PAJTIM S. SEJDINAJ: AKADEMIA E FISNIKËVE (1)
Pjesa e dytë
Vizita tek Tempulli i Kalamatrëngut
Atë mbasdite bie zilja e telefonit. – Alo!
– Po!
– Jam “Lisi i Moçëm”! – Po! Po të dëgjoj!
– Nesër do të bëjmë disa vizita… bashkë! Më prit te shkolla e Bejarit në orën 8. 00!
– Si urdhëron! – i thashë.
Mbylli telefonin. Kishin kaluar tre ditë nga festa e 100-vjetorit të hapjes të “Mësonjëtores së parë shqipe” në Mallakastër.
E nesërmja ishte e dielë. Atë ditë u ngrita nga gjumi. Hëngra mëngjesin, piva kafen dhe u nisa për te shkolla. Rrugës po mendoja suprizat që do të më bënte “Lisi i Moçëm”.
Me këto mendime në kokë arrita te shkolla. Po më priste! Ora shënonte 8.00 në mëngjes. Data shënonte 27 Prill, dita e vrasjes së Korifeut.
Veshur si për dasmë. Me kostumin e tij të zi karakteristik që e vishte në ditë festash, me jelekun e zi dhe me këmishën e bardhë si kartë cigare. Dhe mbahej pas shkopit magjik. Vesa e atij mëngjesi shkëlqente nga rrezet e diellit mbi barin e gjelbër. Qershitë me lule të e bardha kishin hedhur mantelin e bardhë si bora e natyrës. Ullinjtë ishin në lulëzim dhe krijonin dhe ata sfondin e tyre me petkun e bardhë. Kudo të rrok syri vetëm jeshillëk, lulet shumëngjyrëshe i jepnin natyrës pamjet e ylberit. Nëpër pyje dëgjoheshin tingëllimat e zileve dhe këmborëve të bagëtive që formonin harmoni dhe një simfoni të plotë më këngët e zogjve. Në çdo familje në fshat atë mëngjes kishte filluar dybeku ku udhëtarët e rastit gostiteshin me një gotë dhallë. Fëmijët e vegjël prisnin sa gjyshet të zbrazin dybekun dhe të ‘vidhnin’ gjalpin në tenxhere. Qingjat dhe kecat lozin nëpër lëndina dhe gëzonin dhe ata duke marrë pjesë në gëzimin dhe harenë që kishte mbërthyer fshatin tim të lindjes në këtë kremtim të 100-vjetorit të hapjes së ‘Shkollës së parë shqipe’. Në çdo shtëpi dëgjohej kënga kushtuar ‘Hajredin Rakip Fratarit’, kënduar nga djali i fshatit Mendi Nukaj.
Ai mëngjes për ne mallakastriotët kishte brenda mallin, dhimbjen dhe dashurinë. Ajo datë e 27 Prillit mban të mbledhur si një det i madh lotët e derdhur për vrasjen e Korifeut nga Mallakastra dhe gjithë Shqipëria. Dhe në këtë ditë të sotme “Lisi i Moçëm” më ftoi për vizitë.
– Mirëmëngjes, – i them.
– Mirëmëngjes! – ma ktheu me një buzëqeshje që dinë të buzëqeshin vetëm të moshuarit. – Sot do të bëjmë disa vizita bashkë, – më tha duke drejtuar shkopin magjik nga varrezat dhe nga Tempulli i Kalamatrëngut.
Drejtimin e Shkopit magjik e kuptova, por s’po kuptoja se ku.
– Më kënaqësi, – i thashë, – jam në dispozicionin tuaj!
– Shkojmë! – tha duke drejtuar shkopin magjik nga varrezat. U nis. Unë e ndoqa nga pas.
Varrezat ishin afër shkollës. Te porta e varrezave po na prisnin ‘Lisat e vdekur’, por të ‘gjallë’! Kishin dalë të gjithë Lisat. Unë nuk shihja njeri, por i shikonte “Lisi i Moçëm”.- Tungjatjeta! – tha duke ngritur lart shkopin magjik. – Ja! Erdha të takohem me ju! Kam marr dhe këtë nipin tim dhe tuajin! Të çmallemi! T’iu themi se amaneti u sos! (Ai po fliste si me vete, mua m’u duk sikur kisha para syve ‘Hamletin’ me monologun e tij të famshëm ‘Të rrosh apo tëmos rrosh! Kjo është çështja’!) Po Hamleti im ç’kërkon këtu?
Ai vazhdoi monologun duke u thënë ‘Lisave’: -Çështja u zgjidh. Balta e hedhur për 100 vite mbi Korifeun u pastrua! Shtrati i merimangës u dogj, u përvëlua! Korifeu erdhi në vendlindje! Amaneti juaj u sos! Shpirti i juaj le jetë i qetë! Edhe unë do të vij këtu! Jam i vetmi ‘Lis’ i shekullit 20-të që mbijetoj! Zoti më la të shikoj më sy realizimin e ‘Amanetit’. Të falenderoj o zot! Amin! Edhe unë i kam hipur trenit që udhëton për te ju! Me ditë jam e do të nisem! Do ju dërgoj e-mail kur të nisem!
U përul, duke thënë: – Përulem para jush në këtë ditë të dhimbshme të vrasjes së Korifeut! Juve! Luftëtarëve të Lirisë! Juve që iu bashkuat Lëvizjes Kombëtare për shpalljen e Pavarësisë të At-mëmëdheut! Unë jam ‘Maratonaku’ i viteve, që renda për te ju! At-mëmëdheu ka dhe një amanet: A do bashkohet trungu i ndarë Shqipëri-Kosovë-Çamëri në një; duhen Martirë si ju që ta bëjnë realitet. Mirë u takofshin së shpejti!
Këtu e mbaroi monologun Hamleti im! Jetojmë akoma në ‘Epokën Shekspiriane’ – thashë me vete. Ai ngriti shkopin magjik dhe e drejtoi për nga Tempulli. E kuptova që do të niseshim për në Tempullin e Kalamatrëngut. U nisëm.
– Për në tempull! – më tha me gjysmë zëri, – të takojmë Martirët.
– Po, i thashë.
U mendova se për në Olimpin e tempullit të Kalamatrëngut rruga ishte disi si malore. Mosha bën punën e vet, “Lisi i Moçëm” do kohë të ngjitet në Kala. Po njoftoj Lilon të na çojë me makinë. Nxorra telefonin dhe mora Lilon. I rashë ziles.
– Alo! Merr makinën dhe eja te shkolla! – Erdha! – tha.
“Lisi i Moçëm” e kuptoi, por nuk foli. Mbërriti Lilua. Hipëm makinës dhe u nisëm për në Olimp. Pas një çerek ore mbërritëm. Zbritëm. “Kur të marr në telefon eja na merr”, i thashë Lilos. Ai tundi kokën dhe iku se kish disa punët e veta. Zbritëm në tempullin e Kalasë së Martirëve, këtu ku kanë zbritur Perënditë, këtu ku qielli kapet me dorë, ku Tomorri madhështor na përshëndet me dorë, ku kurora e Malit është dëshmitare që ne jemi autoktonë, ku Bylynët vërtetojnë se ky truall është i vjetër. U nisëm drejt “Gurëve të Kuvendit”. Aty ku kishte qenë “Lisi i Fratit” ishte një shkëmb i madh, gati 2 metra i lartë. Dhe disa shkëmbinj të vegjël në formën e stolave. Nuk dihet kush i kishte mbjellë. I kishin pagëzuar me emrin “Gurët e kuvendit”. Nuk dihej as moti kur ishin pagëzuar me këtë emër. Ishin gjithsej 9 gurë. Ngjanin me gurët e ngrirjes së Plakës në majë të malit. Sipas gojëdhënave edhe këtu kishte ndodhur një dimër i ashpër dhe kishte ngrirë kryeplaku së bashku me antarët e pleqësisë. (Nuk ishte rastësi që fshati kishte 9 mëhalla). Ndofta kjo ka lidhje me legjendën. Një gjë është e sigurtë, riti pagan i plakave që bëhet në fund të Marsit nisej që këtej nga të rinjtë e fshatit. Këta ‘gurë’ nuk dihet si i shpëtuan katrahurës barbare kur u shkul “Lisi i Fratit” nga “Zgërbenjtë e Kuq” më 25 Dhjetor 1968, ditën e Krishtlindjeve…
– Paska shumë njerëz! – tha “Lisi i Moçëm” duke u drejtuar për të ulur te “Guri i rrëfimit”. Mbi qiellin e Olimpit fluturonte një re e bardhë pëllumbash, që cilët shkonin deri te “Mësonjëtorja e parë” dhe ktheheshin prapë në Olimp. “Lisi i Moçëm” u ul mbi “Gurin e rrëfimit” dhe ripërsëriti si me vete: – Paska shumë njerëz! Janë mbledhur të gjithë martirët e historisë ndër vite… Mandati i vrasjes së Hajredin Fratarit ka qenë nga më të rënda në jetën time. U nisëm nga Berati 30 burra me në krye Arben Osmanin, kryeplakun e fshatit, Sulo Rakipin (të vëllanë) dhe Veiz Zeqaj (imamin e zonës) për të organizuar një kryengritje me burrat e Mallakastrës së Sipërme drejt Beratit. Këtu më Tempullin e Kalamatrëngut, pra këtu në Olimp ku jeni mbledhur ju sot në përkujtim të asaj dite. U mblodhën të gjithë duke thirrur: Hakmarrje! Hakmarrje! Hakmarrje! Por Zonja e Fisnikërisë, Sabireja nuk na lejoi. – Nuk dua ta dëgjoj fjalën gjakmarrje, nuk dua një gjakderdhje të re! Nuk dua t’i lë fëmijët dhe vëllezërit e mi peng të një kanuni mizor. Duhet të jemi të qetë, e rëndësishme është të vazhdojmë rrugën që la në mes vëllai juaj dhe im shoq për të mirën tonë, për të mirën e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë rrugën e Lirisë që la në mes ‘Senatori i Fisnikërisë’, – përfundoi deklaratën Zonja e Fisnikërisë. Hyseni (i vëllai) së bashku me disa burra të tjerë të Mallakastrës qëndruan në Berat. Gjendja ishte shumë e rëndë, gati në prag të një luftë civile. Dhe ne e bluam dhimbjen në mullirin e kafesë!…
Pëllumbat kishin zbritur të gjithë mbi Olimp dhe dëgjonin me vëmendje monologun e “Lisit të Moçëm”. Shpirtrat e Martirëve ishin kthyer në pëllumba të bardhë.
E pyeta “Lisin e Moçëm”: – Pse është kaq i rëndësishëm ky tempull, ky Olimp, kjo kala?
Ashtu siç ishte ulur u çua në këmbë dhe tha: – Nga këtu ka nisur udhën në kërkim të Lirisë të gjithë Martirët gjatë gjithë historisë! Këtu janë bërë të gjithë kuvendet në kërkim të saj. Mjafton të kujtojmë vitet 1837, 1906, 1912, 1915, 1920, 1939, 1944, 1990, 1997 për të zbuluar historinë. Këtu janë rrënjët e mallit, të dashurisë, të dhimbjes. Nga këtu merr jetë pranvera për të lulëzuar. Pa shiko filizat e ‘Lisit’ si po hedhin shtat. Shiko pëllumbat e bardhë si fluturojnë të gëzuar mbi truallin mëmë. Nën këmbët e Tempullit nga krahu i lindjes, buzë autostradës është ndërtuar një lokal i bukur. Falenderoj Zotin që më ngarkoi me detyrën e Maratonomakut për të sjell lajmin këtu te shpirti i Martirëve për t’u thënë se amaneti u realizua! Dhe tani ka mbetur vetëm një amanet pa realizuar për të gjithë shqiptarët kudo që janë në botë: Bashkimi i Trungut të At-mëmëdheut në një, d.m.th. Shqipëri-Kosovë-Çamëri! Ëndërr e shumë pritur! – tha “Lisi i Moçëm”. Regjimi i Enver Hoxhës i zhduku nga faqja e historisë në vitet 1945-1990 këto perla të historisë.
– Po pse? – e pyeta.
– Sepse ata edepsëza nuk kishin ‘din e iman’, ata kishin lindur vetëm për mëkate. Do të llafos kur të pimë kafe te lokali! – më tha si i mallëngjyer.
Zbritëm avash-avash për të pirë një kafe duke i lënë pëllumbat e bardhë të fluturojnë mbi At-mëmëdheun. “Lisi i Moçëm” vijoi: – Si sot më kujtohen fjalët e Hajredin Rakip Fratarit para vdekjes: “O të paudhë! Mos luani me zjarrin. Po na mohoni vatanin: Shqipëri-Kosovë-Çamëri! Ky është Atdheu që e kemi trashëguar nga Skënderbeu dhe ne do e mbrojmë me gjak! Se shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, zemrën e babës për të luftuar si burrat dhe jetën e tyre, atë që i duhet për ta dhënë për atdheun”.
Testamenti
Kur të hapësh sirtarin tim!
Do të gjesh një premtim!
Do të gjesh një amanet!
Që tund botën si tërmet!
Do të gjesh një testament:
‘Mos harro Atdheun tënd!
Është i bukur si flori!
Është e vetmja pasuri’!
Do të gjesh ‘Gjuhën Shqipe’
Si një gur margaritar!
që të bën ty kaq krenar!
Dhe e ndjen veten shqiptar!
Kur të hapësh sirtarin tim!
Do të gjesh një ‘Flamur’!
Është ai që nuk vdes kurrë!
Është simboli i Kombit tim!
Ai që bëri Historinë!
Na jep Nderin dhe Lavdinë!
Dhe çliroi Shqipërinë!
Testamentin e argjentë.
Mbaje në sirtarin tënd!
Gjezdise botën me këmbë.
Në çdo cep e në çdo vend.
‘Kurrë mos harro Atdheun tënd!
Si të vetmen pasuri!
Të trashëguar nga gjyshi ti!
Të trashguar brez pas brezi”!
Kështu të thotë Amaneti!
FËMIJËRIA E MAJORIT RAUF HAJREDIN FRATARI
Sapo u kthyem nga një vizitë mbresëlënëse në Tempullin e Kalamatrëngut ku në Olimp vallëzonin shpirtrat e Martirëve që ishin kthyer në Pëllumba të Paqes dhe fluturonin të lirë mbi truallin e At-mëmëdheut dhe në darkë mblidheshin sa te ‘Kulla e Fildishtë’, aq te ‘Mësonjëtorja e pare shqipe’. Si dhe lulet shumëngjyrëshe të Pranverës që buzëqeshte dhe ia shtonin bukurinë Tempullit të Kalamatrëngut.
Pëllumbat e Paqes këndonin në kor këngën “Dhe Pranvera erdhi” dhe këngën e hapjes së shkollës së parë shqipe të kënduar nga Menti Nukaj. “Lisi i Moçëm” për moshën që kish donte qetësi dhe s’para i pëlqente kallaballëku, ndaj dhe në telefon e sqarova pronarin. Ai ra dakort.
Në dhomën e pritjes erdhi kamarieri dhe ne porositëm për të pirë nga një gotë verë, që na i solli menjëherë së bashku me mezet. Mua m’u kujtua biseda që bëra te lokali në Fratar me “Lisin e Moçëm” dhe më mbeti merak kur më tha se për Rauf Fratarin do të rrëfehem një ditë tjetër. Si dhe pyetja që i bëra kur po vinim në lokal. Gjeta rastin dhe thashë me vete “do t’i ngacmoj kujtesën”. Duke çokut gotat i them: – Po ky “Armiku i popullit”, Rauf Hajredin Fratari “ç’të zeza” i ka bërë këtij popullit të Bejarit? E di që është lakuar si “Armik i popullit” për 50 vjet, por s’ia di mirë “vrasjet makabre” që ka bërë!
E la atë gotën e verës mbi tavolinë dhe m’u drejtua si me inat.
– Po ti beson se ai ka bërë vrasje?
– Po kështu flitej para viteve 90-të! Kushedi sa “nëna kanë lidhur shamitë e zeza” për fëmijët e tyre nga ai!
– Hëëë! Mbylle gojën! Mos t’ia ngarkoj shpirtin! Lëre Fisnikun të prehet i qetë në Parajsë! E kam lëmshin e dhimbjes këtu në gjoks (dhe tregoi me dorë), nuk është shëruar akoma! – më tha.
Vura re se nga sytë po i rridhnin lotët çurk. – Ti të ‘kruan atje ku të ha’! – më tha duke nxjerrë shaminë dhe fshiu lotët. Vazhdoi: – E kam këtu në zemër! Është meraku më i madh i jetës sime. Jo që s’ka bërë vrasje, por është dhe mbetet “Guri margaritar” në historinë shekullore të Bejarit, të Mallakastrës dhe gjithë At-mëmëdheut. Por të paudhët e vranë! A vritet Ylli more bir? – më tha.
– E ke njohur nga afër? – i them.
– E kam rritur! Ku kish burrë, grua, pleq, plaka në Bejar, Fratar dhe Mallakastër që të mos e njihte atë burrë. Ishte i veçantë.
– Më the që e ke rritur!
– Po! – më tha – do të tregoj për të që nga lindja dhe deri sa e përcollëm për në Itali në Nëntor 1944. Ai lindi më 5 Shkurt 1909 në lagjen e fisnikëve të Zotaj të fshatit Bejar, Mallakastër, të “Mësonjëtores së parë” që është edhe sot si godinë e cila ka mbi 250 vjet që është ndërtuar. Projektin e saj e solli nga Turqia, gjyshi i Rauf Fratarit, Rakip Isuf Zotaj. Ka një konstruksion interesant. Një ndërtesë dy katshe. Ka patur dhe një kat të tretë në formën e një kulle të lartë ku çdo natë fisnikët bisedonin me malin e Tomorrit, me malin e Kullsit, me malin e Shëndëlliut dhe Bylys-Gradishtë-Hekal. Me mur guri 80 cm i gjerë me qerpiç-gëlqere, me brez hekuri shtruar dyshemenë me dhogë lisi mbuluar me rrasë guri. Guri i ndërtesës është marrë nga Përroi i Zi (toponim i fshatit Ninsh). Kanë punuar për transportin e tij 200 mushka. Kanë punuar 10 ustallarë nga Opari për gati dy vjet. Me shkallë nga brenda. Është një koiçidencë e çuditshme se edhe ‘Beu’ i Çorrushit (Mehmet Shehu) kur ndërtoi muzeun e vet gurët e tij i mori nga Përroi Zi, por me të vetmin ndryshim. Beu i Bejarit i bëri vetë sarajet me djersën e ballit, kurse Mehmet Shehut ia bëri Partia e Punës me djersën e popullit. Paradoksi më i madh është se Beu i Bejarit e shtroi me kalldrëm fund e krye të lagjes dhe jo deri te shtëpia e tij. Kurse Mehmet Shehu e shtroi me asfalt rrugën deri te porta e muzeut (shtëpia e vet) dhe nuk e çoi deri në qendrën e fshatit që ishte 200 metra larg shtëpisë së vet. Komentin dhe analizën bëje vetë. Beu i Bejarit nuk pranoi të ulej të hante në grazhdin e ‘Beut’ të Çorrushit, prandaj Mehmet Shehu e vrau atë. Ndërtesa e ngritur nën këmbët e Tempullit të Kalamatrëngut ishte me 16 dhoma ku dy prej tyre u përdorën si klasa për “Mësonjëtoren e parë”. Pikërisht në këtë ndërtesë lindi Rauf Fratari. Jeta e tij është mbushur me grimca rrëfimesh të vogla që formojnë legjendën e madhe të Bejarit, Rauf Hajredin Fratari. Atë muaj të Shkurtit 1909 në sarajet e Fisnikëve ndërtohej dhe një vilë tjetër. I vëllai i Hajredin Fratarit (Ademi) ndërtonte shtëpinë. Ustallarët që shtruan me kalldrëm sheshin e ‘Mësonjëtores së parë’ dhe rrugët e lagjes filluan punë në ndërtimin e vilës. Ata ishin nga Opari. Kryeustai (si administratori i sotëm) ishte te 65-at. Kishte mbaruar shkollën e Medresesë në Turqi, shok me imamin Veiz Zeqaj. Hajredini nuk ishte aty kur lindi djali sepse ndodhej në Janinë. Lajmin për lindjen e djalit e dha xhaxhai i tij, Sulua ku në orën 4 duke u gdhirë 5 Shkurti 1909, zbrazi armën. Fshati mori haberin se te Fisnikët erdhi një mysafir i ri. Gjithashtu jehona e ‘mamive’ (plakave të lagjes): Djalë! Djalë! Të rroj Xhixhiko! Të rrojë! – oshtiu grykave të fshatit dhe gratë e morën vesh se kontesha nga Përmeti lindi djalë. Gratë bën gati vezët, burrat dhe bodilen (shishen) e rakisë për të uruar për djalin.
Kështu erdhi në jetë djali i Hajredin Rakip Fratarit që do të pagëzohet me emrin Rauf. Të nesërmen shtëpia e fisnikëve priste dhe përcillte miq e shokë që vinin për të uruar për mysafirn e ri. Në orën 10, të nesërmen erdhën dhe ustallarët që ndërtonin shtëpinë e xhaxhit të djalit, për të uruar për lindjen e djalit. Tashmë ata ishin bërë si të shtëpisë dhe njiheshin nga të gjithë. Miqtë i pritën vëllezërit Sulua, Hyseni, nipërit Hamzua, Mehmeti, Pelivani, Ramadani, Xhaferi, etj. Fisi i Fisnikëve ishte shumë i madh dhe nuk ua ‘hante qeni shkopin’. Kryeustai uroi dhe u tha miqve: – Mirëse u erdhi Raufi! T’u rrojë dhe me jetë të gjatë!
Burrat shikuan njëri-tjetrin dhe i çuditi emri që tha kryeustai.
Sulua si më i madhi i tha: – Të faleminderit ore mik, por emrin nuk e kemi vendosur akoma!
– E di! – tha miku. – Por ky qitapi im i vogël (nxorri nga xhepi i xhamadanit një libër të vogël të shkruar arabisht) thotë se ky mysafiri i ardhur në odën tuaj e ka emrin Rauf! Dhe lexoi turqisht: “Ati ynë që je në qiell, jepi frymën e dashurisë, paqes dhe mirësisë Raufit tonë që Zoti na ndriçoi zemrat”! Ai u përul! Të njëjtin veprim bënë edhe burrat e tjerë. Hamzua (i nipi) që kishte qenë për hoxhë në Turqi e kuptoi mesazhin e tekstit të lexuar nga kryeustai. Kryeustai vazhdoi: – Emri Rauf në dokumente të hershme fetare do të thotë njeri i Paqes, Dashurisë, Mirësisë! Allahu do t’i jap atij Qetësinë e Mendjes, Forcën e Trimërisë dhe Mjaltin e Dashurisë për gjithçka!
Hamzua, nipi i Hajredinit bëri qerasjen e miqve. Miku nuk mori gotën e rakisë, po mori një karamele që Hajredini i kish sjell nga Janina vetëm për këtë rast. Duke u thënë burrave: – Me ymër! Të bëhet për pushkë! Mbjelltë vetëm Paqe, Dashuri dhe Mirësi në jetën e tij’! Pastaj vazhdoi: – Në të tilla raste urohet vetëm me ëmbëlsira! Ai që ka ardhur është i ëmbël si mjalti! Miku si për ta kuptuar dilemën e të zotëve të shtëpisë vazhdoi bisedën:
– Ju bëni ritet dhe zakonet tuaja! Shkoni për të marrë emrin në Teqe ku është myhyp Hajredini po dhe ai këtë emër do t’iu japë! Ky emër është vendosur nga ‘Pejgamberi’!
