SAZAN GOLIKU: KRIJIMI I MBRETËRISË
Ajo tha me bindjen e njeriut kaq të vendosur në ato që thoshte, sa ato tri gratë si të hipnotizuara e besuan si një fakt që tashmë kishte ndodhur.
– Kam shkruar e botuar tridhjetë e tre libra shkencorë me nga pesëqind faqe, me dhjetra e dhjetra artikuj studimorë, kam mbajtur kumtesa në disa kontinente, kam dhënë me qindra intervista në radio e televizionë për zbulimet e mia për pellazgët, etrit tanë të ndritur. A nuk më përket mua të krijoj dhe të udhëheq Mbretërinë Universale Pellazgjike?!
Pllakosi një heshtje magjike. Gojët e tri grave mbetën gjysmë të hapura sa nga cepat e buzëve gati t’u rridhnin jargët.
– Po kryeministër kë do të caktoni, naltmadhëri? – Hapi gojën së fundi dhe pyeti gruaja në krah të djathtë të mbretëreshës së porsa zgjedhur. Ajo ishte kaq e dobët sa eleganca e saj të tmerronte.
– Po ku do ta vendosni kryeqytetin e mbretërisë, naltmadhëri? – Hapi gojën gruaja në krahun e majtë të mbretëreshës. Kjo mbante shami të zezë dhe i dilte dukshëm hunda si spec i gjatë.
– Po ku do ta gjeni thesarin për bankën e mbretërisë? – Hapi gojën e pyeti gruaja përballë mbretëreshës. Kjo ishte kaq e dhjamosur sa dilte nga shtëpia vetëm ulur në karrocë me rrota.
Heshtja e mbretëreshës i la të fluturonin pyetjet të vërdalliseshin mbi kokat e grave. Vështrimi i saj po humbiste në të ardhmen… Atë çast ajo po u ngjante tri grave herë si statuja e Budësë, herë si portreti i Kleopatrës, herë si Teuta ilire.
Heshtja sikur po i vinte në gjumë tri gratë e magjepsura…
Befas mbretëresha brofi më këmbë. Ngriti krahët si një shqiponjë butaforike dhe foli me zë të ulët, por kërcënues:
-Kryeministër jam unë! Kryeqyteti është këtu, ku jam unë! Thesarin ma ka falur Zoti!
Dera e bibliotekës pellazgjike në Universitetin Pellazgjik, ku ishin mbledhur katër gratë, u hap duke kërkëllitur. Hyri pastruesja me fshesën në dorë.
- Ç’është kjo erë re rëndë këtu si pordhë elefanti, – shtrëmbëroi ajo buzët. – Prisni të hap dritaret dhe…