Si rezultat i këtyre ambicjeve dhe i reformave deri në ditët e sotme, Kina ka një prezencë të rëndësishme diplomatike, ekonomike, njerëzore dhe ushtarake në 30.000 ndërmarrje ose projekte shtetërore jashtë vendit, ku më shumë se 100 milionë qytetarë kinezë udhëtojnë çdo vit jashtë vendit. Sasia e përgjithshme e investimeve të kompanive private dhe të qeverisë të Kinës përfshirë edhe projektet jashtë vendit që nga viti 2005 deri në vitin 2020 ishte rreth 2 trilionë dollarë.
Prezenca e Kinës në sejcilin vend ka lidhje në mënyrë të veçantë me sigurimin e informacioneve të ndryshme të inteligjencës, të cilat paraqesin interes kombëtar nga agjensitë relevante, sigurimin e burimeve natyrore, ku këtu mund të përmendim investimet në ndërtimin e fabrikave, minierave, aeroporteve, porteve, autostradave, tubacioneve të naftës dhe të gazit të lëngët por jo vetëm, ndërkohë që numri i përgjithshëm i shtetasve kinezë të cilët jetojnë jashtë vendit është më shumë se pesë milionë.
Dr. Dritan Demiraj është autori i librit: “Shërbimet sekrete të Kinës, Struktura, misionet, metodat dhe kapacitetet e tyre”.