Bledar Koçi: Thinjat e tim eti
Një mbresë më çon në vogëli
Me time motër flemë në shtrat,
Ish dimër, jashtë frynte stuhi
Dëborë dërgonte maj’ e lartë.
*
Bujashkash zjarri flakërinte
Fytyrën gjyshes nën çember,
Dremitur, kryet ulte ngrinte
Në çast, im At’ troket në derë.
*
Këpucët heq e shkund përtokë
Dhe syri i motrës ndez shkëlqim,
Ngre doçkat lart e i tund fort
Lodruar gaz e përmallim.
*
Babai vjen e futet shtratit
Kristalë dëbore shkrirë mbi kokë,
Një thinjë i shoh në skaj të ballit
Vështrimin lehtë i’a tres ndër flokë.
*
Mendoja çiltër si fëmijë,
U plak babai? Vërtetë u plak?
Të paktën një, nuk janë njëmijë
Bujashkat sobës, ndrinin flakë…
*
Dhe ikën vite, rrodhën dimra
Si ujëra malesh e përrenj,
U zbardh im At’ në mijëra thinja
Të zinjtë flokë i hodhi tej.
+
Dhe si dikur, tani, dhe sot,
Babanë qafos me krahë gëzimi,
Kërkoj t’ia shoh e s’ia gjej dot
Të parën thinjë, zambak kujtimi.