Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Sfera e dashurisë

 

Ka rrugë të shkurta që të çojnë në ishullin e panjohur,

të cilin të eturit për gjëra madhore e kërkojnë me çdo kusht.

Ka udhëtime të gjata që të kthejnë në shtëpinë tënde,

ku dyert e dritaret duken hije të venitura nate,

ku formulat magjike të fëmijërisë ngjajnë në gjethe vjeshtake

e pemët në hije të errëta

që duken e zhduken si hëna një nate të trazuar.

 

Ka universitete që të mësojnë të bëhesh mjek, orator,

shkencëtar që zbulon ilaçe kundër dhimbjeve,

baktereve,

ka shkolla që të bëjnë mjeshtër,

të fluturosh nëpër re, të pushtosh hapësirën,

të hartosh strategji ushtarake për të pushtuar një shtet,

kontinent, univers, por asnjë s’të dëfton dashurinë.

 

Atë e gjen në kopshtin tënd,

në një ag mëngjesi ose muzg mbrëmje,

rrugëve pa rrengje,

pranë një lumi të qetë ku gjarpërojnë hiret e botës.

 

Dante ka treguar se për të shkuar në parajsë duhet përshkuar ferri,

por kjo rrugë s’bëhet pa udhërrëfyes fisnikë.

E ndërtoj selinë e dashurisë me rrënjë në tokë

ku ka mërzi e lumturi, pushtet e shëmti

dhe ku drita e fortë i verbon pjesëtarët e ferrit.

 

Dimri iku dhe pranvera është e gjatë.

Edhe rruga është e gjatë.

Mërzi s’ka.

Ka zogj të gëzuar dhe pamje të gjelbra.

 

Matanë është ishulli i lumturisë

dhe ai kërkon lundra të forta që sfidojnë dallgë e stuhi.

Lundërtarë të guximshëm që me zë të fortë buçasin:

“Mos keni frikë!”

Duart e tyre hirplote mund t’i qetësojnë zemrat e dallgëzuara.

 

Tani qielli është i kthjelltë

e unë lundroj që një shekull drejt atij ishulli të pamundur

dhe kam mësuar se në vetmi s’vezullon asgjë.

Please follow and like us: