Albspirit

Media/News/Publishing

KUJTOJMË FOTOGRAFIN E SHQUAR DHE  ANËTARIN E VATRËS, GJON MILI, NË 120  VJETORIN E LINDJES

Nga libri në qarkullim, GJON  MILI.

Qemal Agaj

Fëmija i parë i çiftit, Vasil Mili dhe Viktori Çekani, Mili lindi në Korçë në 28 Nëntor, 1904. Katër vjet më vonë sëbashku me nënën shpërngulen në Bukuresht, ku babai jetonte.

Në pranverën e vitit, 1917, kur ai ishte vetëm 13 vjeç, babai ndrroi jetë. Mili kujton varrimin e të atit dhe kur u kthyen në shtëpi e vendosën në krye të dhomës të priste ngushëllimet sipas zakonit në Shqipëri.

Mbaroi shkollën e mesme në, Georghe Lazar National College. Ndërtuar në 1860 dhe i vendosur në qendër të Bukureshtit, është institucioni i edukimit më me prestigj në Rumani. Ndërkohë ndërroi jetë xhaxhai Kristo, i cili kishte qën ndërmjetës në martesën e prindërve të tij. Në atë vaki erdhi nga Bostoni dajua, Koço Çika. Ishte kjo vizitë e dajos, që i dha drejtim jetës së djaloshit Mili. Ai i ofroi sponsorizimin e udhëtimit për në Amerikë dhe dy vjet më vonë, 1923, u nis drejt Amerikës në kërkim të një karriere.

Mili – në atë kohë një djalosh 19-20 vjeçar – në kujtimet e tij shkruan: ‘’Jo shumë kohë pas arritjes në Amerikë u prita ngrohtë nga Faik Konica. Një bashkëatdhetar i moshuar, një shkrimtar i shquar, humanist i suksesshëm dhe intelektual i mprehtë, Konica u përpoq të zgjerojë interesimin tim në artet, sidomos kinematografinë, të cilën ai e pëlqente dhe e konsideronte të ishte një formë arti e veçantë. Ai tërhoqi vëmendjen time me një artikull nga G.K. Çhesterton në gazetën London Illustrated News, duke lavdëruar vlerat e filmit… Idetë e Chesterton hapën sytë e mi. Tashmë kisha filluar të merresha me fotografi. Unë shtova optikën dhe ndriçimin në Inxhinierinë Elektrike”.

Pasioni i Milit për artet vizuale nuk ishte e vështirë të zbulohej nga Konica, ai vetë ishte një njohës dhe admirues arti. Por brenda tij nuk fshihej vetëm pasioni për artet pamore. Ishte akoma student kur për herë të parë dëgjoi të inçizuar një koncert të violinçelistit të shquar spanjoll, Pablo Kazals (Casals). Aq shumë u mahnit nga interpretimi, sa Mili kujton: ‘’Unë u mbërtheva në inçizimet e tij dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Preva fotografinë nga gazeta dhe e vara në mur – unë e kam atë akoma. Për mua që atëherë ai qëndron si një mrekulli’’. ( LIFE, 11 Nëntor, 1966.) Kjo u bë shkak të abandonoi oboen  dhe të ushtrohet në piano.

Pas mbarimit të studimeve, në 1928 fillon punë në Westinginghhouse Electric and Manufaktoring Co. dhe më vonë në Westinghouse Lamp Division deri në vitin1938. Gjatë kësaj periudhe botoi shumë artikuj teknikë mbi kërkimet e tij në projeksionin e dritës, optikës dhe fotografinë. Zhvilloi llampën me dopio filament (bipolare), më e ndritshmja llampë atëherë në përdorim. Në vitet 1930- 35, Mili zhvilloi teknikën e ndriçimit, përdorur gjerësisht në fotografinë me ngjyra me intensitet të lartë ndriçimi dhe me Photoflash lamp.

Takimi me bashkëkohësin e tij student në M.I.T., Prof. Harold Exherton (Edgerton) në një simpozium për ndriçimin në fotografi në 1937, ndërroi kursin e jetës së tij. Ky takim përshkruhet në libër si më poshtë:

‘’Gjatë Marsit të vitit, 1937, Prof. Exherton dhe Unë ishim folës në një simpozium për ndriçimin në fotografi në M.I.T. Unë fola për burimet e dritës artificiale atëhere në përdorim dhe Prof. Exherton diskutoi zhvillimin e tij të ri, të electronic flash, me një kohëzgjatje shumë të shkurtër 1/ 100.000 të sekondës. Fotot më tronditën. Për herë të parë kuptova që koha në të vërtetë mund të ndalej, tekstura mund të ruhej, me gjithë lëvizjet e furishme të papritura… Kur mbaroi takimi u kthyem në zyrën e Prof. Exherton për një bisedë. Ai më pyeti: ‘’Çfarë mund të bëjmë sipas mendimit tuaj me këtë burim drite”?’ Unë shpërtheva: Më jepni dhjetë herë më shumë dritë dhe unë do të largohem nga Westinghouse.

Është kurioze të mendosh, vazhdon Mili, si kjo bisedë e paplanifikuar në zyrën e Exherton ndërroi drejtimin tim. Ishte e qartë për mua, që drita e re elektronike do të revolucionarizonte fotografinë në lëvizje. Dukej si një shpikje e vërtetë. Por nuk ishte e thjeshtë të ndaheshe nga Westinghouse pas dhjetë vjetësh, duke lënë mbrapa ndjenja dhe sigurinë e jetës. Unë vazhdova të bindja veten se për një periudhë kohe do të isha i vetmi fotograf në gjendje të përdorja këtë burim drite. Fusha e re e fotografisë ishte e gjallë, po zhvillohej shpejt dhe premtonte aventurë, interes dhe mundësinë për të përparuar në diçka tërësisht të re. Unë doja të kontribuoja në të, të isha pjesë e saj’’.       

Pasi siguroi dritat elektronike brenda disa javësh nga Prof. Exherton, filloi eksperimentet në një kishë të abandonuar në Montkler, Nju Xhersi ( Montclear New Jersey). Pas gjashtë muajsh eksperimentesh me paisjet e reja, me një numur fotografish u paraqit në LIFE, në atë kohë më pak se gjashtë muaj në qarkullim, po mbizotëronte stendat e gazetave. 

Në 5 Shtator, 1938, fotografitë e kampionit të Tenisit, Bobby Rigs u botuan në LIFE. Ky ishte fillimi i bashkëpunimit të Milit si fotograf pa kontratë (freelance) me këtë revistë, që zgjati deri në fund të jetës së tij, 14 Shkurt, 1984.

EPILOG

Sipas zbulimit të fundit të studjuesit Kristaq Balli në regjistrat e Kishës Ortodokse, Korçë, Mili është rregjistruar me emrin, Joan. Emrin Gjon, po sipas studiuesit Balli, Mili e adoptoi nga influenca dhe lidhjet me Faik Konicën, i cili vetë kishte shkruar me këtë pseudonim.

Dalip Greca ( Ish editor i Diellit) në Dielli, 12 Shkurt, 2015 shkruan – “ Gjon Mili ndeshet në kronikat e Diellit, 1927 -1935. Ai herë del si reporter, herë si sekretar i Vatrës i degës, 42 në Pitsburg, PA., herë Chairman, herë sekretar ose fondmbledhës i komisioneve kulturore.

Rasti I Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se gazeta  Dielli ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare , siç ka qenë mësues i duruar për t’u mësuar emigrantëve shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Një ndër shembujt që tregon se gazeta ishte shkollë për të mësuar shqipen e shkruarështë Gjon Mili. Dielli e prezanton Gjon Milin në nr. botimin e vet të 25 Majit, 1928. Prezantimi e merr shtysën nga një përrallë me titull  ‘’Ëndërr’’ që Mili ka përkthyer nga Rumanishtja në gjuhën shqipe.

…Është shkruar, vazhdon D. Greca, se, Gjon Mili shkruante tregime, që i botonte në Dielli dhe në Studenti i Torinos. Nuk ka asnjë tregim të botuar në Dielli me emrin e Gjon Milit. Është vetëm rasti i botimit të dy përrallave, njerën prej të cilave “Ëndërr” e mori dhe e botoi pa lejen e autorit dhe Diellit revista e Torinos. Madje qëndrimi i Diellit ndaj këtij akti ishte i ashpër. Në nr. E 25 Marsit, 1930, nën titullin ironik “Një tjetër sjellje e bukur,”  Dielli shkruante: “Ca njerëz që i thonë vetes së tyre student botojnë një revistë shqip në Torino. Në një nr. u ribotua një përrallë e bashkëpuntorit tonë, inxh. Gjon Mili. Kjo përrallë u mor nga Dielli nr. 4075, Maj 1928, jo vetëm pa leje të autorit, por pa zënë aspak në gojë Diellin…

Please follow and like us: