Natasha Lako: Unë dhe perandoria ime e vogël
Perandoria ime e vogël. Të dua si një lodër pa fund.
Në fillim përpjesëtoj të gjitha hapësirat.
Ia kaloj Aleksandrit të Madh dhe marr një copë Himalajë.
Njerëzit zakonisht lakmojnë diçka që e dinë,
ashtu si mbretëresha e Spanjës, që kur kërkonte kontinentin,
pati ëndërruar floririn.
Unë ëndërroj një majë mali me borë të përjetshme.
Një kufizim i vërtetë fantazie.
Po vazhdoj të zëvendësoj fantazinë me ritmin e tingujve të trumbetës,
që del nga bisedat e mia të përditshme.
Të gjitha ëndrrat dalin si tinguj trumbete.
Të shtënat e dasmave kanë mbetur si bishta të luftërave të ikura.
Përshëndetja me krisma e lindjes së fëmijëve,
lind si gëzim për prenë e së nesërmes.
Njerëzit zor ta kuptojnë fitoren,
pa parë me sytë e tyre çfarë kanë vënë nën gjunjë.
Unë vë në gjunjë Himalajën.
E bëj Korab, e bëj Tomorr dhe qetësohem.