Arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj
Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua pasditen e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Një urdhër arresti në shtëpi është lëshuar dhe për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Arrest me burg është kërkuar dhe për një sipërmarrës, ndërsa për 5 të tjerë, masa më të buta sigurie. Zoti Veliaj dyshohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij edhe për mosdeklarim të pasurive. Nën hetim ka përfunduar dhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, nën dyshimet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
![Arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj Arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj](https://gdb.voanews.com/cd3aed77-0973-4e59-b62b-08dd481ae9e5_tv_w650_r0.jpg)
Zoti Veliaj ndodhej në një mbledhje kur oficerët e Byrosë kombëtare të hetimeve, janë shfaqur në zyrën e tij, ku i kanë komunikuar dhe urdhërin e arrestit të firmosur nga gjykatësi. Ata e kanë shoqëruar më pas jashtë mjediseve të Bashkisë drejt paraburgimit. Për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, urdhëri i arrestit në shtëpi nuk është ekzekutuar pasi mësohet se ajo ndodhet jashtë vendit.
Ndaj të dyve rëndojnë dyshimet për akuzat e korrupsionit në 9 raste si dhe të pastrimit të parave. Ndërsa ndaj bashkëshortes së zotit Veliaj, dhe dyshimet për mosdeklarim të pasurisë.
Sipas Prokurorisë të dhënat e deritanishme kanë zbuluar se zoti Veliaj dhe bashkëshortja kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme. “Fonde publike dhe leje ndërtimi që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”, shpjegon Prokuroria e Posaçme.
Në njoftim, përmendet ndër të tjera një vilë në zonën bregdetare të Kavajës e përfituar përmes sipërmarrësve të lidhur me Bashkinë si dhe blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë.
Sipas hetimit vetëm nga shoqëritë dhe OJF-të e kontrolluara nga zonja Xoxa si dhe nga disa shoqëri të tjera janë përfituar afro 1.1 milionë dollarë të ardhura. Përmes kompanive të tera dhe bashkëpunimit me disa sipërmarrës, sipas prokurorisë është tentuar dhe futja e të ardhurave të paligjshme në sistemin bankar.
Bashkëshortja e zotit Veliaj, sipas hetimit, “vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online në veshje e bizhuteri , për më shumë se 800 mijë euro. Shpenzime që nuk rezultojnë të deklaruara”.
Në llogaritë bankare të saj apo shoqërive të kontrolluara prej saj janë sekuestruar 869 mijë euro, ndërkohë që gjatë kontrolleve ne zyrat e zonjës Xoxa janë gjetur cash 95 mijë euro, gati 15 mijë dollarë dhe mbi 600 mijë lekë.
Për një nga sipërmarrësit Elman Abule që sipas prokurorisë është përfshirë në bashkëpunimin me zotin Veliaj dhe bashkëshorten e tij, është lëshuar urdhër arresti me burg. Ai u arrestua pasdite vone. Ndërsa për 5 të tjerë, është vendosur vetëm detyrim paraqitje.
Hetimet kanë përfshirë dhe deputeten socialiste Klotilda Bushka, drejtuese e Komisionit të Ligjeve, e cila ka lidhje të ngushta miqësie me zotin Veliaj dhe bashkëshorten e tij. Ajo dyshohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas prokurorisë “ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se ajo ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë ndërhyrë në hetim”.
Zoti Veliaj u përball me hetuesit në fund të muajit dhjetor, ku u mor në pyetje për gati 5 orë. Ai deklaroi më vonë se ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh , “nuk ekziston”, duke e cilësuar denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Mbi arrestimin e zotit Veliaj nuk ka patur ende asnjë koment nga qeveria apo partia socialiste. Kryeministri Edi Rama, i cili javët e fundit ishte rishfaqur në krah të kryebashkiakut, ndërpreu disa aktivitete të parashikuara në Shkodër ku ndodhej që prej paradites, dhe u nis me urgjencë drejt Tiranës.
Polemika në Kuvend dhe reagime për arrestimin e zotit Veliaj
Kryetari i Partisë Demokratike të pozitës, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, i cili, sipas tij, qëndron pas çdo veprimi “prej vasali” dhe nënshkrime për leje ndërtimesh të Erjon Veliajt.
“I them Edi Ramës se nuk mund të fshihesh pas fustanit të Ajola Xoxës as pas Erjon Velisë. Populli i Tiranës ka protestuar 42 javë rresht para bashkisë për arrestimin e tij. Për turpin e atyre që duan të mbrojnë Edi Ramën, nuk e akuzojnë për 130 milionë euro të inceneratorin e Tiranës. Nuk e akuzojnë për 5D, as për taskat antikushtetuese dhe vjedhjet monstruoze të taskave”, tha zoti Berisha në seancën parlamentare.
Ministri i shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla, tha se “shumica socialiste asnjëherë e në asnjë rast nuk komenton veprimet e drejtësisë gjatë hetimeve, ndërsa opozita e cilëson drejtësinë si të kapur sapo ajo vepron ndaj njerëzve të saj”.
Ai ftoi opozitën që të bëjë kallzime në prokurori për çdo gjë që di në lidhje me korrupsionin ndaj kujtdo zyrtari.
Deputeti socialist Petro Koçi tha se sjelljet e opozitës duken paradoksale në raport me SPAK-un.
“Çuditërisht ju në vend që të jeni të gëzuar, jeni të trishtuar. Ju ndiheni keq nga çdo veprim që bën SPAK-u, sepse SPAK-u sipas jush duhet të ishte një organizatë kriminale. SPAK-u është zgjedhja jonë, nuk është zgjedhja juaj, që për turpin tuaj vazhdoni ta quani organizatë kriminale”, tha zoti Koçi.
Ndërsa Lulzim Basha drejtuesi i Demokratëve Euroatlantikë komentoi në rrjetet sociale se bashkia e Tiranës u shndërrua në vatër korrupsioni dhe në lavatriçe parash të pista nën drejtimin e Erion Veliajt dhe me mbështetjen e Edi Ramës.
Ai theksoi se “fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit në Shqipëri”, teksa vlerësoi vendosmërinë e SPAK-ut “për t’i shkuar deri në fund aferave korruptive” dhe nxiti institucionet e drejtësisë “të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta”.
Zoti Basha tha se kryeministri Rama duhet të largohet teksa rritet numri i bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij para drejtësisë për korrupsionin që vetëm ai nuk e sheh dhe nuk e parandalon, në mos është bashkëpunëtor i tyre në korrupsion.