Presidenti Xi Jinping, bisedë telefonike me Presidentin e SHBA, Donald Trump
Presidenti i Kinës Xi Jinping (Shi Gjinpin) zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ku mësohet se ai e uroi Trumpin për rizgjedhjen e tij si President i SHBA-së.
Xi vuri në dukje se ai dhe Trump i kushtojnë rëndësi të madhe ndërveprimit me njëri-tjetrin dhe shpreson që marrëdhëniet kino-amerikane do të kenë një fillim të mirë në mandatin e ri presidencial të ShBA-së. Gjithashtu shprehu gadishmërinë për të shtyrë marrëdhëniet Kinë-ShBA drejt një përparimi më të madh nga një pikënisje e re.
Xi theksoi se si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, dy vende të mëdha, po ndjekin ëndrrat e tyre dhe janë të përkushtuara për të përmirësuar jetën e njerëzve të tyre.
“Kina dhe ShBA-ja ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe hapësirë të madhe bashkëpunimi. Të dy vendet mund të bëhen partnerë dhe miq, të kontribuojnë në suksesin e njëri-tjetrit dhe të gëzojnë prosperitet të përbashkët, nga i cili do të përfitojnë të dy vendet dhe e gjithë bota”, tha Xi.
Presidenti Xi Jinping tha se është e pashmangshme që Kina dhe ShBA-ja, si dy vende të mëdha me kushte të ndryshme kombëtare, të kenë disa dallime. Çelësi është të respektojnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe të gjejnë mënyra të përshtatshme për zgjidhjen e çështjeve.
Ai tha se çështja e Tajvanit ka të bëjë me sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës dhe shpreson që pala amerikane ta trajtojë atë me kujdes.
Natyra e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare kino-amerikane është reciprokisht e dobishme dhe fituese, ndaj konfrontimi dhe konflikti nuk duhet të jenë zgjedhja e të dy vendeve, tha Xi.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve të rrisin bashkëpunimin, të bëjnë gjëra më të mëdha, praktike, të favorshme për të dy vendet dhe botën në përgjithësi, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm, në mënyrë që të mbajnë dy anijet gjigante, Kinën dhe ShBA-në, të ecin përpara në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Trump falënderoi Xi për urimet e tij, duke thënë se ai e vlerëson marrëdhënien e tij të shkëlqyer me Presidentin Xi. Ai shpreson të vazhdojë të ruajë dialogun dhe komunikimin dhe pret me padurim të takohet me Presidentin Xi në një datë të hershme.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë vendet më të rëndësishme në botë sot, ndaj ata duhet të ruajnë miqësinë afatgjatë dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur paqen globale, tha Trump.
Xi dhe Trump shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, si kriza e Ukrainës dhe konflikti Izrael-Palestinë.
Ata ranë dakord të krijojnë kanale strategjike komunikimi dhe të mbajnë kontakte të rregullta për çështjet kryesore me interes të përbashkët.