(EF) EPI, 2024 – Indeksi i Aftësisë me Anglishten (116 shtete)
(senad guraziu – ars poetica, j 2024, pak fjalë dhe infografikë)
(…holandezët janë njohës të shkëlqyer të Anglishtes, ka mbi 1 dekadë i prijnë Indeksit botëror – unë e dija se dhe shqiptarët, gjithmonë ashtu kam pandehur…)
Raporti EF EPI 2024 (English Proficiency Index) thotë se niveli i aftësisë me Anglishten duke rënë për 4 vjet radhazi, 60% të vendeve të botës (116 shtete) në Indeks shënojnë rënie të lehtë për v. 2024, krahasuar me vitin pararendës. Raporti flet gjithashtu për boshllëkun e vazhdueshëm gjinor, në 40 vende të botës aftësia e meshkujve me Anglishten është dukshëm më e lartë se aftësia e femrave (për 20 pikë, e më shumë). Diç si lajm i mirë, si pozitivitet i raportit qenka se femrat afrikane vazhduakan me përmirësimin e aftësisë së tyre me Anglishten.
Në përfundimin e raportit thuhet se në Evropë aftësitë me Anglishten kanë pësuar “zbutje”, në Azi kanë filluar me dobësimin, ndërsa në Lindjen e Mesme ka rritje të qëndrueshme. Edhe mesatarja rajonale e Amerikës Latine për 2024 ka ngelur e qëndrueshme. Raporti i v. 2024 thotë se aftësia gjuhësore me Anglishten lidhet dhe me statistikat e tjera të zhvillimit ekonomik dhe të avancimit të njeriut.
***
Nuk mohohet fakti se Anglishtja është gjuhë “de facto” si mjet ndihmës, si gjuhë “ndërmjetësuese” e komunikimit për njerëzit anembanë botës – thotë Education First (EF). Jo vetëm në rastet institucionale, a të biznesit, u shërben të gjithë atyre që në ndonjë moment s’e kanë një gjuhë tjetër të përbashkët.
Lidhur me misionin e tyre, shoqata suedeze Education First (EF), që nga 2011 vit për vit e publikon Indeksin e Aftësisë gjuhësore me Anglishten (të ashtuquajturin “English Proficiency Index”). Ata thonë, nëse ta krahasonim me botën 30 vjet më parë, tashmë natyrisht më shumë njerëz e kuptojnë dhe e flasin Anglishten botërisht, por kjo nuk do t’thotë se niveli i aftësisë me Anglishten është duke u rritur. Në fakt, të dhënat e tyre treguakan të kundërtën.
Themeluar në v. 1965 (në Suedi), Education First tashmë i ka 646 zyra dhe shkolla anembanë botës, në 114 vende të ndryshme, numri i të punësuarve pranë EF është rreth 52.000 njerëz.
Që nga v. 2011, Education First e përcjell situatën sa i përket Anglishtes, interesohen se në cilat shtete a rajone të botës aftësia gjuhësore me Anglishten është duke u rritur, apo eventualisht duke rënë. Patën filluar me 80 shtete, tani i përcjellin 116 shtete, nga viti 2018 edhe Shqipërinë (Kosova nuk është). Për raportin e Indeksit 2024, thuhet se i kanë analizuar rezultatet e 2.1 milionë personave që i kanë marrë testet e tyre të Anglishtes EF SET gjatë v. 2023.
Bazuar në rezultatet e testeve nga 116 vende të botës, edhe për v. 2024 pozicioni 1 i takon Holandës. Holandezët janë njohës të shkëlqyer të Anglishtes, por kjo s’është diç e re, duke filluar nga v. 2011, pozicioni 1 i pati takuar 2-3 herë Suedisë, 1 herë Norvegjisë (nëse s’gabohem), dhe 1 herë tjetër Danimarkës… gjithmonë pastaj holandezët do i prinin Indeksit.
