Albspirit

Media/News/Publishing

Kina u bën thirrje qytetarëve: Përgatituni për luftë

 

 

“Ushtria, policia dhe populli duhet të mobilizohen me qëllim mbrojtjen e sovranitetit  dhe integritetit territorial të vendit”, u kërkoi ministri kinez i Mbrojtjes,  Chang Wanquan qytetarëve të tij. Kjo deklaratë u bë gjatë një inspektimi të punimeve të ushtrisë kineze në brigjet e provincës lindore të Zhejiangut, raporton agjencia Xinhua.

Në mënyrë të veçantë bëhet fjalë për një “luftë popullore në det”, shpjegoi ministri i mbrojtjes, pasi Kina po përballet me rrezikun e një sulmi nga jashtë ishujve në të cilat Pekini po eksploron në Detin e Kinës Jugore. Ministri  tha se ka arsye për një shqetësim serioz në lidhje me sigurinë kombëtare në det. Sipas mendimit të tij, në mesin e popullatës duhet të promovohet edukimi në çështjet e mbrojtjes civile.

Thirrja është pjesë e reagimit të autoriteteve kineze para vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë mbi pronësinë e disa ishujve dhe zonave detare të pretenduara nga Filipinet në Detin e Kinës Jugore. Gjykata vendosi se Pekini “nuk ka të drejta historike” në atë rajon të Oqeanit Paqësor dhe gjithashtu “ka shkelur të drejtat e sovranitetit të Filipineve” në zonën e saj ekskluzive ekonomike. Zemërimi kinez mbi verdiktin pati një karakter popullor.

Mijëra qytetarë dolën në rrugë për të protestuar kundër këtij “vendimi përfundimtar”. Njerëzit shkatërronin iPhone-ët e tyre përballë restoranteve të ushqimit të shpejtë “KFC”, që konsiderohen si simbol i kulturës perëndimore dhe SHBA-së, në të njëjtin nivel me produktet e Apple. Në fund të korrikut, përfaqësuesit e Kinës dhe të dhjetë vendeve që formojnë Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) – Malajzia, Indonezia, Brunei, Vietnami, Kamboxhia, Laosi, Mianmari, Singapori, Tajlanda dhe Filipinet – u takuan në Laos për t’u angazhuar në  “uljen e tensioneve”.

Që kjo të jetë e mundshme, vetë vendi që është palë në çështjen gjyqësore, pra Filipinet, u detyrua të pranojë një kusht bazë të Pekinit: të mos përmendë vendimin e Hagës në deklaratën përfundimtare të takimit.

Ishujt Spratly në detin e Kinës Jugore pretendohen nga Kina, Tajvani, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Filipinet. Ishujt Paracel pretendohen nga Kina, Tajvani dhe Vietnami. Mosmarrëveshje ka edhe për ishujt Zhongsha, Pratas dhe Dongsha.