Ditën e tretë, Sulua, xhaxhai i hipi kalit dhe shkoi në teqen e Arakopit ku ishte Myhyp Hajredini. Zakoni e donte që emri i fëmijës të porsalindur të merrej në teqe. Sulua shpuri dhe një Kurban. Sa hyri në oborrin e teqesë, babai i tha: – Si e kam Raufin? Raufin! Raufin! Përsëriti dy-tre herë. Pra mysafirit do t’ia vinin emrin Rauf! Dhe të bëhet me mjekër të bardhë! Amin!
Sulua erdhi në shtëpi duke sjell emrin Rauf për foshnjen e porsalindur. Në shtëpi kishte mbërritur dhe vëllai nga Janina, Hajredini i cili kishte sjell dhe djepin për të birin. Ditën e pestë u çua emir i Raufit. Zakoni e donte që natën e vendosjes së emrit mblidheshin të gjithë fëmijët e lagjes nga 5-16 vjeç, djem dhe vajza. Bëhej gati bukaniqja, të cilën e kishte përgatitur nënë Havakoja, gjyshja. Ishte bërë dhe djepi gati. Njëra nga vajza theu bukaniqen, një nga djemtë e mori fëmijën e hodhi në djep. Të tjerët thirrën në kor: Rauf, Rauf, Rauf – duke përplasur duart. Gjyshja e fëmijës (nënë Havakoja) këndoi ninullën:
Të rritesh si Petrit!/O biro, o yll, o dritë!
Të më rritesh si zambak!/Të duash nënë dhe babë!
Nina-nina, djalin-o!/Nina-nina, o bir-o!
Të më rritesh si fajkua!/Të duash viset e tua!
Nënë Xhidaja mori një kalisher (varg) me hurdhra dhe e vendosi te djepi (te koka e djalit) se mos e ‘hanin me sy’ gratë e fshatit kur të vinin për vizitë. Në konakun tjetër vazhdonte muhabeti shtruar dhe kënga dhe vallja ‘gjym’ me njerëzit më të afërt të familjes (vëllezër, nipër, mbesa, daja, halla dhe lagjia, burra, gra dhe fëmijë). Kënga dhe gostia vazhdonte deri në të gdhirë! – përfundoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”. Pastaj m’u drejtua mua: – U mërzite! – më tha.
– Jo, po disa rrëfenja të vogla m’u dukën në kufijtë e të pabesueshmes, – i thashë duke qeshur.
Mori gotën e verës. – I gëzuar! I paharruar kujtimi i atyre burrave! – tha duke çokitur gotën.
– I paharruar në breza! – i thashë.
– Në fakt ashtu të duken të pabesueshme, por janë të vërteta, të ndodhura realisht. Janë trashëguar dhe transmetuar nga brezi në brez deri në ditët e sotme. Ja p.sh. unë t’i thashë ty, ti do t’ua thuash nipër e mbesave dhe këto grimca legjendash, gojëdhënash, anektodash, rrëfimesh nuk vdesin kurrë. Janë më të besueshme se sa historia e shkruar se atë mund ta ndryshojnë alabakët, injorantët. Të paktën unë I kam parë dhe i kam dëgjuar vetë… Mori një meze dhe pastaj vazhdoi: – Edhe nënë Xhidaja kishte parë një ëndërr sikur i kishin dale magjistricat dhe i kishin thënë se nusja e djalit të Havakos do të lind Dragua, një fëmijë me këmishë! Ke dëgjuar ti kur të thonë: “Ke lindur me këmishë! Me flatra nën sqetull”. Edhe kjo të duket e pabesueshme, por mua ma ka treguar nëna ime që bënte punën e mamisë për të gjitha gratë që lindnin. Ajo më tha: “Unë kam pritur shumë fëmijë të lindur nga nënat më lagje. Por me këtë fëmijë jam habitur, ishte i mbarë dhe ishte si ata dragonjtë e përrallave. Xhidaja me Havakon që më qëndronin pranë e mbështollën fëmijën me një rrobë të mëndafshtë dhe e vendosën në qoshe pranë oxhakut të zjarrit dhe më thane mua mos trego gjë. Unë u mora me lehonën, ato rregulluan fëmijën duke i hedhur batanijen tjetër të mos ftohej. Sollën dhe një batanije leshi për lehonën. Dhe unë shkoja për çdo ditë dhe e lanin, e ndërronin, e vishnin fëmijën së bashku me të madhen (Xhidanë) dhe xhixhikua (Havakoja) deri sa fëmija vajti dy vjeç, filloi të ngrihej në këmbë dhe të bridhte nëpër shtëpi. Edhe kur djali mbushi një vjeç dhe ne i hoqëm frikën 3-4 herë, unë së bashku me to i bënim të gjitha veprimet. Nusja sa i jepte gjoks se për ta ushqyer fëmijën ishim vetëm ne të trija. Unë isha si edukatore për të”. Këto m’i ka treguar nëna shumë vonë, kur Raufi shkoi në shkollë në Gjirokastër. Pra nëna ime ka qenë edukatorja e parë në çerdhen e parë në Bejar! – më tha duke qeshur. – Nënë Havakoja ia besoi elementët e pare të edukatës nënës sime deri sa vajti 5 vjeç. – Por kur i prenë frikën unë kam qenë atje, – vazhdoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”. – Frika pritet katër ditë, dy të mërkura dhe dy të diela mbasi fëmija mbushte 1 vjeç. Kishim një banor të veçantë në fshat që thoshte: “Kur të mbush një vjeç, fëmijën çoje në orën 12 të natës në Qafë të Ferrës (pyll) lëre vetëm, po qau preji kokën se ai është frikacak, po s’qau do të bëhet trim si Skënderbeu”! Frika fëmijës i pritej në konak ku rrinte ai. Mblidheshin djemuria, kur fëmija është djalë dhe vajzat kur fëmija ishte vajzë, si dhe gratë e lagjes. Nënë Xhidaja kishte bërë gati sendet dhe i vendosi në dyshemenë e konakut përpara djalit. Cilin send do të zgjidhte fëmija do të tregonte dhe drejtimin (zanatin) që do të merrte në të ardhmen. Raufi zgjodhi një pushkë dhe një libër.
I gjithë konaku duartrokiti.
– Do të bëhet trim si Skënderbeu dhe i mençur si i ati dhe dajot! – tha xhixhiko Hasa. Mori një tas me ujë, i hodhi 3-4 kongjinj zjarri brenda, priti deri sa ata u shuan dhe spërkati djalin. Mori një dorë shkarpa (dru të holla të vogla), lidhi sheja, ia ngarkoi djalit të vogël mbi shpinë duke i lidhur kaurçe dhe duke kënduar një këngë me zë:
Dhe tani që t’u pre frika!/Të bëhesh ‘gjarpër’ me çika!
Të bëhesh trim si Skënderbeu!/Në çdo kohë kur të do Atdheu!
Të bëhesh i mençur si Naimi!/O Rauf, o Rauf trimi!
Këtu mbaronte ceremonia e prerjes së frikës, pa praninë e burrave të fisit, pasi ky ritual bëhej me plakat e lagjes, gra të moshuara. Ajo ceremoni përkoi edhe me rihapjen e shkollës shqipe që kishte ardhur këtë herë edhe me miratim të Portës së Lartë. Shkolla u rihap në Shkurt 1909 te godina e Administratës Turke në katin e parë, pikërisht atje ku kishte qenë shkolla turke deri më 20 Janar 1909, mësues ishin Qamil Muhameti dhe Ali Delvina. Ata rrinin te sarajet e Hajredin Fratarit dhe të gjitha shpenzimet mbuloheshin nga familja e fisnikëve Fratari. Ato ditët e para të Shkurtit erdhi në Bejar edhe mësuesi Sali Nivica ku qëndroi një javë te shtëpia e Hajredin Fratarit për të udhëzuar mësuesit e rinj. Në 20 Shkurt Hajredini bëri një darkë për lindjen e djalit. Ishte koha kur “Lëvizja për çështjen kombëtare” kishte marrë përhapje të gjerë dhe Mallakastra kish krijuar çetën e saj të udhëhequr nga Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi. Në darkën e djalit ishin të ftuar miq dhe shok të Hajredinit, të familjes së tij dhe po ashtu nga treva të ndryshme të At-mëmëdheut si dhe bashkëfshatarë. Darka u kthye në një tribunë thirrjesh për bashkim vëllazëror në luftë për shpalljen e Pavarësisë. U ripërsërit dhe një herë lejtmotivi “Fëmijët në shkollë, burrat në luftë”.
