Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ata janë gjithmonë mes nesh
Libër për dëshmorët e Bashkisë Bulqizë
Këto ditë u përkujtua 80 vjetori i rënies së Tercilo Kardinale komandantit të batalionit partizan “Antonio Gramshi”, në Çerenec, si dhe në Bashkinë Bulqizë u organizua një sesion shkencor për këtë ngjarje të luftës. Në këtë përkujtim, më erdhi në dorë dhe libri “Yjet e lirisë së Bulqizës” të autorit Zabit Lleshi. Libri ju kushtohet çetave partizane dhe territorial të zonës, dëshmorëve të atdheut që mbulon bashkia Bulqizë, baza të luftës, simbole për nderimin dhe vlerësimin e dëshmorëve dhe të partizanëve. Libri është një përpjekje serioze, por dhe e kohës, për të dëshmuar, por dhe për t’u ardhur në ndihmë institucioneve, shkollave, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e familjeve të veteranëve, por dhe bibliotekave të njësive administrative dhe të bashkisë Bulqizë.
Në vargun e luftërave që ka zhvilluar populli ynë në historinë e tij shumë shekullore për liri, pavarësi kombëtare e sovranitetit shtetëror, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (1939-1944) është epopeja më e lavdishme. Populli shqiptar këtë luftë e filloi para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, që në kohën e Luftës së Spanjës, shumë më përpara se të formohej Koalicioni Antifashist i Fuqive të Mëdha. Lufta e popullit shqiptar u bë pjesë e pandarë e luftës së madhe Antifashiste në të gjithë botën.
Librin Zabit Lleshi, me origjinë prej një familje fisnike, me kontribute dhe atdhetare të Dibrës, na e ka prurë me shumë dashuri dhe përkushtim për atë luftë titanike që breza të tërë do të jenë krenar, për ato sakrifica dhe atë mobilizim të një populli të tërë për ta parë veten të lirë dhe Atdheun të çliruar nga pushtuesit nazifashistë.
Autori me shumë mjeshtëri është përpjekur për të vlerësuar këtë kontribut popullor, por dhe për të nxjerr në dritë pas 80 viteve momentet kryesore të jetës së dëshmorëve të LANÇ, por dhe të dëshmorëve të ndërtimit të vendit. Dukuri e re është se autori pas çdo njohje me dëshmorin, ka dhënë dhe vendimet për shpalljen dëshmor nga Komitetet Ekzekutive të para viteve nëntëdhjetë si organe vendimmarrese, por dhe nga Komisioni i Statusit të Dëshmorit të Atdheut, që është pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Për dëshmorët është shkruar në vite dhe vend të dukshëm ka zënë seria e “Yje të pashuar” të publikuar nga Resul Bedo, por dhe nga organet të shtypit të përditshëm, të cilat sot gjenden në biblioteka të qyteteve Peshkopi e Bulqizë, por dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, etj.
Nderimi për dëshmorët, traditë shekullore për shqiptarët
Status ligjor për dëshmorët e Atdheut, para pavarësisë nuk ka pasë, por ata nderoheshin dhe respektoheshin nga populli për trimëritë e tyre të terguara në luftë. Statusi i tyre qëndronte i vendosur në këngë. Kënga ishte ligji dhe varri i tyre, nëpërmjet këngës dëshmori bëhej i pavdekshëm. Por ligji i parë që përmend emrin dëshmorë i përket vitit 1923, por pa specifikime të qarta. Ky ligj më tepër theksonte pensionet për familjet e dëshmorëve, për pensionet e ushtarakëve etj.
Pas çlirimit të vendit Kryesia e Këshillit Antifashitst Nacionalçlirimtar miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si dhe të atdhetarëve dhe familjeve të tyre, që i kanë sjellë shërbime të çmueshme Atdheut” më datë 28.08.1945. Në vitin 1969 ligji mori një staturë të re dhe statusi i dëshmorit u punua dhe u specifikua termi “Dëshmor i Atdheut” duke i dhënë dhe mbështetje ligjore. Më vonë pasua në ligj në vitet 1988, 1994 dhe 2002. I fundit është ligji 109/2018 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Ky ligj ka hapur hapsira të reja për një vlerësim dhe qëndrim ndaj të gjitha rasteve për t’u njohur e drejta çdo individi që ka dhënë gjak dhe ka humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare të kombit shqiptar. Ligji thekson se Dëshmorët, Familjet e Dëshmorëve përfaqësohen nga Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, e cila ka qendrën në Tiranë, por dhe degët e saj në të gjitha bashkitë e vendin.
