Friedrich Merz shpall fitoren në zgjedhjet gjermane
Berlin, 23 Shkurt 2025 – Friedrich Merz, lideri i CDU/CSU, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, pas publikimit të exit poll-eve që e renditën partinë e tij si fituese. Ai ka theksuar se sfida kryesore tani është formimi i një qeverie të qëndrueshme dhe të fuqishme sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Kemi fituar zgjedhjet”, deklaroi Merz gjatë një fjalimi të mbajtur në selinë e partisë, Adenauer Haus, duke shtuar se procesi për krijimin e qeverisë do të jetë i vështirë, por duhet të ndodhë sa më parë.
“Duhet ta formojmë atë sa më parë me një shumicë të duhur parlamentare, sepse bota nuk na pret. Gjermania do të rikthehet të jetë e besueshme”, theksoi Merz.
Lideri i CDU-së bëri thirrje për dialog me partitë e tjera, duke u shprehur se pas një fushate të ashpër elektorale mbi çështjet ekonomike dhe emigracionin, tani është koha që të zhvillohen bisedime për formimin e një qeverie që mund të veprojë.
Sipas exit poll-eve, CDU/CSU pritet të fitojë me 29% të votave, ndërsa AfD, partia e ekstremit të djathtë, renditet në vendin e dytë me 19.5%, duke dyfishuar përqindjen e votave të saj krahasuar me vitin 2021 (10%).
Partia SPD, e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz, renditet e treta me 16% të votave, ndërsa Të Gjelbërit janë të katërtët me 13.5% të votave.
Nëse këto rezultate konfirmohen, nuk është ende e qartë nëse Merz do të mund të formojë një koalicion vetëm me një parti tjetër, siç është SPD, apo nëse do t’i duhet të negociojë me më shumë se një palë. Kjo mund të vonojë procesin e formimit të qeverisë, pasi do të varej edhe nga përfaqësimi i partive të tjera në parlament.
Në një reagim të mëvonshëm, Olaf Scholz pranoi humbjen e tij dhe e përgëzoi Merz për fitoren, duke e cilësuar si një sfidë të re për të ardhmen politike të vendit.