EDUKIMI I MAJORIT, RAUF HAJREDIN FRATARI
Mbas lindjes Sabireja dhe plakat e moçme të lagjes e mbanin Raufin ‘si ujët e paktë’. Nga dita që lindi dhe derisa ai mbushi 6 vjeç nënë Havakoja ia besoj si dado (kujdestare) përkujdesjen e të nipit një plake më burrneshë të lagjes, ajo që kish pritur me dhjetra fëmijë, xhixhiko Hasës, e cila ishte si profete në rritjen e fëmijëve. Ajo dinte përmendësh me dhjetra ninulla të bukura me një tematikë të larmishme që i këndonte çdo ditë për ta vënë djalin e vogël në gjumë. Ajo shikonte te Raufi tiparet e një djali të shkathët, të zgjuar, kureshtar, fjalët i mësonte rrjedhshëm, i pashëm, i bukur dhe që 3 vjeç imitonte të ëmën, shkonte rregullonte flokët te pasqyra. I pëlqente të rrinte me të rriturit. Xhixhiko Hasa nuk e mbante mbyllur në shtëpi, por e nxirrte për të shëtitur në kopësht ku dallonte shumë mirë ngjyrën e luleve dhe bridhte për t’i mbledhur ato. I pëlqenin fluturat dhe bridhte si flutur për t’i kapur. I donte shumë qingjat dhe futej në mes tyre. Kishte një zë të bukur. I pëlqenin këngët dhe vallet kur këndonin miqtë në odë. Ishte kureshtar dhe dilte në dritaren e dhomës për të dëgjuar melodinë e tyre. Kënaqej kur argati i binte fyellit te sheshi i lagjes dhe i kërkonte ta mbante fyellin në dorë. Ishte fëmijë interesant që e donin ta takonin të gjithë, pra ishte fëmijë i ngjitur.
Por Xhixhikoja ishte shumë e kujdesshme dhe kish hall se mos e ‘hanin me sy’ fëmijën. Sheshi i lagjes ishte kthyer në park lojrash ku fëmijë dhe të rritur luanin lojra të ndryshme popullore si: hapadollapa (sylla-mbyllthi), ngriva-shkriva, dokthi, cingli, kala-dibrançe, hyç me nëntë (me nëntë gurë), hyç dhelpre. Hajredini kishte prurë nga Turqia dhe shumë topa për të luajtur fëmijët në shkollë dhe që nënë Havakua i kishte ruajtur me fanatizëm mbas mbylljes së shkollës dhe ua jepte fëmijëve të lagjes për të luajtur. Disa topa ajo ua dha mësuesve Qamil Muhameti dhe Ali Delvina për të luajtur nxënësit, kur u rihap shkolla. Raufi i shikonte me kureshtje dhe kish dëshirë të hynte të luante më ta, por xhixhikoja nuk e linte se ishte i vogël.
“Lisi i Moçëm” vijoi rrëfimin: – Kur Raufi mbushi 5 vjeç, e ëma me xhixhikon i mësuan djalit “Himnin e Flamurit” dhe ai dinte edhe ta këndonte. Ndodhte shpesh kur në odën e miqve bëhej muhabet dhe këndohej. E merrte xhaxhai Sulo dhe ai këndonte “Himnin e Flamurit” para burrave si këngëtar prefesionist. Pra fëmija po formonte personalitetin e vet.
Mua m’u kujtua çilimiu te ‘Autobiografia’ e Fan S. Nolit dhe përshpërita “Sa vështirë është të edukosh një fëmijë. Dhe pikërisht në hapat e para të jetës së tij”.
– Fole gjë! – ishte zëri i “Lisit të Moçëm” që më tërhoqi vëmendjen nga mendimet.
– Jo! Po mendoja për librin “Autobiografia” e Nolit.
Buzëqeshi dhe më tha: – E kam njohur mirë Nolin. E kam lexuar me endje vëllimin poetik “Album”! Dhe ti meqë je mësues letërsie po të recitoj disa vargje nga poezia “Anës lumenjve”. Dhe nisi të recitojë.
Më befasoi. U ngrita nga tavolina dhe e përqafova.
U emocionova jashtë mase. Më tha si me humor: – Kam lexuar shumë libra! Edhe autorë të huaj. Librat më kanë bërë ta kem kujtesën të fort dhe i kujtoj të gjitha ngjarjet sikur kanë ndodhur sot!
Mori gotën e verës dhe më tha: – Gëzuar! Unë çoka gotën. Dhe ai vazhdoi rrëfimin: – Sabireja, e ëma e Raufit vinte nga një derë e madhe e dëgjuar dhe atdhetare përmetare, mbesë e Frashëllinjve nga ku ajo kish marrë elementët e parë të kulturës, sjelljes, tolerancës, mirëkuptimit, dashurinë dhe respektin për të tjerët, cilësi këto që e karakterizuan gjithë jetën dhe ajo i zbatoi jo vetëm kur ishte në shkollën ‘Robert College’ në Stamboll, por në çdo hap të jetës së saj. Atje u njoh me djalin nga Mallakastra, Hajredin R. Fratarin i cili më parë kishte mbaruar të mesmen në “Robert College” për djemtë dhe në atë kohë vazhdonte studimet në Fakultietin Juridik të universitetit të ‘Hylqinit’ në Stamboll. Atje i dhanë besën njëri-tjetrit, u lidhën dhe i qëndruan besnikë për jetë. Në Bejar Sabireja tregoi cilësitë e saj fisnike, megjithëse fati nuk u tregua i mëshirshëm me të. Në bisedat me gratë dhe sidomos me vajzat ajo ua sillte fjalën në dy drejtime kryesore: në atë të arsimimit të femrës në çdo mënyrë edhe autodidakte dhe e dyta ajo ishte kundër patriarkalizmit feudal në mbylljen e femrës si dhe në dhunën që përdorej ndaj saj. “Femra është hambari më i madh në një shoqëri njerëzore se prodhon të ardhmen e saj”, thoshte. Ishte kjo arsyeja që numri i femrave kur u hap shkolla e parë shqipe u rrit nga 3 në fillim në 10 kur u mbyll dhe 20 kur u rihap. Ajo bënte kurse shkollimi me gratë dhe vajzat e Bejarit edhe mbas mbylljes së shkollës. Ishte kjo një ndër arsyet pse ajo u bë autoriteti i padiskutueshëm dhe që fitoi një respekt autorial nga gratë dhe vajzat bejarake. Por dhe burrat shikonin ndryshimin në sjellje, në kulturë te vajzat dhe gratë e tyre. Ajo u bë një përkrahëse e flaktë e të shoqit në “Lëvizjen Kombëtare” për shpalljen e Pavarësisë. Ajo u bë një zë i dëgjuar në Mallakastër për cilësitë e saj adhuruese përkrah luftëtarëve të lirisë. Ajo u bë “Misionarja e parë e paqes” me aktin e saj sublim kur i tha ndal hakmarrjes dhe ndaloi Martirët për të shkuar në Berat (pas vrasjes së të shoqit) me një ‘Jo’ të madhe duke u bërë thirrje të vazhdonin rrugën drejt Lirisë të Shqipërisë. Ky formim kulturor dhe patriotik i saj do të ndikonte për edukimin e gjithanshëm patriotic dhe kulturor të të birit, Raufit. Ajo ishte dhe mbetet një zonjë e nderuar, e kompletuar, me të gjitha karakteristikat dhe cilësitë që i duhen sot një nëne, gruaje, motre, vajze dhe femre. Ajo ra dakort me mendimin e të shoqit që edukimin e adoleshencës së hershme të të birit t’ia besonte imam Efendi Veis S. Zeqaj. Hajredini po ndiqte rrugën e të atit, Rakip Isufit i cili i kishte besuar edukimin e të birit, Hajredinit. Ata të dy (burrë e grua) e njihnin mire imam Veizin, jo vetëm se ishte nga Bejari, por ishte ndjekësi më i afërt i hapave të tyre në jetë. Ai kishte mbaruar shkollën për Hoxhë në Turqi dhe ushtronte detyrën e Imamit në Mallakastër për një kohë të gjatë, gati tre dekada. Kishte krijuar një besim dhe respekt jo vetëm në Mallakastër, por dhe në Berat, Vlorë, Tepelenë, Përmet e gjetkë. Imam Veizi kishte një bibliotekë të pasur në shtëpi në gjuhë të huaj dhe në shqip. Ai kishte bërë përzgjedhjen e tyre sipas moshës së fëmijëve duke marrë modelin e mësonjëtoreve të hapura më parë në Shqipëri si ato të Korçës, Kosovës, Manastirit, Kolonjës, Gjirokastrës, etj. Puna e tij si Imam i Mallakastrës e gjetkë dhe si intelektual i kompletuar i dha mundësinë që ai të kish miqësi dhe shoqëri me shumë intelektualë në Shqipëri që kishin hapur shkollat shqipe si Pandeli Sotiri, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Sali Nivica, etj. Kontakti me ta i kishte dhënë mundësinë që ai të merrte tekste mësimore për fëmijët dhe t’u mësonte gjuhën shqipe privatisht fëmijëve të ndryshëm duke u bërë mësuesi i parë në Mallakastër. Ai bëri dhe një kurs 6-mujor në “Normalen e Elbasanit”. Modeli e mësimdhënies ai e zbatoi te Raufi, por me ndryshim thelbësor me të atin Hajredinin që i bëri mësimet turqisht dhe persisht, ndërsa te i biri e bëri mësimdhënien në gjuhën shqipe.
Kur e pyesnin se çfarë mbante mend nga jeta ai përgjigjej: “Ditën kur u diplomova dhe ditën kur u shpall Pavarësia”. Kish një formim poliedrik. Përkrahës i Hajredin Fratarit në hapjen e shkollës së parë shqipe, pjesëmarrës në çetën e krijuar nga Hajredini për ‘Lëvizjen Kombëtare’, komandant i çetës së Bejarit në shpalljen e Pavarësisë dhe të Luftës së Vlorës më 1920 ku populli Bejarit i këndonte:
Veiz Silja, djalë nga fshati!
Mblodhi çetën e bëri gati!
Për Flamur në Vlorë vajti!
dhe luftuan për lirinë!
Çliruan Shqipërinë!
Ai jo vetëm që e vazhdoi mësimin edhe mbas mbylljes së shkollës, por ishte edhe negociator me Portën e Lartë për rihapjen e saj në Bejar, duke mbetur kështu në histori si një personalitet i përgatitur në të gjitha drejtimet. Dinte me gramatikë pesë gjuhë të huaja, dinte të ndërtonte marrëdhënie të mira me fëmijët. Kështu që kur Raufi mbushi 6 vjeç kaloi nga dado Hasa te imam Efendi Veizi pasi ai e pranoi me kënaqësi ftesën që i bënë bashkëshortët Fratari për edukimin e djalit. Megjithatë Raufi i vogël nuk harronte kurrë përkujdesjen dhe fjalën e ëmbël të xhixhiko Hasës ndaj çdo ditë takohej me të. Në vitin e mbrapshtë 1913 u mbyll shkolla e rihapur në Shkurt të vitit 1909. Baza materiale e shkollës u strehua te ‘Mekami’ në lagjen Shehaj. Megjithatë Imami vazhdonte edukimin e Raufit në odën ku u hap shkolla e parë shqipe. Fëmija i vogël u mësua shpejtë me ‘dadanë’, kështu i ngjiti përkëdhelinë djali imam Veizit. Imami në shumë raste bëhej dhe ai si fëmija. Mësimin e zhvillonte në një nga konakët ku u hap shkolla e parë shqipe; kishte me vete abetaren si dhe libra me ilustrime të përshtatura me moshën e fëmijës. Fëmija kishte mësuar përmendësh: “Himnin e Flamurit”, “Për mëmëdhenë” si dhe disa fabula dhe përralla që ia kish mësuar Dadoja. Në pranverën e vitit 1915 ndodhi gjëma e madhe për Bejarin, vrasja e Hajredin R. Fratarit. “Lisi i Moçëm” m’u drejtua mua:
– A mund ta imagjinosh dot tronditjen shpirtërore dhe psikologjike të një fëmije 6-vjeçar në raste të tilla? – dhe zëri i dridhej. Nuk i ktheva dot përgjigje.
Sytë m’u mbushën me lotë. Ai vazhdoi rrëfimin: – Mandatin e sollëm ne burrat që u kthyem nga Berati. Imam Veizi e kuptoi situatën. Kur unë, Xhaferri dhe Mehmeti zbritën nga kuajt te “Sheshi me kalldrëm”, na porositi xha Sulua që të mos jepnim mandatën. Atë do ta jepte imam Veizi. Ai mori Raufin dhe doli na dera tjetër e shtëpive dhe bashkë me të u nis për në shtëpinë e vet në lagjen Tatoshaj, 1 km larg lagjes Zotaj duke i thënë se “mësimi do të vazhdohej te banesa e tij”. Kjo u bë që Raufi mos ta përjetonte kujen e mandatës së Hajredinit. Kur burrat po ktheheshin nga Berati, ata mendjen e kishin te djali i vogël, Raufi. Si do ta kalonte ai këtë gjëmë? Por kur u takuan me imam Veizin dhe kur e morën vesh aktin human, njerëzor e të mençur u çliruan nga ankthi. Imami e çoi djalin në shtëpin e tij, ia la porosi të shoqes duke lënë dhe dy burra roje, Sinan Ramon dhe Arben Osmanin. Vetë u nis për në lagjen Zotaj. Kur doli te Maja e Bregut pa karvanin e kuajve të burrave duke zbritur nga Majat e Varrit (Dams). I dha kalit dhe i doli përpara karvanit të kuajve në fund të varreve të Zotaj. I tha xha Sulos: – Mbahuni burra! Hajredini nuk vdes kurrë! Zoti i dënoftë ata që kryen këtë krim makabër!
Karvani mori rrugën drejt sarajve të Hajredinit. Imam Veizi do te jepte mandatën sipas zakonit. Dhënia e mandatës është një rit pagan (zakon) ku u jepet haberi (lajmi) familjes së të vdekurit në mënyrë të veçantë për vdekje të kobshme (vrasje ose vdekje në tragjike). Këtë haber e jepte Imami (hoxha) së bashku me 10 burra pleq. Duke kaluar mespërmes lagjes, Imam Veizi mendonte: Ai kishte dhënë me qindra mandate. Kish kënduar me qindra nekrologji jo vetëm në Bejar, por në gjithë trevën e Mallakastrës së Sipërme dhe në rrethinat e saj (sa ishte formuar shprehja: “Të këndoftë imam Veizi në rrëzë të veshit”)! Por për imam Veizin ky mandat ishte ndryshe nga të tjerët. Do t’i jepej nënës dhe gruas së tij sepse burrat e fisit e kishin marrë vesh mandatin. Ata kishin net që gdhiheshin në Berat deri atë orë ku komandanti i milicisë Musa Qazimi dha lajmin e zi mbi vrasjen e Hajredinit nga milicët për gjoja tentative arratisjeje. Ky lajm u dha mbasi milicët kishin vrarë dhe shokët e Hajredinit: Ismail Klosin, Baki Gjirokastritin dhe Muharrem Veleshnjën. Ato ditë Berati dhe Shqipëria ishin në zi. Burrat mbërritën te “Sheshi me kalldrëm”. Aty po i prisnin pleqtë e lagjes e Zotaj. Burrat zbritën nga kuajt, xha Sulua dhe nipërit hynë më para në shtëpi. Pleqtë e lagjes dhe imam Veizi u nisën drejt odës së miqve, ndërsa burrat e tjerë qëndruan te “Sheshi me kalldrëm”. Gratë kishin rregulluar odën ku ishte hapur shkolla e parë shqipe. Hatemja, mbesa e Hajredinit kur pa kortezhi e burrave, ulëriu fort: “E zeza jonë kjo”! Dy gra e kapën për krahu dhe e futën vajzën në dhomë. Imam Veizi dhe pleqtë e tjerë u drejtuan për të dhoma ku ishin vllezërit Sulua, Hyseni, e ëma Havakua, e shoqja Sabireja. Imami me burrat hynë në odë. Imami iu drejtua të ëmës dhe duke e përqafuar dhe i tha: “Bëhu e fort, Hajredini nuk vdes! Atë do ta kemi gjallë në breza! Të paudhët vranë Hajredinin! Por nuk vrasin dot veprën e tij patriotike për çështjen kombëtare! Nuk vrasin dot gjuhën shqipe, nuk vrasin dot ëndrrën! Nuk na vrasin dritën ne sepse kemi fanarin ndriçues së tij që do të na udhëheq në rrugën që çeli ai drejt rrugës së Zotit”!