Autori me shumë përgjegjësi ka saktësuar për Bashkinë Bulqizë, sipas vendimeve të marra nga pushteti lokal dhe qendror, sipas përcaktimit të ligjit, ka sot të shpallur dëshmorë: 143 dëshmorë luftëatrë deh patriotë të rënë para vitit 1939, në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vendit; 92 dëshmorë të rënë në vitet 1939-1944, si dhe 31 dëshmorë të tjerë të rënë në punën për ndërtimin e Atdheut dhe në ruajtjen e kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Përmbajtja e librit të frymëzn
Në libër një vend të rëndësishëm zënë çetat partizane të Dibrës, ku theksi është vendosur në partizanët e çetës së Grykës së Vogël (20 qershor 1942), të çetës partizane të Martaneshit, 27 shtator 1942; të çetës partizane të Grykës së Madhe (15 shkurt 1943), të çetës partizane të Gollobordës (25 maj 1943), të çetës partizane të Sllovës (26 korrik 1943), të listave të partizanëve të tyre, Një vëmendje ju është kushtuar dhe çetave territorial, si çeta territoriale e Fushës së Dibrës dhe fshatrave rreth saj, çeta territoriale e Zerqanit, e Sopotit, e Bulqizës, e fshatrave të Qendrës Peshkopi, etj.
Një dukuri e re janë dhe evidentimi i bazave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Bashkisë Bulqizës si të Gryks së Vogël, Grykës së Madhe, Bulqizë, Okshtun, Trebisht, Ostren, të Martaneshit, etj. Vend të dukshëm zënë dhe këshillat Antifashiste Nacionalçlirimtare të trevës së Bulqizës. Në vëmendje ka qenë dhe Konferenca Nacionalçlirimtare e Qarkut të Peshkopisë.
Autori në mënyrë të përmbledhur ka shkruar dhe për batalioni partizan të Dibrës, duke na përshkruar disa nga luftimet e zhvilluara prej tij si lufta e Sofrafanit, 23 gusht 1943; lufta e Peshkopisë, 17-19 tetor 1943; lufta e parë e Dibrës së Madhe, 31 tetor-3 nëntor 1943; lufta e dytë e Dibrës së Madhe, 16-17 nëntor 1943 etj. Përshkrimi i rrugëtimit të batalioni partizan të Martaneshit, të Operacioni të Dimrit (dhjetor 1943-janar 1944), të batalionit të dytë partizan të Martaneshit, etj. Më tej autori paraqet dhe rrugën luftarake të Brigadës XVIII Sulmuese në Qarkun e Dibrës të krijuar më 18 gusht 1944.
Në një kënd të dukshëm në faqet e librit jepet dhe jeta e Heronjve të Popullit të Dibrës e Martaneshit: Ramiz Varvarica, Nazmi Rushiti, Gjok Doçi, Hibe Palikuqi, Liman Kaba, Haxhi Halit Lleshi dhe Baba Faja Martaneshi (Mustafa Dalip Xhani).
Libri ka një prurje të re dhe pasqyron dhe të plagosur në luftë për rajonin që përfshin Bashkia e Bulqizës. Gjithashtu vend nderi zënë dhe heronjtë e Batrës në Martanesh, etj.
Memoria historike e Bulqizës
Lapidarë, pllaka përkujtimore dhe bustet kushtuar ngjarjeve historike në Bashkinë Bulqizë janë të pakta, pavarësisht e në këtë trevë që nga koha e Skënderbeu, këtu janë zhvilluar luftëra për liri e pavarësi, organizuar kuvende e besëlidhje të ndritshme, duke dëshmuar për qëndresa e popullsisë e cila ka qenë e vazhdueshme dhe e përhershme kundër ushtrive pushtuese osmane, serbe, bullgare, italiane e gjermane etj.
Lapidarë që gjenden në Bashkinë e Bulqizës janë tek Ura e Topojanit, kushtuar përpjekjes së forcave italiane me çetën partizane, në Zogje kushtuar çetës partizane të Dibrës 20.6.1942, në Gjoricë kushtuar formimit të batalionit të Dibrës 26.7.1943, në Sofraçan, kushtuar betejës së Sofraçanit, 23 gusht 1943 dhe dëshmorëv Mexhit Tola e Kamber Xhafa, në Çerenec për batalionit “Antonio Gramshi”, në Zerqan për çlirimin e Zerqanit, 3 gusht194, në Valikardhë për dëshmorin patriot Ramiz Daci, në Bulqizë për aksionin e çetës në Minierën e Bulqizës, 16 shtator 1942, në Krastë, për 11 heronjtë e Batrës, në Gjon për çetën partizane të Martaneshit, etj. Në territorin e bashkisë gjendet dhe buste të Skënderbeut në vendin e quajtur “Gurët e Skënderbeut”, të Mersim Demës në Shupenzë, të Fejzë Bulqizës në Bulqizë, të Minatorit në Bulqizë, të Elez Koçit në Ostren. Janë dhe këto emërtime të minierave: Miniera e Kromit Bulqizë “Todi Manço” dhe miniera e kromit Batër “11 heronjtë e Batrës”.
Një prurje e re në libër është evidentimi në njësitë administrative të bashkisë me emra dëshmorësh të 5 shkollave fillore, të 22 shkollave 9 vjeçare, të 2 shkollave të mesme, të 2 qendrave shëndetësore dhe të një çerdhe fëmijësh. Një model libri që flet dhe dëshmon shumë për dëshmorët.
Autori ka shfrytëzuar për shkrimin e librit një bibliografi të pasur, e cila e ka ndihmuar në gjetjen dhe pasqyrimin e jetës dhe të veprimtarisë të 123 dëshmorëve të luftës dhe të ndërtimit të vendit për Bashkinë e Bulqizës. Ky është dhe libri i parë që përmbledh me një dokumentacion të pasur të gjtihë dëshmorët e një bashkie. Nga kjo nismë e Zabit Lleshit, duhet të marrin shembull dhe studiues e historian, por dhe dashamirës tëvepërs së dëshmorëve për të shkruar libër për dëshmorët e çdo bashkie të vendit.
Autori shprehet se në këto 80 vite nuk ka qenë e mundur të shkruhet për të gjithë dëshmorët, prandaj në përgatitjen e librit ka hasur në vështirësi dhe i është dashur të sigurojë të dhëna nga veteran të LANÇ-it, por dhe nga familjet e dëshmorëve, si dhe nga studiues të shumtë të historisë së luftës. Libri lë hapësira për të bërë studime dhe për t’u thelluar në jetën dhe veprimtarinë aptriotike të dëshmorëve, por dhe të një populli, për të nxjerrë në dukje shpirtin patriotik e liridashës të njerëzve të thjeshtë, veprimtarinë luftarake të bërë nga luftëtarët në çeta, batalione e brigada sulmuese. Autori na njeh me bazat e luftës të zonës, me kontributin e mdha të tyre, me aktivizimin gjerësisht të gruas dhe të vajzës shqiptare, por dhe të të rinjve në shërbim dhe në ndihmë të luftës. Nëpërmjet mjaft të dhënave autori na tregon se si një popull i tërë i ktheu shtëpitë e tij në spitale partizane, në depo për furnizimin me ushqime dhe veshmbathje të luftëtarëve të malit. Kudo u shquan veprimtarët e forcave territorial të zonës të cilët në mjaft raste u bënë viktima dhe u masakruan për shkak të terrorit nazifashist.
Autori bën dhe një thirrje që puna duhet të vijojë edhe për mbledhjen e krijimtarisë për LANÇ, si për poezi, këngë, piktura, skulptura etj., që nuk janë pak në zonën e Bulqizës. Në disa nga portretet e dëshmorëve të zonës, mungojnë foto të tyre, pasi ata dolën në luftë dhe nuk na lanë imazhin e tyre të bukur në foto, por është detyrë e familjarëve për t’u bërë portrete, por dhe për të gjetur materiale të tyre si, letra, foto, dorëshkrime e krijime të ndryshme, të cilat më parë ishin në muzeume, por me ndryshimen e sistemit u grabitë, u prishën, por sot koha i kërkon si dokumente dhe relike, që brezat të njohin dhe të shikojnë rinin e përjetshme të tyre.
Autori e pruri si dhuratë librin për rrugëtimin e dëshmorëve të Bashkisë Bulqizë, në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut, i ndihmuar për të parë dritën e botimit nga njeriu fisnik Baftjar Rifat Rusi. Libri është një muze për dëshmorët e Bulqizës, që dëshmon për jetën dhe veprën e atyre që në themelet e Atdheut vunë eshtrat dhe gjakun e tyre, të cilën ja dhuruar vendit të tyre. Librat për dëshmorët duhet të jenë të vijueshme dhe bashkia e njerëzit fisnik duhet të jenë në radhët e para për të parë dritën e botimit, nëpërmjet sponsorizimeve, por dhe nëpërmjet veprimtarive ku të zënë vend nderi dhe “Yjet e lirisë” të çdo bashkie.