Zana Tako: Realiteti politik
Parakalojnë fushatë pas fushate udhëheqës politik të superfuqive të mëdha, forca e të cilëve buron nga paraja, nga kontrolli, nga ndikimi i më të fortit, por jo nga dhembshuria për njeriun, i cili është fuqia më e madhe e të gjitha politikave në mbarë globin.
Njeriu, kjo qenie njerëzore, a vlen sa paraja?
Politika globaliste ka për qëllim kontrollin e njeriut, që do të thotë: se njeriu kërkon të kontrollojë njeriun. Për sa kohë?
Realiteti i politikës së sotme është fushata e kontrollit të njëpasnjëshëm ndaj qenies njerëzore, e cila është e detyruar të nënshtrohet dhe të zbatojë rregullat e më të fortit, i cili është po njeriu, simotër apo sivëllai i tij. Por për çfarë qëllimi duhet të kontrollohet qenia njerëzore deri në qelizë, deri në ndryshimin e ADN-së së tij? Për çfarë i shërben politikës kontrolli i qenies njerëzore?
Asnjë politikë deri më sot nuk ka prodhuar mirëqenie, përveçse ka rritur inflacionin monetar në ekonomi, motori që zhurmon jetën e çdo individi.
Asnjë politikë nuk i ka duart e pastra përsa i përket shembullit në karrigen e pushtetit.
Asnjë politikan nuk është reklamuar si shembull i mirëqenies së qytetarëve të tij, përsa kohë ka udhëhequr me ndershmëri ndaj betimit që ka kryer.
Nëse politika do të prodhonte shëndet mendor dhe shpirtëror për qenien njerëzore, nuk do të kishim luftra, vështirësi ekonomike, bursa që komandojnë tregun e shfrytëzimit të pasurive natyrore, nuk do të kishim analfabetë, të uritur, sëmundje infektive, realitet i hidhur, i pakundërshtueshëm nga çdo mendimtar pseudopolitikan paqedashës.
Nëse politika vihet në rend të ditës, atëherë vetë politika injekton çdo ditë në mendjen e njeriut dilemën mbi të ardhmen e tij, mbi shëndetin e tij, mbi pasurinë e jetës së tij.
Nëse politika ruan formatin e saj duke fshehur xhepat e mbushur me korrupsion politik dhe duke vënë në rrezik fatet e çdo kombi, atëherë çdo politikan duhet të mendojë për jetëgjatësinë e politikës që prodhon.
Nuk ka politikanë të fuqishëm. Imazhi i tij është forca e pushtetit që prodhon nga kauzat që trumbeton. Por nëse kauzat forcojnë pushtetin në kurriz të mirëqenies së popullit, atëherë çdo politikan është i destinuar t’i nënshtrohet më të fortit, Krijuesit të Gjithëpushtetshëm, fuqia e të cilit nuk mund të krahasohet me asnjë lloj pushteti tokësor të prodhuar nga mendje të sëmura për të konkuruar fuqinë e të madhit Zot.
Çdo qenie njerëzore duhet të kuptojë, se e vetmja fuqi që zotëron botën është Zoti, i cili nuk mund të konkurrohet nga asnjë lloj politike e asnjë lloj politikani që kërkon të konkurrojë dhe të tejkalojë fuqinë e ligjeve të krijimit.
Nëse politika sot i gëzohet pushtetit që ka fituar, vetë Zoti do dëshmojë, se nëse nuk respektohen ligjet e krijimit, atëherë vetë ligji i fuqisë Supreme që zotëron qiell e tokë, do godasë çdo përpjekje dhe manovër të politikave të mbrapshta globaliste, që kërkojnë të mbjellin mbrapështinë në tokën e të madhit Zot!
Vetë sovrani ka fuqi mbi çdo politikë, pasi ushqehet me forcën e drejtësisë që nuk vidhet e nuk manipulohet. Paqja buron nga ligji i drejtësisë, dhe vetë drejtësia mbjell paqen brenda ligjit, i cili duhet respektuar dhe vënë në zbatim nga çdo pushtetar që vjen e shkon në frone pushteti!