Cikël poetik nga Natasha Lako

Mimozat e ardhura nga larg
mimozat e një pranvere të largët
mbërritën deri në botën e mbuluar me akull,
mimozat e përndritura të një pranvere të largët,
në roje të qiellit të ri pranë dritares,
me një durim të përvuajtshëm,
u thanë pak nga pak
nën një dritë të re dëbore,
të përdaluara prej kufijve të ajrit.
atje pranë një dritareje,
ku një dritë nuk e di dritën tjetër.
*
*
Tokë e re
Kështu ndodh/sa herë/që s’je/atje/zhveshur prej gjithçkaje/
në /një/skenë që s’shfaqet,/dhe /kërkoj /të ngjitem/të zbres/pa e ditur/hapësirën/shkallët /e
vendosura/ që janë/ larg/
në
vend
lindje/
të shkallëve
dhe
vend
lindja
e skenës/është/m’u atje/ku s’je zhveshur prej gjithçkaje/‘në një anë /që emrin nuk ta thotë/as lëkurën/nudon/
je pa lak, pa gurë, pa brryl, pa humnerë/pa folenë e zogut/që/
blihet sa herë të duash/s’ke çfarë/ të luash,/me/ç’të dëgjosh/
rreth diellit që digjet,/pa Pitagorën,/
pa/
vend/
lindje/
të djegur, pa formë/pa njohur abstragim/hipotezën/po /që /rrjedh/
‘në skenën/që s’është’më/
si të gjithë njerëzit,që/
vazhdojnë /
të /
djegin/
plot/
ngjarje,/
pa hi.
*
*
Druaj
Druaj
Kur gërryej buzët me lipstick.
–
Nuk di mbi buzë se çfarë kam shkruar,
Dhe nuk e di çfarë kam për të shkruar.
Druaj.
–
Mbi buzët e gruas është shkruar e para historia,
Të çmendet pastaj dashuria.
Druaj.
–
Dita pikon mbi buzët si kandil i ndezur,
Nata pikon si kandil i shuar.
Druaj.
–
Njeriu ulet përpara pasqyrës gjithnjë,
Që diçka të paguajë,
Druaj.
–
Mbi buzët e gruas do të shkruhet gjithnjë e para historia,
Do të çmendet pastaj dhe vetë dashuria.
–
Në formën e gëzhojës së hedhur gjithnjë do të ketë mbetur,
Edhe një i kuqbuzësh që do të ketë shkruar diçka tjetër.
–
Mbi buzët e gruas shkruhet dhe shkruaj.
Druaj.
i kam zbathur hapat
veshët sjellin zemërimin e ferrit,
sytë sjellin dritën e parajsës.
orët e marrëzisë,
brenda zemrës. ngulin heshtjen
–
E çuditur veten pyes, se si kam qenë kaq e mirë,
me të gjithë kumandarët,
kumbarët, këmbanat, vathët e veshëve,
gojëtarët, sapun lajmëtarët e të gjithë rrebesheve.
–
Në kokë vërtiten fjalët,
si në një burg të vjetër.
I kam zbathur hapat.
………..
I qetë po hesht,
një sapun i pahapur,
pa shteg e pa shtëpi.
*
*
Sytë prej Margarite
Brenda një dhome, si brenda një truri të zbazët,
Nata, mes errësirës, ballin e mbështet në dritare,
dhe duar në parvaze.
E kaltra po shuhet përtej, po tretet në xham si në retinë,
Është zgjatur nata të shohë me sytë prej nëne.
Mua më faniten sytë e Margaritës, ku janë djegur gjithë qiejt,
Dhe ka mbetur vetëm hiri,
Ato gropëza të thella ku mbeten lotët, e që ngjasin aq shumë,
Me parvazet e dritareve, ku mbeten pikat e shiut.
*
*
Exile
Një natë që nuk pushon, që zgjatet thellë e më thellë,
Në trupin tim kalon, si në një tunel.
Nëpër natë zemra e Stokholmi rrjedh,
Në mendime të rënda dhe të coptuara si ishuj,
Të rënda, gati duke ikur drejt fundeve të zbrazët,
atje ku të presin kafshët e mirëseardhjes.
–
Më tej se qyteti nuk ke ku të shkosh,
Më tej gjendesh i vrarë.
Përtej kufijve të jetës,
Në vend të lotëve,
Vijnë rënkimet e lumenjve,
Nëpër ngrohjen qendrore.
(Natasha Lako “Thesi me pëllumba”, poezi, botimet ‘Eurorilindja’, Tiranë 1995).