Pastaj u takua me pjestarët e tjerë të familjes. U ul në krahun e odës që ishte enkas për mysafirët. Edhe pleqtë u takuan me familjarët dhe u ulën në krah të Imam Veizit. Imami iu drejtua të shoqes Sabires: – Ti e kishe bashkëshort, ne e kishim vëlla! Ti ishe dhe je motra jonë! Ti je një burrneshë e lindur në një familje fisnike në Frashër të Përmetit dhe erdhe këtu në Bejar në një derë të madhe të Fisnikëve ku yt shoq Hajredini themeloi ‘Universitetin e Fisnikërisë’ për brezat e ardhshëm jo vetëm të Bejarit, por të Mallakastrës dhe të Shqipërisë! Dhe këtë universitet do ta drejtosh ti me mençurinë, zgjuarsinë, largpamësinë që të karakterizon nën gjurmët e bashkëshortit tënd të paharruar për të verselitur Trëndafilat dhe Yjet që Hajredini i ‘mbolli’ bashkë me ju! Që ata të ecin në gjurmët e atit! Ne na ke mbështetjetë fortë! Unë betohem në emër të Zotit që Raufin do ta verselisim që ai të eci nën gjurmët e të atit”!
– Djalin! – tha Sabireja mes lotësh.
– Djalin e kam unë! E kam çuar në shtëpinë time! Do ta mbaj disa ditë! Por djali nuk duhet t’i thoni për gjëmën! Do të vijë koha dhe dita që t’ia themi. Këtë porosi e kam në mënyrë të veçantë për ty, zonja Sabiret! Besoj se më kupton drejt! – tha Imami.
Qetësi. Dukej sikur në dhomë po kalonte Izri (ëngjëlli i vdekjes). Heshtjen e theu e ëma ku mes lotëve tha: “E prisja këtë mandat që kur e nisa për në Berat. Natës së 14 Prillit i përgjërohem, kur ai erdhi nga Smokthina e Vlorës dhe më tha: – Do të shkoj në Berat! – Jo! – i thashë, – ata do të vrasin! – E di! – më tha, – por ti mos u ligështo! Dhe nxori nga gjiri portretin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe Flamurin Kombëtar! Më tha: – Do t’ia japësh Raufit kur të rritet! Janë amanetet e mia. Unë nuk ia lejoj vetes që vëllezërit, bashkëfshatarët, miqtë e mi të vriten për mua! Edhe ata bir nënash janë! Prandaj për këtë do shkoj të përballen me ta! Nxorri nga gjiri dy portretet dhe Flamurin Kombëtar. U ngrit nga vendi, shkoi te Sabireja dhe duke përqafuar i tha: – Merri dhe jepja Raufit! I thuaj se i ka kujtim nga i ati! Kujdesu për fëmijët! Ata janë i vetmi zjarr që do të mbajnë të ndezur këtë oxhak! – dhe e shtrëgoi fort në gji dhe shpërthyen të dy në lotë.
– Na ra ky mort! – ishte zëri i vëllait, xha Sulos që nuk iu nda asnjë moment gjatë gjithë veprimtarisë patriotike. Bëri gjithçka edhe nga ana financiare së bashku me vëllezërit e tjerë, Ademin me Hysenin, duke shkrirë kapitalin e tyre për çështjen kombëtare. – Ne do të vazhdojmë rrugën që la vëllai ynë më mes! Pa shikoni çfarë vlerësimi dhe çfarë respekti kanë njerëzit për vëllanë tonë! Ai është dhe respekt për ne!
– Lotët nuk janë për burrat! – tha imam Veizi.
– Lotët e burrit i mbledh zemra! Burri është për pushkë! Mbahu bre Sulo! Pa shiko ke një tufë djem të rinjsh që janë nga ai sua që të ‘marrin gjak në vetull’! Ata duan vetëm kurajo! Ata janë në këmbë për larine e At-mëmëdheut! – i tha xha Sulos imam Veizi.
– Ke të drejtë hoxhë Efendi – i tha Imamit duke fshirë lotët. Gratë shkuan nga dhoma e grave kudo të hapej vaj i mortit. Në konak qëndruan vetëm burrat.
– Shtroni dhe konakun tjetër! – Priten të vijnë shumë njerëz! – u tha djemve që rrinin në këmbë xha Sulua…
Rrëfimi i “Lisit të Moçëm” sa vinte dhe bëhej më tragjik. Gjendja emocionale e imja ishte shumë e rëndë sa më dukej sikur ngjarja kishte ndodhur sot dhe lotët nuk i ndalje dot. “Lisi i Moçëm” vazhdoi rrëfimin: – Më e pabesueshme ishte se ulërimat, zërat vajtues vinin nga Tempulli, Olimpi i Kalamatrëngut, sikur atje kishte ndodhur një gjëmë e madhe, një tragjedi. Xha Sulua më dërgoi mua, Mehmetin, Kahremanin për të parë çfarë kishte ndodhur në Kala. U hipëm kuajve dhe u ngjitëm lartë për në Tempullin e Kalasë, aty ku qëndrojnë shpirtrat e Martirëve të cilët ishin kthyer në pëllumba të bardhë dhe kishin pushtuar gjithë Olimpin. Kur shkuam në Kala, një tufë e madhe pëllumbash të bardhë me shirit të zi në krahun e djathtë fluturonte mbi Tempullin e Kalasë. Shkonin deri te Kulla e fildishtë e “Mësonjëtorja e parë” dhe ktheheshin përsëri në Olimp. Bënin një zhurmë që i ngjanin tingujve të një kënge vaji, ku kënga dëgjohej deri te “Mësonjëtorja e parë”. Kjo ulërimë përzihej me zërat e përcillnin mesazhe ngushëllimi për Kalamatrëngun. Pastaj një re e bardhë pëllumbash u ngrit në qiell, i ra rreth e përqark Tempullit të Kalamatrëngut, fluturuan mbi “Mësonjëtoren e parë shqipe” dhe u nisën varg drejt Beratit. Na bënë përshtypje këta zëra me mesazhe ngushëlluese që u përhapën jo vetëm në Bejar, por në të gjithë Mallakastrën. Kishin zbritur në Tempullin e Kalamatrëngut: Mali i Tomorrit, Kurora e Malit, vargmalet e Gjirokastrës, Përmetit e Tepelenës dhe të gjithë malet e At-mëmëdheut. Ata janë dëshmitarë të historisë, të luftës së madhe të Martirëve për liri. Ata zbritën në Tempull në këtë ditë morti në Kalamatrëng dhe e ngushëlluan:
Mbahu Kalamatrëng e mos u tremb!Ne jemi të moçëm!
E dimë mirë Legjendën!/Hordhitë s’vrasin dot
Ëndrrën edhe Shpresën,/Nuk vrasin dot Diturinë,
Dhe as Diellin që na ndrin!
Mesazhi i tyre ziente si jehonë ku të gjithë atë ditë morti “dhimbjen bluanin në zemër si drithërat në mulli”. Ne u hipëm kuajve dhe zbritëm për te Sarajet. Ç’pamë në Tempull, ia treguam xha Sulos. Ai na dëgjoi me vëmendje dhe tundi kokën dhe tha se janë Martirët, kanë zbritur nga malet si dëshmitarë të historisë.
Gratë hapën vajin në dhomën e tyre me zë. Ende dëgjohet jehona e zërit drithërues dhe mallëngjyes i nënës së Hajredinit:
Ah…! More Prill i mallkuar!/Pse vallë ma bëre gjëmën?
Tejpërtej ma shpove zemrën!/Bir, o Hajredin o djalë!
Ma dogje shpirt e xhanë!/Më luftove për vatanë!
Për Lirinë e Shqipërisë!/O Bir! O Yll! O Dritë!
Do të vij ditë për ditë!/Do të vij nëna pranë!
Se ma dogje shpirt e xhanë!/Në Bejar një derë e mirë
Në Bejar një derë e mire/Lindi djalë Hajredinë!
Që u vra për larine/Kalaja-kodrat u nxinë
Simbol për Shqipërinë/Lulet Prilli i thau
Dora e shkiaut e vrau!/I vlonte në gjak liria!
Për të qe e shtrenjtë, Shqipëria!/Thirrja e tij jehon dhe sot
Burrat të nisin luftën me shokë!/Fëmijët, gjuhën e nënës!
Ta bëjnë pronë të zemrës!
Në odat e burrave u hapën dyert e mortit. Burra nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova, nga Çamëria. Për dyzet ditë rresht burrat e lagjes Zotaj prisnin dhe përcillnin luftëtarët e lirisë për këtë humbje të shokut të tyre Hajredin Rakip Fratarit. Shtrëngonin fort pushkët që kishin në krah. Ora e hakmarrjes po afron! Vrasja e Hajredinit nuk tronditi vetëm luftëtarët e Mallakastrës, por edhe ata të Vlorës të vitit 1912, edhe luftëtarëve nga Tepelena, Berati, Gjirokastra, Përmeti, Fieri e gjithë Shqipëria e Jugut. Luftëtarët nga çdo anë u mblodhën në Tempullin e Kalamatrëngut për të nisur “Kryengritjen e Hakmarrjes” të revoltuar për vrasjen e Hajredinit. Por fisnikët nuk i lejuan, Sabireja (e shoqa e Hajredinit) mbajti një fjalim të rëndësishëm duke thënë se “nuk përfitojmë asgjë nga kjo luftë vëllavrasjesh. Armiqët tanë serbo-grekë këtë kërkojnë: vëllavrasjen midis shqiptarëve! Ata kërkojnë që ne shqiptarët të jemi të përçarë! Por ne duhet të jemi të bashkuar në mbrojtje të Qeverisë së brishtë të Ismail Qemalit që u njoh edhe nga Fuqitë e Mëdha, që caktoi kufijtë territorialë të Shqipërisë. Ne armët duhet t’i kthejmë kundër armiqve që po kërkojnë të na zhvasin kufijët tanë! Të vazhdojmë rrugën që la në mes vëllai juaj, Hajredini”!…
Qetësimi i situatës të rënduar nga vrasja e Hajredinit me gjakftohtësi dhe mençuri ishte një nga aktet më të rëndësishme të kohës nga një gjakderdhje e cila nuk ishte në interes të Atdheut, por atë të armiqve të Shqipërisë. Kujtojmë se Imam Veizi, para se të jepte mandatin te familja Fratari, e mori Raufin në shtëpinë e tij. Ai e paramendonte dramën dhe traumën psikologjike që do të pësonte djali i vogël. Ai mendonte se në këtë moshë 6-vjeçare, kjo tronditje do të ishte me pasoja për jetën e tij ndaj e vendosi në shtëpinë vet, duke pritur një moment të përshtatshëm për t’i treguar të vërtetën. Këto mendime Imami ua tha Sabiresë (nënës së Raufit), vëllezërve dhe nënës së Hajredinit. Ata ranë dakort. Qëllimi i përbashkët i tyre ishte që djali të mos pësonte tronditje psikologjike. Imami e mbajti në shtëpinë e vet dhe i jepte mësim së bashku me djalin e tij që ishin në një moshë. Ai e dinte mirë se djali donte të takonte të ëmën (shtëpitë nuk ishin larg me njëra-tjetrën), ndaj e shpinte çdo ditë dhe e merrte përsëri, pasi i ruhej asaj që mund të ndodhte. Ky ritual vazhdoi një vit. Në 5 Shkurt, Raufi kishte ditëlindjen. Ishte ditëlindja e parë pa të atin. Në mëngjes i thotë të shoqes: – Vishu se do të shkojmë në Zotaj! Ka ditëlindjen Raufi! Kjo ditë kërkonte një kujdes të madh që ai të mos merrte vesh asgjë dhe të mos e ndjente mungesën e të atit.
– Po! – i tha ajo dhe hyri në dhomën tjetër për t’u veshur. Imami mori dy fëmijët, Raufin, djalin dhe të shoqen dhe niset për në Zotaj. Dy fëmijët i hipën në kalë dhe vetë me të shoqen në këmbë, me kalin për dore. Te “Sheshi me kalldrëm” ishin fëmijët e lagjes që po loznin. Ai i zbriti nga kali dhe djemtë hynë në turmën e fëmijëve për t’u takuar dhe luajtur me ta. Te porta e shtëpisë i pritën vëllezërit e Hajredinit me gratë e tyre. U takuan.
– Eja! – i Sulua.
– Jo, prit! (Ia bëri me shenjë gruas të futej brenda në shtëpi me zonjat. Gratë u nisën). Do të qëndrojmë këtu sa të argëtohet Raufi me shokët!
Të dy vëllezërit pohuan me kokë.
– I porositni gratë, mbesa, nipërit, fëmijët që mos t’i tregonin gjë Raufit! Ai nuk di gjë! Nuk duhet të dëgjojë dhe të qara! Duhet shumë kujdes! Në darkë do t’ia tregoj unë me takt në praninë tuaj! Ne edhe të qajmë, edhe të ulërijmë, ai nuk kthehet më! Shpirti dhe zemra jonë duhet të jetë në edukimin e Raufit që ai të eci në gjurmët e Hajredinit dhe të bëhet më i mirë se ai! Të paktën ju dy duhet të më kuptoni! Ua thoni dhe të tjerëve. Mos harroni që kemi dhe një varr të madh mbi vete! Nuk duhet të na zërë gjumi deri sa ai të hyjë plotësisht në jetë! Ju vazhdoni hyni brenda. Unë do të vazhdoj të rri dhe pak me fëmijët…
Më 7 Mars 1916 u rihap shkolla shqipe me ndikimin e drejtëpërdrejt të Sabire Fratarit, me ndihmën dhe këmbënguljen e mësues Sali Nivicës që ishte inspektor i arsimit për zonën e Shqipërisë së Jugut, i cili për 15 ditë qëndroi te miku i tij Imam Veizi. Shkolla u rihap në lagjen Shehaj tek kishte qenë në 1909 po me ata mësues Qamil Muhametin dhe Ali Delvina. Dhomën e fjetjes e kishin gati te Sarajet e Hajredin Fratarit. Bazën material të shkollës e kishte ruajtur Sheh Brahimi i cili ua dorëzoi mësuesve të shkollës. Gjithashtu nën kujdesin e Sali Nivicës shkolla u pajis me tekste të reja ardhur nga “Normalja e Elbasanit”. Në shkollë u regjistuan 80 nxënës jo vetëm nga Bejari, por dhe nga rrethinat e tjera. Nga këta nxënës, Sabireja kishte mundur të afronte 20 vajza.