Dr.sc. Vlora Obertinca: Fuqia e mendjes, një fuqi hyjnore…
“Fuqia e mendjes, një fuqi hyjnore që nuk mund të preket fizikisht, por mund të ndihet emocionalisht, fuqi kjo që e kontrollon fizikun dhe psikikën e njeriut, si dhe çdo gjë që e rrethon atë. Kjo fuqi mund të ndërtojë dhe të krijojë kryevepra dhe mrekulli të papara, por edhe mund të shkatërrojë aq shumë, saqë dëmet mund të jenë të pariparueshme, në varësi se si e përdorim këtë fuqi“ – Dr.sc. Vlora Obertinca.
Dikush operon në frekuenca më të larta të të menduarit, dikush tjetër operon në frekuenca më të ulëta të të menduarit, varësisht nga ajo se sa të rënda dhe të vështira janë mësimet e jetës. Disa mësime mësohen më shpejt dhe disa më ngadalë. Kështu që, nëse ne e shohim veten tonë që operon në një frekuencë më të lartë mendimesh, duhet të jemi dobiprurës dhe të afërt, që të tregojmë përkrahje dhe motivim për njerëzit në frekuenca më të ulëta të të menduarit. Me mendjen tonë duhet t’u dërgojmë dashuri, që t’ua lehtësojmë dhe t’i mirëkuptojmë në rrugëtimin e mësimit të leksioneve jetësore. Dhuroni dashuri sa të mundni, sepse dashuria jo vetëm që është frekuenca më e lartë e të menduarit, por është edhe frekuenca më e lartë pozitive që mund t’i dhurohet dikujt, e cila nuk kushton asgjë, madje është falas.
Fragment nga libri im i autores, titulluar “Vera e shpirtit”.