Duke shfletuar Raportin e 2024, më bëri “përshtypje” kërcimi i Kroacisë në pozitën 5, dmth. më të mirë se danezët, se portugezët, austriakët, më të mirë se gjermanët… andaj më shkrepi ta “studioj” dhe përmirësimin e Shqipërisë. Ra përmirësimi i Kroacisë dhe vendosa ta “studioj” gjithë historinë e Indeksit, i kërkova të dhënat e viteve pararendëse, deri tek v. 2011. Jo për “inat”, madje i thashë bravooo Kroacisë, por thjesht më interesonte sepse gjithmonë kam pandehur ndryshe : )
Doli se të dy shtetet, Kroacia dhe Shqipëria figuronin vetëm nga v. 2018 e këndej.
Pozita e Shqipërisë ndër vite është endur nga 52 (v. 2018) e deri në pozitën 43 (v. 2024), anise paska qenë dhe në pozitën 39, madje 2 herë. E qartë, edhe Kroacia edhe Shqipëria nga v. 2018 e këndej duke përparuar, duke u përmirësuar, mirëpo kur Shqipëria në pozitën 52, Kroacia ishte në pozitën 17 – ashtu-kështu disa herë pozitë më e lakmueshme.
Tashmë përmirësimi i Kroacisë rezulton me pozitën 5, kjo arritje s’është pak, fjala është botërisht. Ndër 116 shtete të botës, Kroacia e 5-ta. Dhe kjo ishte ajo “pika ku do ia niste dhe indeksi i habisë” sime – nuk di pse por unë gjithmonë kam pandehur, gjithmonë kam supozuar se shqiptarët janë disa herë më të mirë me Anglishten… se të gjithë të tjerët e Ballkanit. Jo vetëm me Anglishten por me akëcilën gjuhë të botës.
“Supozimi” im madje mund dhe të ilustrohet si justifikim, psh. kur i dëgjon shqiptarët tek flasin Anglisht, ta zëmë krahasuar me sllavët, qofshin serbë, malazezë a rusë, apo krahasuar me italianët, krahasuar me francezët… etj., shqiptarët e flasin Anglishten disa herë më rrjedhshëm dhe më kulluar. Sepse “gjuha” e tyre është super-e përthyeshme dhe e zhdërvjellët, është gjuhë e trajnuar natyrshëm, pa sforcime, Shqipja mundëson gjithçka; shqiptarët aq lehtë mund t’thonë “y”, mund të thonë “th”, “dh” etj. etj.
Ja tashmë doli “ndryshe”, diç që nuk e prisja, jo vetëm Kroacia, por madje dhe Serbia qenka në pozitën 24, i bie pothuaj “20 herë” para Shqipërisë. Sa për malazezët këta s’figuruakan fare, njësoj si dhe kosovarët. Ndoshta dhe më mirë, pa statistika s’mund as të gjykosh, s’ke si thua diç as hiç pa të dhënat : )
– – – Kroacia dhe Shqipëria, 2018-2024
2024 – Kroacia > 5 / Shqipëria > 43 (116 shtete)
2023 – Kroacia > 11 / Shqipëria > 39 (113 shtete)
2022 – Kroacia > 11 / Shqipëria > 47 (111 shtete)
2021 – Kroacia > 11 / Shqipëria > 39 (112 shtete)
2020 – Kroacia > 13 / Shqipëria > 43 (100 shtete)
2019 – Kroacia > 14 / Shqipëria > 50 (100 shtete)
2018 – Kroacia > 17 / Shqipëria > 52 ( 88 shtete)
– – – – – – – – – – – –
nga 2011-2017 – Pa Kroacinë / Pa Shqipërinë ( 80 vende)
Report EPI 2024 Edition – Download
[ https://www.ef.com/assetscdn/WIBIwq6RdJvcD9bc8RMd/cefcom-epi-site/reports/2024/ef-epi-2024-english.pdf ]