Pamflete me mesazhe kërcënuese të veri: “Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska”
Prishtinë, 13 shtator 2024 – Disa pamflete kërcënuese për institucionet e Kosovës janë vendosur të enjten në mbrëmje në katër komunat më veriore të Kosovës.
Në pamfletet në gjuhën serbe, “të gjithë” serbët barazohen me Milan Radojçiqin dhe me pjesëtarët tjerë të grupit paramilitar serb që e kreu sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa institucionet sahtetërore të Kosovës cilësohen “okupatorë”.
“Të gjithë ne jemi ‘Milana dhe vëllezër nga Banjska’. Ju okupatorë, na e zgjoni egërsinë. Ju presim në veri. Komandant, vetëm thuaj, do të mësyjmë si plumba”, thuhet në pamfletet e vendosura nëpër vende të ndryshme në Mitrovicën Veriore, në Zubin Potok, në Zveçan dhe në Leposaviq.
Ky mesazh me alfabetin cirilik është shtypur poshtë fotografisë së disa personave të armatosur e të maskuar dhe fotografisë së Milan Radoiçiqit.
Zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se në disa lokacione janë vendosur pamflete kërcënuese. Ai tha se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, rasti është iniciuar si “nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.
“Konfirmojmë se në disa lokacione në veri të vendit kemi hasur në pamflete me përmbajtje të urrejtjes dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale rasti iniciohet si ‘Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes’ “, ka thënë Elshani.
Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për organizimin dhe kruerjen e sulmit terrorist në Banjskë. I akuzuari kryesor është udhëhqësi I grupit paramiltar Milan Radojçiq.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, njoftoi se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se grupi paramilitary është organizuar, armatosur dhe mbështetur nga shteti i Serbisë, por aujtoritetet serbe mohojnë përfshirjen e shtetit në sulmin në Bansjkë.