Albspirit

Media/News/Publishing

SHKOLLA SHQIPE “PRANË TEJE” NË ROMË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT E ITALISË

Sokol Paja

Edmond Ndoj themelues i shkollës shqipe “Pranë Teje” në Romë, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Romë të Italisë, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve sociale, humanitare e patriotiko-kulturore. Në rrëfimin e dhënë Editorit të “Diellit” Sokol Paja, themeluesi Edmond Ndoj tregon se Shkolla Shqipe në Romë ka marrë emrin e shoqatës “Pranë Teje” dhe quhet Shkolla “Pranë Teje”. Ne kemi menduar të jemi pranë familjeve shqiptare duke ju mundësuar fëmijëve të tyre të mësojnë gjuhën, kulturën, historinë dhe traditat shqiptare nëpëmjet mësimit shqip si qendër edukative dhe kulturore. Shkolla e kryen aktivitet çdo të shtunë për 8 muaj me radhë. Mësimi zhvillohet paradite nga ora 10.00-12.00 dhe pasdite nga ora 15.00-17.00. Gjithçka është mundësuar për shqiptarët nga shoqata “Pranë Teje”, tregon për Diellin z.Ndoj. Kurrikula mësimore që përdorim është e bërë posaçërisht për diasporën, pra janë libra që janë bërë për fëmijët që janë rritur dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, tregon detajet themeluesi Ndoj teksa shton se librat i ka dhuruar Ambasada Shqiptare në Romë. Shkolla ka pasur shumë mbështetje nga prindërit gjithashtu ka pasur shumë interes edhe nga fëmijët. Ju bëjmë thirrje të gjitha familjeve shqiptare jo vetëm në Itali por në të gjithë botën të ruajnë ndër breza gjuhën shqipe sepse gjuha është identiteti i kombit tonë shqiptar.

Shoqata “Pranë Teje” ka 3 vite që është aktive në Shqipëri dhe Itali, duke mbështetur familjet shqiptare me vështirësi ekonomike. Shoqata ka vazhduar aktivitetin e saj si në Shqipëri ashtu dhe në Itali dhe ka për qëllim krahas ruajtjes së gjuhës shqipe edhe përmirësimin ekonomik e social të shoqërisë shqiptare e shqiptarëve në Romë. “Ne ecim me moton se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe, siç na porosit shenjtorja shqiptare Nana Tereze” tregon me krenari Edmond Ndoj. Mësimi i gjuhës shqipe është e vetmja formë për të ruajtur identitetin kombëtar e traditat tona larg atdheut. Shkolla i mëson fëmijët gjithçka që ka të bëjë me historinë, traditat, kulturën shqiptare. Fëmijët në shkollen “Pranë Teje” mësojnë çdo gjë që është e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, për lavdinë e historinë shekullore.

Shkolla “Pranë Teje” tregon për Diellin e Vatrës z.Edmond Ndoj ka pasur mbështetje të madhe nga institucione të ndryshe dhe nga familjarë shqiptarë dhe biznese si shqiptare ashtu dhe italiane ku kanë dashur të japin kontributin e tyre të çmuar për shkollën ku mësojnë fëmijë tanë. Z.Ndoj tregon reth nivelit të fëmijëve në shqip dhe punën me ta: “Fëmijët në përgjithësi kanë njohuri për gjuhën shqipe disa më shumë dhe disa të tjerë më pak. Ka familje që e kanë praktikuar gjuhën në familjet e tyre ka dhe nga ata që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi që të ua mësojnë. Fëmijët janë të moshave të ndryshe duke filluar nga mosha 6 vjeç dhe sipër kjo e bën të vështirë për mësuesit por jo të pamundur” citon z.Ndoj. “Mendoj se sa më shumë të dimë për një vend aq më shumë e duam. Gjithashtu dhe në shkollë mësojnë për shumë gjëra që ne na bëjnë krenarë si Nënë Tereza, Skenderbeu dhe shumë figura të tjera që kanë bërë histori në Shqipëri dhe që njihen nga e gjithë bota. Fëmijët rriten duke e dashur vendlindjen e tyre dhe duke mos e harruar kurrë atdheun” rrëfen sinqerisht për Diellin e Vatrës z.Edmond Ndoj i cili jeton prej 19 vitesh në Itali dhe prej dy vitesh kontribuon për komunitetin shqiptar në Romë të Italisë.

Please follow and like us: