Albspirit

Media/News/Publishing

Si të dallojmë një hajvan televiziv – një guidë interaktive

Shikuesit shqiptarë shpesh ndihen të çoroditur pas ndjekjes së programeve që i ngjajnë më shumë ulërimave kolektive të opinioneve ekstreme e subjektive. Kjo përbën një distancim të madh nga misioni i medias për të zbuluar të vërtetën nga shumë këndvështrime.

Si një profesionist në fushën e medias prej shumë vitesh, e kuptoj arsyetimin pas këtij modeli televiziv fitimprurës, i cili synon rritjen e audiencës, shitjen e reklamave dhe mbushjen e orëve të transmetimit. Por media ka gjithashtu një përgjegjësi bazë për të informuar publikun dhe, në një botë ideale, për ta fuqizuar atë.

Teksa dëgjoja debatet boshe të një grupi analistësh dhe të ftuarish që enden nga një studio televizive në tjetrën, më lindi dëshira që publiku të kishte një fletë vlerësimi për të dalluar diskutimet e dobishme nga ato të dëmshme, të cilat shpesh maskohen si fakte dhe polarizojnë shoqërinë, duke penguar përparimin.

Duke u bazuar edhe në eksperiencën time ndërkombëtare në fushën e komunikimit ndërkulturor, vendosa të krijoj këtë guidë për të ndihmuar publikun të filtrojë nga shtëpia diskutimet televizive.

Mendojeni veten si një juri nga shtëpia me këtë fletë vlerësimi:

  • A i jepet çdo të ftuari kohë e barabartë për t’u shprehur?
  • A menaxhohen ndërprerjet me respekt për folësit?
  • A respektohen dhe njihen pikëpamjet e ndryshme?
  • A diskutojnë të ftuarit mbi temën, apo bëjnë sulme personale?
  • A siguron moderatori një balancë të vazhdueshme?
  • A janë pyetjet të natyrës neutrale dhe gjithëpërfshirëse?

Nëse shumica e përgjigjeve janë “po”, mund të përfundoni që debati është i shëndetshëm.

Si të dallojmë një hajvan televiziv 

Një hajvan televiziv, i përkufizuar si individi që përshtat të vërtetën sipas interesave personale apo të porositura, shpesh përfaqëson këto tipare:

  • Ndërpret vazhdimisht të tjerët.
  • Ngre zërin dhe tregohet agresiv.
  • Hedh poshtë mendimet e të tjerëve pa i dëgjuar.
  • Monopolizon diskutimin.
  • Flet vetëm mbi opinione, pa fakte.
  • Nuk tregon kureshtje për të kuptuar të tjerët.
  • Shtrembëron të vërtetën dhe injoron faktet e bashkëbiseduesit.
  • Bazohet në sulme personale dhe jo në argumente.
  • Shfrytëzon emocionet si frikën, zemërimin ose fajësimin për të fituar audiencën.
  • Nuk respekton eksperiencat dhe kontekstin e të tjerëve.
  • Përdor stereotipe dhe shmang konfrontimin e vërtetë të ideve.
  • Përballet me kundërshtimet sikur janë sulme personale.
  • Nuk e dëgjon tjetrin dhe refuzon gjetjen e të përbashkëtave.
  • Nuk e pranon që opinionet e tij/saj janë subjektive.

Nëse shumica e këtyre tipareve janë të vërteta për një person që flet në ekran, ju sugjerohet ta merrni me shumë rezerva atë që po konsumoni.

Përgjegjësia e publikut 

Ndërsa televizionet shqiptare kanë pranuar këtë status quo të debateve sipërfaqësore për arsye që lidhen me interesa ekonomike dhe mungesën e kreativitetit, publiku ka fuqinë për të ndryshuar dietën e tij mendore. Duke kërkuar përmbajtje më cilësore, mund të ndikojmë në përmirësimin e debateve dhe të promovojmë një nivel diskutimi që shërben për rritjen intelektuale dhe qytetare.

Në këtë mënyrë, këto emisione do të mund të ndihmojnë publikun të qëndrojë vigjilent dhe të angazhohet aktivisht në jetën politike të vendit, në vend që të përdoren si mjete për të shpërqendruar dhe pasivizuar audiencën.

Pjesa 1 nga 2 

Nëse shumica e tipareve të mësipërme përputhen me një të ftuar, qëndroni gati për pjesën e dytë të këtij udhëzuesi: “Si të diagnostikosh një hajvan televiziv”.

Please follow and like us: