Avdush Canaj: Diçka të bukur po mendoj
Po mendoj diçka…
diçka të bukur.
Të stis një vjershë për guguçet
me qiellin e syve;
me harenë e flokëve;
me fëshfërimën e fustaneve;
me parfumin këmishëve.
Kënga e takeve do të hyjë vetë në refren.
*
Po mendoj, presjet të jenë me petale,
pikat me yje
pa asnjë pikëpyetje të përkulur.
*
Kur ta lexojnë guguçet e klasës,
po mendoj,
do t’më puthin me rend,
edhe Lura, që dje ma bëri dysh
pse thashë
Yllka është nimfë e liqenit.
*
Diçka të bukur po mendoj
të bukur diçka si ëndrra e mirë.
Please follow and like us: