Albspirit

Media/News/Publishing

PAJTIM S. SEJDINAJ: AKADEMIA E FISNIKËVE (3)

Pjesa e katërt

KARRIERA USHTARAKE DHE VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E MAJOR RAUF HAJREDIN FRATARIT – NËN GJURMËT E TË ATIT!

Atë mbasdite bie zilja e telefoni: – Alo! Alo!

E njoha zërin ishte, ai “Lisi i Moçëm”

– Jam unë! Nesër do të bëjmë një vizitë bashkë!

– Po! Jam në dispozicionin tënd!

– Paç uratën! – më tha – kur të nisemi do të marr në telefon.

E mbylli.

Është kënaqësi të bisedosh me “Lisin e Moçëm”. Mendova se diçka ma kishte lënë pa më rrëfyer dhe do t’i mbetej merak. Ne sapo ishin kthyer nga varrezat e Dëshmorëve. Më tha që kur zbritëm nga makina kur u kthyem nga Përmeti.

– Në datën 5 Maj do të shkojmë te varrezat e dëshmorëve në Ballsh. Gjej ndonjë makinë.

– Dakort! – thashë. Të nesërmen bisedova me nxënës të shkollës që ishin nga fshati i Bejarit, (ata ishin nipër dhe mbesa të Dëshmorëve). E pranuan ftesën me kënaqësi. U thashë të përgatisin 11 buqeta me lule. Ata ishin 11 dëshmorë nga fshati Bejar: një ‘Dëshmor i Kombit’, Hajredin Rakip Fratari, 9 dëshmorë të luftës N-Çlirimtare dhe një dëshmor i Demokracisë. Po ashtu dhe një kurorë me lule për ta vendosur te statuja e Hajredinit Fratarit, vendosur në qendër të qytetit të Ballshit. Porosita dhe një furgon për në orën 7.00 të dates 5 Maj. U nisëm atë ditë dhe mbërritëm në Ballsh. Kishte ardhur nga Tirana dhe nipi i ‘Dëshmorit të Kombit’, Hajredini i ri me familjen, motrën, fëmijtë dhe mbesat. Vendosëm kurorën me lule te statuja e Hajredin Rakip Fratarit në qendër të Ballshit. Shkuam në varrezat e Dëshmorëve, Mallakastër ku vendosëm buqetat me lule për ata të Bejarit. Shkuam në Visokë, atje ku u vra Dëshmori i Demokracisë Veledin Pashaj dhe vendosëm tufa me lule. U ndamë, ata ikën për në Tiranë e ne u kthyem për në Bejar. Ishte e shtunë 5 Maj 2006.

Në mëngjez bie zilja e telefonit. E hapa, ishte ai.

– Dil te çesma! – më tha.

– Po! – i thashë. U vesha dhe dola. Kishte dalë. Ishte ora 9 e mëngjezit. Vura re veshjen e tij karakteristike në raste të tilla. U përshëndetëm.

– Për ku? – i them. Nuk foli, ngriti shkopin dhe e drejtoi nga ana e shtëpive të rrënuara të Rauf Hajredin Fratarit, të cilat ishin 500 metra te lagjia Zotaj me një pozicion gjeografik në kodër, të veçuar nga lagjia që ne i thoshim ‘Maja e Bregut’. U nisëm.

– Kam shumë kujtime nga ai vend! – më tha. – Atje janë themelet e një historie të dhimbshme! E një ngjarje të paparashikuar! Ato ngjarje që krijuan traditën e mallit dhe dashurinë për njëri-tjetrin në momentet më dramatike të historisë së Bejarit dhe të trevës së Mallakastrës së Sipërme. Mbërritëm. Shtëpia e rrënuar. Pa çati, muret kishin zënë myshqe. “Lisi i Moçëm” u ul mbi sofat dhe nisi të më tregojë: – Ja pragu, ja sofati, ja pllakati e mermerit shtruar, ja gysma e lisit të prerë filiza ka lëshuar! Ja dhe ‘Trëndafili i plakur’ gonxhet i ka çelur! Eh! More bir! Këta janë dëshmitarë të asaj katrahure të ndodhur këto 80 vjet… Pëllumbat e bukur dhe të bardhë vazhdonin të fluturonin mbi truall. Ata vinin herë te “Mësonjëtorja e parë”, herë te shtëpia e rrënuar ku qëndronin mbi ‘Trëndafilin e plakur’.

U ula në cep të gurit të sofatit. E pyeta “Lisin e Moçëm”:

– Ç’ndodhi me Raufin pasi iku në Tiranë?

– Për këtë të kam prurë sot! Të thashë për Raufin do të rrëfehen një ditë tjetër. Dhe ja erdhi momenti. Të solla këtu për të parë me sytë e tu reliket (shtëpia e rrënuar, pragu, Gurin e Merifasë, lisi i prerë, pllakat e mermerit, ‘Trëndafili i plakur’ dhe foleja e dallandyshes) dhe unë vetë do të rrëfehem për ç’ka ka ndodhur në këtë truall që dikush u mundua ta shuaj. Por jo! Ëndrra ishte zgjuar! Shpresa po buzëqeshte: – Shikon këtë shesh. Nuk ka qenë kështu. Ka qenë shumë i bukur, me lulishte me lule të shumëllojshme. Pas ikjes në Tiranë me të ëmën Raufi u rregullua tek ca miqtë e babait të tij. Filloi punë. Ai ndikoi që mbi 50 djem të Mallakastrës së Sipërme të fillojnë punë në Komandën e Xhandarmërisë të Mbretërisë. Njëkohësisht i dha përparësi bërjes së rrugës Ballsh-Tepelenë, ngritjes së një qendre shëndetësore në Fratar, ngritjes si nënprefekturë e re të zonës së Mallakastrës së Sipërme, hapjen e shkollës me sistem 7- vjeçar në Fratar, ndihmës me mësues dhe mjete didaktike në shkollë. Ai nuk e harroi vendlindjen. Erdhi e ndërtoi një palë shtëpi të bukura këtu ku jemi për të mos u ndarë nga vendlindja, nga njerëzit e tij të dashur. Ato shtëpi ia la nën kujdes xhaxhait të tij Sulo Rakipaj, i cili duhet të ruante dhomat ku ishte hapur “Mësonjëtorja e parë e gjuhës shqipe”. Dhomat e tjera vazhdonin të ishin si dhoma banimi e fjetje për mësuesit e shkollës, agronomin nga Kosova i punësuar për krasitjen dhe mirëmbajtjen e ullinjve, vreshtit, pjergulla edhe pemëve drufrutore dhe mysafirë që vinin për tregëti. Shtëpinë e re te Maja e Bregut e ndërtoi po me ustallarë nga Golloborda. Miq të familjes ishin pasardhësit e atyre ustallarëve që shtruan rrugët e lagjes dhe “Sheshin me kalldrëm”, pra ata që ndërtuan shtëpitë e mëparshme. Të gjithë materialin e ndërtimit e solli nga Italia. Ja shiko si ndrijnë pllakat e mermerit të shtruar, ai ndërtoi një vilë gjashtë dhomash. Solli dhe ujin e pijshëm nga një burim që rridhte në pronën e tij. Kjo pistë prej çimentoje nuk ka qënë, është ndërtuar mbas viteve 1944-1990. Këto shtëpi u përdorën si zyra për ish kooperativën bujqësore dhe si si magazine për drithërat. Nga lulishtet nuk ka asnjë gjurmë, vetëm “Trëndafili i plakur” që i rezistoi kohës dhe njerëzve falë bukurisë së tij. Vetëm për lulet e oborrit kujdesej një grua që ka një histori të dhimbshme, tragjike dhe që nuk kishte lidhje gjaku me fisin. Ajo kishte ardhur aty falë shpirtit human të Raufit, të cilën e kishte marrë nga Konispoli, mbas vdekjes tragjike të familjes të saj. Ishte çame dhe i shërbente kopshtit të luleve që e verseliti vetë. E quanin Merifa. Ulej te ky sofat, te ky gur. Ajo shërbente te shtëpitë, ishte një sanitare e zonja, fjalë ëmbël, fliste shumë rrallë, fjalën e kishte të kursyer, por kur fliste shëronte zemra njerëzish. Kur erdhi këtu i kishte kaluar 60 vjeçët. Kryente dhe punën e guzhinieres. Ajo erdhi nga fundi i vitit 1940. Ky sofat u quajt ‘Guri i Merifasë’, ardhur nga Siria apo Libia. Ajo mbas punës ulej te ky gur dhe njëra nga plakat e lagjes emëroi ‘Guri i Merifasë’. Kështu i thonë dhe sot.

Në vitin 1936 djali hyri në Xhandarmërinë e Gardës së Mbetërisë. Atëhere Raufi sapo kishte marrë gradën ‘Major’. Kamberi, kështu e quanin djalin nga Konispoli, lidhi besën me Raufin dhe deri në fund të jetës së tij i qëndroi besnik. Ata u bënë dhe miq familjarë me njëri-tjetrin. Familja e tij ishte dëbuar nga tokat e tyre në vitin e mbrapshtë dhe ata u vendosën në Konispol. Ishte 1 vjeç kur e dëbuan nga Çamëria. I ati i tij ishte shok i ngushtë dhe bashkëluftëtar me Hasan Prishtinën dhe të atin e Raufit. I bënë pritë dhe u vra nga forcat shoviniste greke në Tetor 1913 në Konispol. Më vonë i vranë dhe njerëzit e tjerë të familjes. Ai mbeti vetëm me të ëmën. E ëma detyrohet të shkojë në Delvinë ku fillon punë si sanitare e Beut të Delvinës. Djali mundi të mbarojë shkollën fillore në Delvinë. Por për gjendjen e dobët ekonomike filloi punën që në moshën 13 vjeç për të ndihmuar të ëmën. Kujdesej për mëzat e vegjët të Beut të Delvinës. Në vitin 1936 hyri si rreshter në Gardën e Mbretërisë. Raufi pa te ky djalë tiparet e vetvetes dhe kur ai i tregoi historinë e vet, ndjeu keqardhje dhe iu kujtuan peripecitë e jetës së tij dhe tha me vete “vetëm hallexhiu ia di vuajtjet hallexhiut”. Ndaj u betua se do ta mbante afër dhe do ta trajtonte si vëlla. Dhe kjo është cilësi e njeriut fisnik. Raufi vendosi ta përkrahte në të gjitha drejtimet, jo vetëm në punë si rreshter në Gardën e Mbretërisë, por edhe nga ana financiare. Një ditë ai shkoi në Delvinë së bashku me Kamberin. E ëma e shokut ishte shumë e dashur, e qeshur, fjalë ëmbël. Me Beun e Delvinës, dera e Fisnikëve kishte miqësi të vjetër, ndaj ata e pritën si mikun e tyre. Beu i Delvinës ishte bërë sebep që Kamberi të fillonte punë si rreshter në gardën e Mbretërisë. Por lidhjet ai i mbante edhe në respekt të ish mësuesit të tij Ali Delvina që ishte vëllai i Beut dhe kishte pak muaj që kishte vdekur. I vëllai i kishte folur me simpati për derën e fisnikut Hajredin Rakip Fratarit, ku në shtëpinë e tij ai kishte qëndruar 10 vjet kur ishte mësues në Bejar, pa asnjë shpenzim. Beu i kishte dëgjuar bëmat për Hajredin Fratarin nga xhaxhai i tij që kishte qenë së bashku me të në Turqi. Për Raufin i kishte folur i vëllai, mësues Ali Delvina. Kështu kur u prezantuan atë ditë ai u gëzua shumë. Raufi i kërkoi miqësisht që ta ndihmonte nënën e djalit.

– Me kënaqësi! – i tha ai. – Kam detyrim të dyfishtë! Njërin nga ana juaj si mik dhe tjetrën se ajo është një familje çame dhe Çamëria është trungu i Atmëmëdheut! Raufi kaloi atë natë një darkë të paharrueshme, të nesërmen u nisën për në Tiranë. Kamberi u lehtësua se meraku për nënën ishte i pari. Duke u kthyer për në Tiranë qëndruan në në Bejar ku Raufi e prezantoi me të gjithë njerëzit e Fisnikëve dhe cilindo bashkëfshatar që takonte. Kamberit i ra në sy se të gjithë flisnin me respect me Raufin, dukej qartë që ishte respekt i fituar dhe jo i imponuar. Shkuan te shtëpitë e reja, takuan Imam Veizin, të cilit Raufi i kishte besuar përkujdesjen e shtëpive dhe të pronave. Në pronat e Raufit në bujqësi dhe blegtori ishin 50 argatë, të cilët i trajtonte si punëtorë që punonin me djersën e ballit. Djaloshi u mahnit nga bukuria e kopështit të luleve që rrethonin shtëpinë, parcelat e ndara me blloqet të vogla krijonin një pranverë të bukur. Dhe aty ngjante sikur kishin një fidanishte lulesh. Imami i thotë Raufit: – Duhet një kujdestare për lulet! – Gjej ndonjë grua se e paguajmë! – i tha Raufi. Bisedën e tyre e dëgjoi djali dhe i tha Raufit: – Po sikur të vijë nëna ime dhe të kujdeset për lulet! Raufi e vështroi djalin dhe i pëlqeu mendimi i tij! Djali i tha: – Nëna ime ka patur fidanishte lulesh atje në Çamëri! Këtë ma ka thënë vetë kur unë u rrita dhe i kuptoja gjërat shumë mirë! – Mirë! – iu drejtua Raufi Imamit. – Presim dhe një javë sa ta bisedojmë me nënë Merifanë! U takuan me Imamin dhe u nisën për në Tiranë. Pas një jave ata shkuan në Delvinë. E biseduan me nënë Merifanë. I biri i tregoi për kopshtin e luleve. – U të keqen nëna! Seç m’u trazua një mall dhe dashuri për lulet! Ka qenë prefesionin im që në fëmijëri. Ndaj do të vijë të punoj me kënaqësi në profesionin tim, – u tha ajo dhe i përqafoi të dy. Ajo bëri gati plaçkat e saj. Ata shkuan te Beu dhe i thanë. Ai nuk pati kundërshtim. I hipën makinës, ngarkuan plaçkat dhe erdhën në Bejar. Merifaja ishte një grua e shkurtër, rrinte me çitjane, që ishte më e përhapur në zonë kjo lloj veshje për grate që u kishin vdekur burrat. Merifaja u habit nga bukuria e luleve. Asaj i vinte ndoresh edhe për të mbjellë, por edhe për t’i shartuar ato. Mbas bërjes së shtëpive të reja dhe vdekjes së nënës ai mori në shtëpi një çupën e tezes bashkë me të shoqin për t’u kujdesur për shtëpitë mbasi ai ishte në Tiranë. Këtë e bëri për të mbajtur lidhjet shpirtërore me njerëzit e mamasë. Ata kujdeseshin për shtëpinë, ndërsa blegtorinë e kishte çuar larg shtëpive në stane ku të gjithat prodhimet blegtorale i administronin djemtë e xhaxhallarëve, Ramadani me Pelivanin, nën kujdesjen e imam Veizit. Solli dhe një pajisje për të bërë vaj e cila rrotullohej me anën e forcës së kuajve. Pra një mikro-fabrikë vaji që e solli nga Italia. Merifaja ngriti dhe një farishte lulesh e cila furnizonte amvisat e fshatit Bejar duke u futur në gjak dashurinë për to. Për shitjen e prodhimeve bujqësore-blegtorale ishte lidhur me tregtarë nga Tirana dhe Gjirokastra, të cilët vinin dhe merrnin sipas kohës së prodhimeve. Kosovari ngriti një bllok shumë të mirë në vitet 1940 me mollë, dardhë dhe kumbulla italiane, me varietetet më të mira, shartoi me qindra ullinj të egër dhe krijoi bahçe të bukura. Pra Raufi mundësoi për zhvillimin e vreshtarisë dhe frutikulturës në Bejar ku edhe sot mbi 60 për qind e ullinjve kanë qenë prona e tij. Kultivimin e ullirit e mori si trashëgim nga i ati. Ndihmonte dhe zgjidhte për çdo hall jo vetëm bashkëfshatarët e tij, por dhe të banorëve nga trevat e tjera.

– Po pushtimin e Italisë fashiste si e priti Raufi? – e pyes “Lisin e Moçëm”.

– Dëgjo, more djalë! – më tha – ai ishte atdhetar në gen dhe nuk mund të ndryshonte! Po ta çaje zemrën e tij do gjeje të shkruar “At-mëmëdheu është gjëja më e shtrenjtë për mua”! Prandaj e priti pushtimin italian me indinjatë të thellë. Në 7 Prill 1937 ai mblodhi rreth vetes 20-30 djem, krijoi çetën dhe iu bashkua revoltës popullore kundër Italisë fashiste. Në çetën e tij bënin pjesë gardistë të mbretërisë, shokë të Raufit të cilët e braktisën Gardën dhe iu bashkuan rezistencës me në krye Abaz Kupin. Në këtë rezistencë kanë marrë pjesë edhe burra dhe djem të tjerë nga Mallakastra dhe vise të tjera shqiptare. Me sa më kujtohet, nga bisedat me pjesëmarrës të ndryshëm, mund të përmend disa djem dhe burra nga Mallakastra e Sipërme si Lelo Avdon, Hekuran Tenaj, Jonus Pashaj, Faslli Sulaj, Musa Osman dhe Qemal Osmanaj, Ali Merkaj, Gjysh Saliaj, Nexhip Xhafaj, Hazis Myftari, Dino Skënderi, Idriz Hodaj, Gjyshi Caushi, Xhafer Lazaj, Kaso Zotaj, Teki Ahmetaj, Hajdar Zotaj etj. Pjesa më e madhe e tyre punonin të veshur si xhandarë dhe e braktisën uniformën. Kish dhe nga ata që punonin si hamenj në portin e Durrësit, por që ishin të gjithë nga Mallakastra e Sipërme dhe njihnin mirë njëri-tjetrit. Në këtë rezistencë Raufi arrestohet nga autoritetet italiane dhe mbahet në burgun e Tiranës sepse grisi Flamurin e Italisë si urrejtje ndaj fashizmit. Duke thënë: “Unë njoh vetëm një flamur dhe ai është Flamuri Kombëtar i At-mëmëdheut tim që tregon indentitetin e Atdheut tim”! Mbas burgosjes së Rauf Fratarit çeta e rezistencës u shpërnda dhe u kthye në Mallakastër. Pasi del nga burgu e transferojnë në Garnizonin e Kuçovës si officer i thjeshtë (ky ishte një internim për veprimin e bërë). Në vitin 1940 e thërrasin autoritetet italiane (ato kishin hetuar për Raufin, e dinin që ai kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe i dinin cilësitë luftarake të tij). Autoritetet italiane donin ta fusnin Raufin në kthetrat e tyre për ta përdorur si spiun ndaj popullit të vet; ata përdorën mashtrimet për ta bërë me vete. Por ata nuk dinin rrënjët e atdhedashurisë dhe patriotizmit se sa të thella i kishte ky gjigant. Kështu që në vitin 1940 e ngarkojnë me detyrë të mobilizonte të rinjtë e Shqipërisë së Jugut që ata të shkonin të luftonin kundër Greqisë në trojet shqiptare (Qafa e Kiçokut në Përmet). Vendi i grumbullimit të rekrutëve ishte në Gjirokastër. Raufi u bëri thirrje rekrutëve që asnjë të mos i bashkohej kësaj lufte, sepse kjo nuk është luftë për Atdheun, por për tekat e Greqisë dhe Italisë, që të dyja ishin njëlloj armiq të Shqipërisë. Rekrutët dezertuan; 50 djem kanë qenë nga Mallakastra e Sipërme që u larguan dhe erdhën në këmbë nga Qafa e Kiçokut në shtëpitë e tyre. Autoritetet italiane e kuptuan që ideatori i këtij dezertimi në masë i ushtarëve ishte Rauf Fratari. E arrestuan dhe e futën në burgun e Gjirokastrës. Më pas e interrnuan në Kosovë, ku qëndroi atje 1 muaj. Me pas kthehet në Bejar në shtëpinë e vet. E kthen shtëpinë në një bazë të luftës kundër Italisë fashiste.

Mbas takimit me Mit’hat Frashërin në Frashër të Përmetit, filloi të zbatojë porositë e tij. Formoi formacionin luftarak me emrin ‘Hajredin Fratari’, (ky batalion vetëm sa u reformua, pasi baza e tij ishte që në Luftën e Vlorës më 1920). Shtëpia e tij u bë kuvendi i burrave jo vetëm për Bejarin, por dhe për gjithë Mallakastrën e Sipërme dhe rrethinat e tjera. Ishte formacioni i parë i ngritur në luftë kundër Italisë fashiste. Në këtë formacion u mblodhën 200 burra pa dallim fshati, krahine, feje, ideje me moton ‘Shqipëria është e jona’. Të gjitha shpenzimet për pajisjet luftarake dhe shpenzime të tjera u përballuan nga Fisnikët. Vendi i përhershëm i takimit të luftëtarëve ishte Maja e Bregut (Bejar) si dhe Maja e Varrit (Dams), si vendet më strategjike të fshatrave të Mallakastrës së Sipërme. Batalioni zgjodhi dhe strukturat udhëheqëse të saj. Hyri në negociata me patriotë të tjerë në Mallakastër dhe luftuan së bashku në Qafë të Skuqit, në Rabie, Luar, Margëlliç, Kurjan, Kalamatrëng, Greshicë, Qafa e Ferrës, Zhulaj e gjetkë.

Në 10 Shtator 1942 ndodhi një ngjarje e rëndë. Në vendin e quajtur Qafa e Ferrës në pyll, (pronë e Raufit) ra një avion luftarak italian. Dy piloted ranë njëri në majën e lisit dhe tjetri në tokë; avionic bëri një zhurmë të madhe dhe çobanët e qeve dhe të lopëve kujtuan se mos plasi ndonjë bombë, pasi ishte luftë. Të tmerruar ata u fshehën në një kaçube. Por kur panë se avioni kishte rënë përtej në përrua dolën dhe u nisën te vendi. Ata ishin tre shokë. Kur u afruan dëgjuan rënkime njerëzish. E kuptuan që ishin pilotë italianë dhe ishin plagosur. Piloti që ishte në tokë bërtiti ‘mama-mia, mamamia’. Piloti tjetër kishte ngecur në majën e lisit dhe fliste ca fjalë italisht që çobanët nuk e kuptonin. Njëri nga çobanët u nis për të njoftuar Raufin, (ai kishte ardhur në Bejar mbas incidentit të ndodhur me italianët dhe po merrej me organizimin e një kryengritje kundër tyre). Mbas një jave ai do të merrte pjesë në Konferencën e Pezës që do të mbahej në Tiranë më 16 Shtator 1942. Dy shokët biseduan me njëri-tjetrin dhe menduan për të marrë aventurën për ta zbritur pilotin në tokë. Ashtu bënë. Verua (kështu e quanin çobanin që hipi në lis) mori një palë litarësh dhe do ta zbriste pilotin ngadalë, duke e lidhur atë mbas trungut të lisit e duke e zbritur me kujdes. Më në fund i bënë të dy italianët bashkë dhe filluan t’i kontrollojnë se mos kishin marrë plagë. Dy pilotët kujtuan se këta do t’i vrisnin dhe filluan të bërtisnin. Kur erdhi Raufi u foli italisht. U qetësuan dhe diçka biseduan me Raufin gati një orë. Pastaj i hipën në kuaj dhe i nisën për te shtëpia e Raufit. Lajmi për rënien e avionit dhe zhurma e madhe u përhap me shpejtësi në fshat dhe të gjithë e morën vesh. U mblodhën shumë njerëz, por avioni ishte futur shumë thellë në tokë.Vetëm ca llamarina dukeshin. Raufi i mbajti në shtëpi pilotët për gati një javë. Njeri nga pilotët ishte vëllai i profesorit që ai kishte patur në akademinë ushtarake mbretërore, dega e Kavalierisë në Romë, Itali. Kur i tregoi albumin e fotografive ku Raufi kishte dalë me të piloti qau me zë dhe iu hodh Raufit në qafë.

Lajmin për rrëzimin e avionit e kishte marrë vesh dhe Kuestura Italiane që atë kohë rrinte në lagjen Shehaj. Erdhën në darkë për t’i marrë, po Raufi u tha se do t’i mbante në shtëpinë e tij me dëshirën e tyre një javë. Policët italianë u larguan. Dy ditë para se ai të nisej për në Konferencën e Pezës, i çoi pilotët italianë në Kuesturë. Ky akt human dhe njerëzor i major Rauf Fratarit do të interpretohej nga komunistët se ai kishte bashkëpunuar me armiqtë e Shqipërisë.

Në 16 Shtator 1942 merr pjesë në Konferencën e Pezës ku shtroi platformën e vet për një Atmëmëdhe etnik, pra bashkimin e shqiptarëve në një At-mëmëdhe të vetëm. Angazhohet në grumbullimin dhe furnizimin me armë të Frontit NÇl, bashkëpunoi me nacionalistët shqiptarë si Tefik Cfiri, Hysen Lepenica, Ismail Golemi, Idriz Hodaj, Rrapo Lejon, Abaz Kupin, Mit’hat Frashërin për një kryengritje mbarëkombëtare të armatosur kundër Italisë fashiste. U ra dakort që luftimet kundër Italisë fashiste të bëheshin në një front të përbashkët. Për këtë bisedoi me krerët e PKSH për Mallakastrën. Mbas Konferencës së Pezës të 2 Tetorit 1942, Rauf Fratari takohet me krerët e PKSH-së në shtëpinë e Qamil Hamzo Rakipaj, mbas një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste në ‘Përroin e Zi’, me në krye Mehmet Shehun, Bilbil Klosin, Selim Alimerkon, Hajdar Aranitasin etj. Të inkuadruar në dy batalione, ai “Hajredin Fratari” i Mallakastrës së Sipërme dhe tjetri i Çetës së Mallakastrës së Poshtme. Në odën e Fisnikëve kishin ardhur miqtë dhe burrat e lagjes Zotaj si dhe Imam Veizi. Kur vinte miku burrat e lagjes mblidheshin të gjithë në atë familje ku kishte ardhur miku për ta respektuar. Kështu ndodhi edhe natën e 2 Tetorit 1942 në odën e Hamzo Rakipit (djali i xhaxhait të Raufit). Në odën e miqve ishte dhe vëllami i Raufit, Kamber Çami (nga Çamëria dëbuar nga grekërit në vitin 1914, i cili ishte një një nga besnikët e Raufit, kishin punuar bashkë në Gardën e Mbretërisë Shqiptare ku Raufi e kishte bërë vëllam para vitit 1939 dhe aktualisht rrinte te shtëpia e Raufit bashkë me të ëmën). Mehmet Shehu kishte ardhur me një platformë tjetër që të bindte Raufin për t’u kthyer me komunistët. Ai i tha Rauf Fratarit që batalioni ‘Hajredin Fratari’ të kalonte nën siglën e PKSH-së me moton ‘Vdekje Fashizmit-Liri e Popullit’. Ishte hera e parë që përmendej emri i PKSH dhe që ajo dilte në skenë. Raufi me atë qetësinë që e karakterizonte dhe duke buzëqeshur i tha: – Sonte jeni miq në shtëpinë time, nesër bisedojmë për këto gjëra! Pastaj ne së bashku kemi një platform për të zbatuar, atë të Konferencës së Pezës! Selim Alimerko u hodh e tha: – Ne kemi ardhur në shtëpin e Qamil Hamzo Rakipaj! Imam Veizi e pyeti Qamilin: – O nipçe, nga e kemi ketë mikun?

– Nga Vlora, Imam! – u përgjigj Qamili. (Mehmeti I bëri shënjë Selim Alimerkos të mos fliste). – Sikur paska mizë në të ndënjurat ky miku! – i tha Qamilit,

Imam Veizi. Pastaj iu drejtua mikut: – I pyete të ndenjurat në cilin prag e hodhe këmbën? Ke ardhur në Zotaj këtu! Ku një dhe 20 hane janë një! Dhe miku kur vjen te njëri ka ardhur te të gjithë! Vura re se kur hytë brenda kishe një Selamas përpara (për Mehmet Shehun) që unë e njohë para se ti! E kam rritur që kur ishte këlysh! Ka qenë në një shkollë me Raufin dhe e njohin mirë njëri-tjetrin! Kjo shtëpi këtu është shtëpia e Sulo, Hysen dhe Hajredin Rakipit. Nuk e di si i keni zakonet ju nga anët tuaja. Këtu ku ke ardhur është shtëpia e Fisnikëve, që dinë ta nderojmë mikun! Por ku e kërkon vetë miku i tregojmë dhe vendin! Prandaj ktheji mbrapsht ato fjalë që the!

Qamili për të shmangur ndonjë incident të mundshëm ia mori këngës, miqtë ishin ndarë në dy dhoma. Imami iu drejtua Qamilit: – Pa çohu ti nipçe dhe na hiq një valle ashtu pleqërishte me xhaxha Raufin, ashtu si e ka zakon lagja e Zotaj! – Më gjithë qejf! – i tha Qamili. Dhe duke u ngritur ia mori këngës:

-Çohu xhaxha, mor çohu xhaxha!

Çohu xhaxha të heqim një valle!

Raufi nga ana tjetër:

-Kush ka dal në vallet-o!

Xhaxhai me nipin-o

Dajot e Rrapo Hekalit!

E marrin në lulet të ballit!

Është e shtrenjtë për ne liria!

Se na dhimbset Shqipëria!

Të tjerët mbanin iso. Miqtë e ardhur mbetën të habitur, nuk e prisnin këtë pritje. – Te Fisnikët këndohet edhe në kohë lufte! – u tha Imami miqve. – Fisnikët dinë të luftojnë, por dinë edhe të këndojnë. Miku nga Vlora rrinte si ‘pulë e lagur’. Mehmeti nuk foli. Me këtë valle Raufi dhe Qamili i la miqve të ardhur të nënkuptonin se ne jemi vëllezër. Të nesërmen miqtë u larguan, Mehmeti mikpritjen e Fisnikëve e kishte provuar disa herë që kur ishte i vogël. Në 18 Tetor 1942 Mehmeti bëri takimin e dytë me Raufin në shtëpinë e Hekuran Mehmet Tenaj (kur Mehmet Shehu qëndroi në vitet 1920 -1924, kur ishte nxënës në shkollën e Bejarit). Atë natë Mehmeti e hapi përsëri temën e kalimit të batalionit ‘Hajredin Fratari’ në siglën e PKSH në bisedë. Ishin vetëm Mehmeti Shehu, Idriz Seitaj, Qamili Rakipaj, Hekuran Tenaj, Halim Zanua, Sheh Zeneli, Idriz Danua, Kamber Çami, Imam Veizi dhe Qazim Cania si kryetar i Frontit N.Çl. Mbas shumë orë debatesh Raufi nuk pranoi që batalioni ‘Hajredin Fratari’ të ishte nën siglën e PKSH. Raufi i argumentoi Mehmetit pse ai nuk ishte dakort me platformën e PKSH, i kërkoi të mos futej përçarja në Mallakastrën e Sipërme, por të vazhdohej lufta kundër okupatorit në një front të përbashkët si kemi vazhduar pa i rënë gjoksit dhe pa marrë meritat askujt. Meritat janë të Martirëve që luftojnë për liri. Imam Veizi, Qazimi, Hekurani e Qamili ishin dakort me mendimin e Raufit që lufta të vazhdonte në një front të përbashkët. U vendos që të gjitha luftimet kundër Italisë Fashiste të bëheshin së bashku. Raufi kishte krijuar seksionin e Partisë së Ballit Kombëtar për Mallakastrën e Sipërme, të cilët u përfshinë në batalionin ‘Hajredin Fratari’ dhe luftuan së bashku me forcat e tjera antifashiste që i bashkonte ideali i urrejtjes kundër armikut. Veprimet koordinoheshin së bashku me Çetën e Mallakastrës. Kështu në 20 Tetor 1942 batalioni ‘Hajredin Fratari’ u mblodh në Majën e Varrit dhe u vendos të luftonin në operacionin që do të zhvillohej në itinerarin Gadurov-Ninsh-Levan (Tepelenë). Nga ky operacion mbetën të plagosur disa martirë të batalionit ‘Hajredin Fratari’, që Raufi i mori në shtëpinë e vet duke e kthyer atë në spital. La në dispozicion të tyre Ramadan Rakipin gati për 15 ditë. Në betejën e Qafës së Thanës (afër fshatit Zhulaj-Tepelenë) mbetet i vrarë Kamber Çami, intendenti i batalionit ‘Hajredin Fratari’, plagoset Ali Qazim Merkaj, Muharrem Xhafer Rakipaj dhe Abaz Kaso Brahimaj. Vrasja e vëllamit të Raufit qe një humbje e rëndë për batalionin ‘Hajredin Fratari’ dhe më mënyrë të veçantë për Raufin të cilin e kishin njërin nga shokët më besnikë të tij. U varros në varret e lagjes Zotaj duke i bërë të gjitha ritet e cermonisë mortore nga ana e Raufit. Ai u betua para varrit të Kamber Çamit se do të kujdesej për nënën e tij deri sa të kishte jetë. Por në fundin e Nëntorit 1944, ai iku jashtë Shqipërisë për shkak të reprezaljes së komunistëve. Dhe e la në shtëpinë e tij nënën e Kamber Çamit, Merifanë duke ia lënë si amanet kushëririt të tij Ramadan Rakipaj.

E pyeta “Lisin e Moçëm”: – Si vajti fati i nënës së Kamber Çamit?

– Pati një fat tragjik, mbas largimit të Raufit për të cilën do të rrëfehem më vonë! – më tha dhe vazhdoi tregimin: – Në Poçem në Korrik 1943 qe krisja e parë midis Komunistëve dhe Nacionalistëve. Komunistët filluan të hedhin baltë mbi Nacionalistët duke shkelur parimet e Konferencës së Pezës dhe duke i akuzuar ata si bashkëpuntorë me fashistët italianë. Gjendja sa vinte dhe acarohej. Mehmeti kërkoi një takim me Raufin në një rreth më të ngushtë miqësor nëpërmjet Qamil Hamzos, (nipit të Raufit). Raufi e pranoi takimin sepse ishte për negociata dhe po shikonte që Shqipëria kishte hyrë drejt një luftë civile midis vetë shqiptarëve. Prandaj ai ishte dakort me çdo lloj bisedimi vetëm e vetëm në të mirën e çështjes kombëtare. Ky takim zhvillohej mbas Beslidhjes së Poçemit, mbas krisjes së pare midis Nacionalistëve dhe Komunistëve. Raufi shpresonte se ky takim do të ishte frytdhënës. Ky takim u bë po te shtëpia e Qamil Hamzo Rakipaj, me përfaqësues të PKSH. Veç Mehmetit dhe Qamilit ishte dhe Gjon Banushi, Muhamet Prodani (nipi i Sulo Rakipaj), Eqerem Qamili nga Hekali, (kishte marrë çupën e Sulos), Bilbil Klosi, (mik shtëpie). Në fillim Raufi foli vetëm me nipërit, kushërinjtë e tij dhe Imam Veizi. Miqtë kishin ardhur në dhomën e miqve. Qamili i tha Raufit: – Këta miqtë duan të zhvillojnë një takim miqësor me që pjesa më e madhe e mysafirëve janë miq! Raufi i tha të nipit:

– Miku nuk pyetet kur të vjen në shtëpi. Por unë kam një këshillë për ty: ‘Mos bjerë në humnerën e tyre’. Dhe e mori për qafe të nipin. Ai hyri në dhomën e miqve dhe u tha: – Mirëserdhët. Ky takim u bë para Marrëveshjes së Mukjes (ku Raufi ishte delegat nga Partia e Ballit Kombëtar të Mallakastrës), ky ishte takimi i tretë! Ky takim u bë  5 ditë mbas formimit të brigatës së parë sulmueseme komandant Mehmet Shehun. Ai i kërkoi përsëri të bashkëpunonin nën siglën e PKSH. Mehmet Shehu i thotë Raufit: – Kemi ardhur disa herë për të bashkëpunuar nën siglën e PKSH. Kjo është hera e fundit! Unë po të bëj dhe një ofertë në shtëpinë tënde dhe para miqve të tu! Eja me ne, ti komandant dhe unë zëvendës! (Raufi po e dëgjonte me vëmendje). I thotë: – Kur të mbarosh më thuaj! – Unë të garantoj dhe një vend në Qeverinë e re, tha Mehmeti, – që do të krijohet mbas lufte. Unë i njoh mirë cilësitë dhe aftësitë e tua. Prandaj kam ardhur sonte për të ndarë ‘shapin nga sheqeri’! Jam dakort që i gjithë batalioni ‘Hajredin Fratari’ të rreshtohet në formacionin e Brigatës së Parë Sulmuese. Ti të jesh komandant dhe unë komisar! Mendohu! Përgjigjen e dua sonte!

– Mbarove? – e pyeti Raufi.

– Po! – i tha Mehmeti.

– Tani më dëgjo dhe më dëgjo me vëmendje! Unë nuk e dorëzoj gjakun e babait tim tek Jugosllavët dhe Rusët, unë nuk do të pranoja kurrë që Atmëmëdheu im të bëhet koloni e një shteti tjetër, qoftë kjo Jugosllavia, Rusia apo kushdo tjetër! Unë kam një flamur dhe ai është Flamuri i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut! Dhe ai është pa yll, këtë bisht ia vendosët ju komunistët. Unë kam një amanet nga im at, për të cilin e mësova vonë vdekjen e tij, por atë ditë që e mësova u betova se do të luftoj deri në vdekje për mbrojtjen e tij dhe At-mëmëdheut! Kur jam betuar unë, ti ishe nxënës i shkollës që hapi im at! Prandaj unë nuk shkel mbi betimin. Nuk kam nevojë për grada dhe ofiqe, për mua ato janë Liria dhe bashkimi i Atmëmëdheut tim, të cilin ju e shitët duke ia dhënë Kosovën Jugosllavisë dhe Çamërinë Greqisë. Të mos gënjejë mendja se Rauf Hajredin Fratari do ulet ‘të hajë çorbën tuaj’! Pra do të ulet të pi kupat e gjakut si verë të popullit tim! Këtë harrojeni! Unë e di se me mashtrime, gënjeshtra, terror, vrasje, ju edhe mund të fitoni! Por shpirti i juaj do të jetë katran gjatë gjithë epokave të historisë. Dhe ju nuk do të gjeni kurrë qetësi për këto masakra që po i bëni popullit tuaj. Unë e di mirë, PKSH nuk është gjë tjetër veç vegël e shovinistëve sllavë, e Murtajës së Kuqe dhe ata kanë si objektiv zhdukjen e At-mëmëdheut. Ndaj unë nuk pajtohem me ta! – I tha Raufi Mehmet Shehut.

– Atëhere rrugët tona janë të ndara! Do shihemi, – i tha Mehmeti.

– Dëgjo! Unë të njoh mirë! Në qoftë se ke gjë me mua, eja ballë për ballë! Por mos futni vëllavrasjen në Mallakastrën e Sipërme dhe në gjithë Shqipërinë! Familja dhe fisi im e ka treguar me kohë patriotizmin! – i tha Raufi.

Ndërhyri Imam Veizi për të qetësuar situatën duke u thënë: – Ulni gjakrat! I lini kapriçot! Duke iu drejtuar Mehmetit: – Ti more djalë e ke marrë shumë përpjekur, por ne ja ku jemi, ‘një vrap pele’ me njëri-tjetrin! Kemi marrë kripë hua te njëritjetri! Ti more mësimet e para në këtë fshat. Unë të mbaj mend shumë mirë dhe familjen tënde e njoh mirë, ndaj të të jap një këshillë që të jesh më i matur dhe më i qetë! Sot e përbashkëta jonë është lufta me armikun! Dhe ky fshat e ka treguar veten qysh në kohën e Rrapo Hekalit. Në vitet e mbrapshtë kur na kërkonte At-mëmëdheu t’I dilnim për Zot! Dhe sa herë që na ka kërkuar ai ne kemi qenë në këmbë! Prandaj ulni gjakrat se jeni vëllëzër! I dilni Zot At-mëmëdheut se do t’u dënojë historia!- i tha Imami.

– Më këtë nuk mund të bisedohet, ai u bë bashkëpuntor me armikun që kur u shërbeu pilotëve italianë! Ai e ka mbaruar shkollën në Itali dhe është bashkëpuntor me ta! – tha Mehmeti.

– Dëgjo more bir! – i tha përsëri imami, – vetëm Robi i Zotit nuk preket! Fati i solli në Shqipëri! Dhe ata janë njerëz. Me aktin që bëri ky djali ynë, Raufi është akt fisnikërie se ai eka në gjak fisnikërinë. Dhe nuk mund t’i thuash tradhëtar! Prandaj ktheji mbrapsht ato fjalë! Te miku nuk mund të vish dhe të flasësh me këtë gjuhë! Mendohu dhe pyete veten mirë! Me mua mirë u pjekshim, (u bëri shenjë shokëve për t’u ngritur!

– Takohemi në atë jallane! – tha Mehmeti dhe u ngrit.

– Ju qoftë rruga e mbarë! – u tha Imami.

Miqtë u larguan. Bashkë me ta doli dhe Qamili për t’i përcjellë. Ishte ora dy pas mesnate. Në odë mbetën të zotët e shtëpisë si dhe Eqeremi me Muhametin. Ranë për të fjetur. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, PKSh i shpalli luftë Nacionalistëve të Kombit. Pra Jugosllavët dhe Sovjetikët e bënë punën e tyre, futën përçarjen dhe vëllavrasjen midis shqiptarëve. Në Marrëveshjen e Mukjes mori pjesë si delegat, përfaqësues i Ballit Kombëtar për trevën e Mallakastrës së bashku me Mit’hat Frashërin, Abaz Kupin, Hasan Dostin, Thoma Orollogaj, Skënder Muçaj, Hysni Lepenicën, Isuf Luzin, Kadri Cakranin, Xhevat Peshkopinë, Halil Manokun, Vasil Andonin dhe Ismail Petrelën, që përfaqësonin krahun nacionalist të lëvizjes. Rauf Fratari, në mes 22 delegatëve të Marrëveshjes së Mukjes, këmbënguli për vendosjen e nenit 2 të proklamatës ”Luftën për zbatimin pa asnjë kusht tëgarantuara nga Karta e Atlantikut për vendosjen e kombeve e cila nënkupton bashkimin e troajve të Kosovës, Maqedonisë e Çamërisë për bashkimin e shqiptarëve në trungun mëmë. Pra të drejtat për një Shqipëri Etnike”. Në këtë marrëveshje Raufi u zgjodh komandat i qarkut të Beratit. Ai u shpreh me vendosmëri: “Unë jam ushtarak, patriot i lire dhe do të luftoj vetëm për At-mëmëdheun se e kam amanet nga im at”. Në këto kushte kthehet në Fratar dhe bën takime me pjesëmarrës të batalionit “Hajredin Fratari” dhe me burra të mençur dhe  të zgjuar të Mallakastrës së Sipërme. Kërkonteme çdo kusht që të mos nxitej vëllavrasja midis Bejarakëve dhe Mallakastriotëve në përgjithësi. Raufi takimin e parë me martirët e batalionit “Hajredin Fratari” e bëri në ‘Majën e Varrit’. Në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e PKSH ku kishin ardhur me objektivin e qartë  për të shkaktuar incidente dhe për të futurethet e një luftë civile, pra të një vëllavrasje të  mundshme. Raufi e kuptoi situatën dhe i porositibashkëluftëtarët e vet të ruanin gjakftohtësinë, pavarësisht provokimeve. Raufi në këtë takim foli për rëndësinë e Marrëveshjes së Mukjes dhe platformën e saj. Por Komunistët duke parë që Italia ishte drejt kapitullimit përgatitën traktet e mashtrimit, të intrigave, shpifjeve duke i akuzuar Nacionalistët si bashkëpuntorë me Italinë fashiste. Ata nuk e njihnin Marrëveshjen e Mukjes. Pra ajo u prish. Komunistët kishin vendosur të merrnin pjesë në çdo takim të organizuar nga Nacionalistët dhe t’i demaskonin ata në sytë të popullit duke shpifur dhe hedhur hi syve njerëzve. Kështu ndodhi dhe në atë takim. Në kohën që po fliste Raufi e ndërpret Selim Alimerko duke i thënë: – Për çfarë marrëveshje dërdëllis këtu para këtyre burrave, për atë që ju keni bërë me armiqtë e Shqipërisë! Ju jeni armiq të popullit sepse keni bashkëpunuar me italianët mbasi ata ty të shkolluan dhe të përgatitën si agjent dhe spiun të këtij vendi! Në këtë kohë Ali Qazim Merkaj nga Bejari, Gjyshi Haxhiu nga Ninshi, Dino Skënderi nga Peçaj, e mbërthyen dhe Ali Qazimi i tha: – Lëre atë burrë të flas se ka nevojë për ta dëgjuar. Sa për tradhëtinë që thua zotrote këta burra e kanë parë me sytë e tyre që nga 1939 e deri më sot. Ti nuk fut dot mizat këtu në Mallakastrën e Sipërme! Ne jemi të gjithë vëllezër dhe nuk kemi nevojë të vijë një ‘krimb’ nga Vlora dhe të na hedh helmin midis  njëri-tjetrit! Lëre të flas Fisniku! Fisnikët e kanëtreguar veten me kohë! Situata u acarua. Ndërhyn Imam Veizi, Idriz Danua, Bilbil Klosi dhe vetë Mehmet Shehu kur e panë se takimi po shkonte drejt tragjedisë. – Mos! – tha Imam Veizi dhe iu drejtua të pranishmëve, – vëllezër ruani gjakftohtësinë! Ne jemi vëllezër dhe duhet t’i ruhemi provokimeve të rënda me pasoja katastrofike për ne dhe fëmijët tanë! Iu drejtua Selim Alimerkos: – Ti or mik hodhe një kockë në mes të këtyre burrave dhe ne po hahemi si qentë pas kockës tënde! Të lumtë! Pastaj iu drejtua Mehmetit: – Kjo është zgjuarsia dhe mençuria jote! Bravo! Mehmeti e kuptoi që u bë një gabim, por ishte vonë. Gjysh Haxhiu me revole në dorë i vete drejtpërdrejt mikut nga Vlora dhe i thotë: – Kujt i dërdëllis ti more këlysh bushtre, ore pusht i fëlliqur! Raufi duke njohur temperamentin e Gjyshi Saliajt shkon menjëherë dhe i thotë – Lëre Gjysh, lëre dhe i heq revolen nga dora. I drejtohet mikut nga Vlora: – U fute në borxh të madh more mik! E këto borxhe hanë kokën e vet! Prandaj ik se fratarakët nuk kanë nevojë për të blerë mendje nga ti! Ne nuk e presim në besë mikun, por i tregojmë vendin!

Është afruar Mehmet Shehu dhe Qamil Hamzua dhe e kanë marrë mikun nga Vlora. Kuvendi i burrave u prish. Ky incident shkaktoi indinjatë të thellë në popull. Shumica e burrave u tërhoqën në punët e veta. Martirët u larguan. Raufi e kuptoi situatën e mundshme të një vëllavrasjeje. I gjithë meraku tij ishte shmangia e kësaj vëllavrasje në Bejar e gjetkë. Prandaj u dërgoi haber antarëve të këshillit për të bërë një takim vetëm me Bejarakët. Mbas incidentit të ndodhur te ‘Maja e Varrit’, burrat e Bejarit u mblodhën te shtëpia e Qazim Canes në lagjen Balliaj. Ishin të pranishëm burrat e Bejarit: Qazim Cania, Hysen Sulua, Xhezo Jakupi, Sulo Muçua, Shefit Aliu, Rauf Fratari, Lelo Avdia, Ali Qazimi. Ali Çumani, Hekuran Mehmeti, Sadik Selmani,Veiz Silja, Sheh Zeneli dhe Jonuz Ahmeti. Ky takim u quajt si një besëlidhje e burrave të Bejarit për t’i thënë ndal vëllavrasjes në Bejar. Raufi u foli për situatën e rëndë të krijuar jo vetëm në Mallakastër, por në të gjithë Shqipërinë, i porositi të ruhen nga provokimet e rënda. Ai tha: – Ju jeni dëshmitarë vetë të luftës që ka bërë batalioni ‘Hajredin Fratari’ kundër okupatorit dhe kjo nuk ka nevojë për rënie gjoksi. Ne kemi luftuar së bashku në mbrojtje të atdheut tonë, të familjeve tona. U vendos që mbas dy ditësh të mbahej kuvendi i burrave të Bejarit te ‘Maja e Bregut’. Mbas dy ditësh u mblodh ky kuvend ku veç burrave të Bejarit morën pjesë dhe të tjerë nga fshatrat e Mallakastrës së Sipërme. Të pranishëm edhe përfaqësuesit e PKSH me në krye Mehmet Shehun. Pjesëmarrja ishte e madhe. Raufi shpresonte se ky kuvend do të ishte shansi i fundit për një bashkëpunim të mundshëm me Komunistët. Ishte koha kur Italia Fashiste kishte shpallur kapitullimin dhe në Bejar kishte shumë familje që kishin strehuar mjaft robër duke i mbajtur ata me bukë. Një nga këto familje ishte dhe ajo e Rauf Fratarit që kishte strehuar 5 robër. Italianët bënin punë të ndryshme në bujqësi së bashku me fshatarët. Njëkohësisht flitej se Shqipëria po i kanosej një pushtim i ri nga Gjermania. Raufi foli për Marrëveshjen e Mukjes, por në mënyrë të veçantë për ruajtjen e vëllavrasjes ndaj njëritjetrit. Njëri nga përfaqësuesit e PKSH i ndërpret fjalën Raufit duke iu drejtuar të pranishmëve: – Mos e dëgjoni atë, ai është djalë Beu! Shikoni si I është bërë barku!

Një nacionalist nga Gadurova, Kaso Muhamet Zotaj me revole në dorë iu drejtua mikut: – Ti jashtë nga mbledhja! Shko e bëj petë në Vlorë! Këtu i thonë Fratar!

Ndërhyn Raufi duke thënë: – Mos Kaso! Mos (i heq revolen nga dora). Iu drejtua mikut: – E vërtetë është kur të bëhet barku yt si imi, këtyre burrave do t’u marrësh dhe pulat shqerake. Ndërhyn kryeplaku i fshatit Qazim Cania dhe i thotë: – O mik e ke pyetur veten kur erdhe këtu! Atë balgë që hodhe fute prap nga e nxorre! Mos bëj provokime këtu se do të hash kokën tënde! U hodh Mehmeti dhe i tha Raufit: – Rrugët tona u ndanë! Do të më shohësh se kush jam! Mori të tijtë dhe iku. Raufi qëndroi me burrat e Bejarit dhe u foli për situatën mjaft të rënduar në Shqipëri dhe për rrezikun e ri që kanosej Shqipërisë nga nazizmi gjerman. Përfaqësuesit e PKSH u mblodhën te shtëpia e Xhezo Jaup Merkaj. Mehmeti shfaqi mendim për ta vrarë Raufin, por Hekuran Tenaj, shok fëmijërie me Raufin, i tha Mehmetit: – Mendohu mirë kur flet.

Dy ditë mbas ngjarjes te Maja e Bregut ndodhi incidenti i parë, kur forcat e Brigatës së Parë ishin te lagja Rrapaj. Krerët ishin te shtëpia e Hekuran Mehmet Tenaj. Gjysho Saliaj (Ninshi), një nga besnikët e Rauf Fratarit kishte qenë te një mik në Bejar dhe po kthehej për në shtëpi. Një mik i del përpara te çezma e Zotaj dhe i thotë: – Ndërro rrugë se janë partizanët e Brigatës së Parë me Mehmet Shehun dhe mund të të vrasin! Ai me qetësinë dhe burrërinë që e karakterizonte i tha mikut: – Po qe se i kam borxh dikujt le të më vras! Burrat njëherë vdesin! Mori rrugën e thellë që të nxjerr në lagjen Rrapaj. Maliherin e bëri gati dhe tha me vete: Dy duar për një kokë janë! Doli te sheshi i lagjes ku ishin partizanët. Dëgjoi një zë:

– Ndal! Kush je?

Zuri pozicion luftimi dhe tha: – Jam Gjysh Haxhi Saliaj nga Ninshi!

– Mos lëviz! – thanë ata.

– Mos u afroni se do t’u hedh trutë në erë, – u tha. Rojet u stepën. Kjo gjullurdi e madhe vajti në vesh të Mehmetit i cili doli së bashku me krerët e brigatës. Bashkë me ta nga shtëpia doli dhe plaku i urtë dhe i mençur Bektash Seitaj, (xhaxhai i Hekuran Tenaj dhe mik shtëpie i Gjysh Haxhiut) kur mori vesh se ai ishte Gjysh Haxhiu. Jehona e përplasjes të Gjysh Haxhiut me Selim Alimerkon në Majën e Varrit nuk ishte shuar akoma. Ai edhe mund ta kishte vrarë po të mos kishte ndërhyrë Imam Veizi me Hekuran Tenaj. Dhe Mehmet Shehu doli dhe pa se si kishte zënë pozicion luftimi rrëzë një ulliri. Mehmeti i tha:

– Erdhe si cjapi te kasapi o bandill!

– Unë jam në shtëpin time te miqtë e mi! Ti je në vendin e gabuar!

Të gjithë po ndiqnin situatën se si do të vinte ajo më vonë. Bektash Seitaj kishte dalë nga konaku dhe me bastun në dorë u drejtua nga pozicioni ku ishte Gjysh Haxhiu dhe i tha: – Mos u tremb o trim! Je në besën time! Kur të vdes Bektash Seiti të prek ty njeri me dorë! U tha rojeve: – Largohuni!

Rojet vështruan nga Mehmeti. Mehmeti i tha: – Xha Bektash!… por ai nuk e la të vazhdonte. – Dëgjo këtu ti i biri Shehut që kam 50 vjet mik me familjen tuaj! Unë të fal bukën, por jo gjakun e mikut tim! U thuaj rojeve të largohen! Nuk ka bërë kurrë vaki në Bejar që miku të pritet me pushkë! Edhe këta që ti i di të tutë në të tilla raste janë me mikun që i ke lypë të dorëzohet! Po a e di ku je këtu? Ti sikur qëndrove 4 vjet këtu! Erdhe pa grisur shpargu dhe ike njeri i ditur. Nuk e mësove dot ti që Bejarakët për mikun lënë dhe jetën! U afrua te ulliri dhe u përqafua me Gjysh Haxhiun. Mehmeti nuk foli. Hysniu (vëllai i Hekuranit dhe nipi i Bektashit dëgjoi zallamahinë dhe mori vesh se bëhej fjalë për mikun e tij Gjysh Haxhiun). U afrua te sheshi i burrave dhe i tha Mehmet Shehut:

– Fisniku Rauf mbledh njerëz rreth vetes dhe jo alabakët si puna jote! Me këta do të luftosh ti, (duke treguar një njeri, më të humburin në fshat, që kishte vajtur partizan me brigatën e parë). Mehmeti e vështroi me inat Hysniun. I thotë Hysniu:

 – Mos më vështro ashtu! Ja pema ku është! Po e goditi ai, unë do të vras veten! Mehmeti i vrarë në sedër para të gjithë atyre burrave i tha partizanit:

– Ushtar Murati, eja këtu!

Partizani vajti te Mehmeti.

– E shikon atë lofatën? – i tha.

– Po ! – e shikoj.

– Merr nishan dhe godite!

Murati “kokën e mbante nga mushka dhe pushkën nga krushka”. Mehmeti i vrarë në sedër i tha partizanit: – Të mos të shoh më në brigatë!

Bektashi ishte afruar te Mehmeti së bashku me Gjysh Haxhiun. Gjysh Haxhiu mbante maliherin në dorë. Hysniu u afrua te grupi dhe i tha Bektashit: – O xhaxha, të bëj një qitje ky trimi e t’i mbush mendjen këtij kushëririt se çfarë trima  mban pas vetes Fisniku! Bektashi i shkeli syrinGjysh Haxhiut dhe ai qeshi. Mori në shenjë degën e lofatës dhe e këputi! – Ja ky është fisniku! – tha Hysniu.

– Merrni armën dhe lëre të iki! – i tha Mehmeti… Në takimet e shpeshta midis burrave të zones ka patur provokime të rënda nga krerët e PKSH; rast ekstrem ka qenë planifikimi për vrasjen e Ramadan Rakipaj nga dora e zezë e PKSH, kushëririt të Raufit. Por i ndaloi kryetari i këshillit N-Çl. Qazim Cane Myftari që u tha: – Po vutë dorë në Bejar, pushkën e keni me mua. Ata alabakët harruan që Ramadan Rakipaj ishte nga dera e fisnikëve që kishte pritur dhe përcjellë me qindra luftëtarë të lirisë që kishin luftuar kundër fashizmit. Ata harruan se luftuan së bashku me Rauf Fratarin në disa beteja të përgjakshme në Kalamatrëng, Rabie, Margëlliç, Rozhdie, Gadurovë, Greshic, Përroi i Zi, Qafa e Ferrës etj. Ata harruan se 10 djemtë e Fisnikëve kishin luftuar partizanë me të. Ata harruan që Mehmet Shehun, fisnikët e mbajtën si djalin e tyre. Ata harruan që Qamil Hamzo Rakipaj dhe Muhamet Prodani ishin nipërit e Fisnikëve. Ata harruan se luftëtarët e parë kundër fashizmit ishin bijtë e fisnikëve. Dhe këta ishin komunistët bukëshkalë dhe besëprerë, duke vrarë në pritë një nga djemtë e fisnikëve, Qani Sulo Rakipaj. Qaniu ishte shoku me i ngushte i Raufit. Sipas rrëfimeve kur zhvilloheshin mbledhjet midis dy grupeve, Mehmeti është ngritur natën të vrasë Raufin, por Qaniu nuk flinte pasi ruante mikun e tij më të ngushtë. Mehmeti u zuri pritë kur hasi Qaniun i cili duke i kapur dorën dhe i tha: “Ke ngrënë bukën e tij që në fëmini dhe tani po do ta vrasësh”? Ky veprim tregonte edhe më shumë se komunistët i kishin hipur kalit sëprapthi dhe me ta nuk mund të vazhdoje më me negociata. (Ata kishin përgatitur listën e zezë për pushkatimin e dhjetra nacionalistëve të ndershëm, intelektualë, patriotë, atdhetarë të vendosur për çështjen kombëtare). Ata shkelën çdo lloj norme, zakoni, traditë sa përdhosën kufomat e të vrarëve siç ishte rasti i patriotit dha nacionalistit që solli arsimin 7-vjeçar në Mallakastrën e Sipërme së bashku me Rauf Fratarin dhe ish-kryetarin e këshillit të fshatit Drizar, Idriz Dani Hodaj. Edhe Akili, heroi i grekëve i ra në gjunjë të atit të Hektorit, heroi të Trojës, kur ai e kuptoi që po dhunonte kufomën e Hektorit. Kaq të pashpirt ishin komunistët ku vazhduan rrugën e qoftëlargut. Dhe e ndanë fisin, miqtë, vllezërit me njëri-tjetrin duke shkelur çdo normë të ligjeve të pashkruara që janë guri i themelit për një shoqëri njerëzore. Dhe pasojat do t’i vuanin brezat e ardhshëm. Në këto kushte Raufi u zhvendos në Fier me një pjesë të madhe të batalionit “Hajredin Fratari” për të vazhduar luftën kundër pushtuesve të rinj, nazistëve gjermanë. Raufi i porosity Nacionalistët të ishin të kujdesshëm nga dora e zezë e komunistëve sepse ata të vrisnin pa gjyq. Raste të tilla pati plot sidomos në Mallakastrën e Sipërme. Aktet humaniste dhe të shpëtimit të jetëve nga Nacionalistët janë kthyer në copëza legjendash në Bejar. Gjysh Haxhiu dhe pjesa më e madhe e batalionit “Hajredin Fratari” u zhvendos në Fier dhe vazhduan luftën kundër okupatorit të ri gjerman; ata luftuan në Mat, Krujë, Prezë, Zallher e gjetkë. Në Bejar dhe në të gjithë Mallakastrën e Sipërme janë me dhjetra raste të familjeve të cilët nuk i dorëzuan robërit italianë te ushtria gjermane mbas kapitullimit të saj. Raufi u shpëtoi jetën me qindra patriotëve dhe bashkëfshatarëve të Bejarit, të cilët ishin arrestuar dhe sjellë në Kuesturën e Fierit. Në fund të Nëntorit duke parë se ai nuk mund të vazhdonte më aktivitetin patriotik dhe se At-mëmëdheu u pushtua nga ‘Murtaja e Kuqe’, sishumë nacionalistë të tjerë detyrohet të largohet nga Shqipëria, natën e 31 Nëntorit 1944, i përcjellë nga shokët e tij besnikë dhe antarë të partisë së Ballit Kombëtar. Ata shkuan deri në Shkodër dhe u larguan me një barkë për në Ulqin; iku bashkë me nacionalistët e tjerë duke lënë pas gruan dhe dy fëmijët e vegjël si dhe mallin dhe dashurinë për At-mëmëdheun…

U ngrit dhe i ra rreth e qark të shtëpisë së rrënuar. – Më duket sikur i kam parasysh të gjitha këto që të tregova more bir, – më tha. U ul përsëri mbi “Gurin e Merifasë”. Nxorri shaminë dhe fshiu lotët. – E ndjej ende aromën e luleve të kopshtit që rriti Merifaja! – tha dhe u ngrit nga vendi e shkoi atje ku kishin qenë lulet. – Ja ku janë gjurmët! – më tha. Dhe tregoi vendin me shkopin e vet. – Gonxhet e luleve nuk thahen kurrë. Nuk ka rrebeshe, furtunë e stuhi që t’i thajë. Ato janë vaditur me gjakun e Martirëve. Për to kujdesen këta pëllumba që fluturojnë mbi truall!…

Qava gati me zë! Nuk durova dot më. “Lisi i Moçëm” më përqafoi dhe ashtu të dy të përqafuar u ulëm te “Guri i Merifasë”. Qëndruam disa minuta ashtu të përqafuar. Ai nxorri shaminë, më fshiu lotët dhe tha: – Burrat nuk qajnë, burri qan me zemër! Dhe lotët mblidhen vetvetiu në liqenin e saj. Dielli i Majit vazhdonte të ndriçonte natyrën e bukur ku nga shumëllojshmëria e ngjyrave të luleve dhe pemëve që ishin në fazën e lulëzimit, dukej një perlë e vërtetë e bekuar nga Zoti. Pëllumbat vazhdonin të fluturonin sa tek shtëpia e rrënuar, tek “Mësonjëtorja e parë shqipe”! E pyeta “Lisin e Moçëm”: – Po më vonë di gjë për Raufin?

Hoqi në zemër dhe vazhdoi rrëfimin: – Datës së 31 Nëntorit 1944 t’i përgjërohem! Kur grykat, përrenjtë, kodrat, fushat e Bejarit, Mallakastrës dhe të Shqipërisë oshtinin nga jehona:

“Laaaamtuuuumiiiiirë! Laaaamtuuuumiiiiirë”!

Ishin zërat e bashkuar të Martirëve të cilët ‘Murtaja e Kuqe’ po i detyronte të shkëputeshin nga shpirti i tyre, nga malli, dashuria për At-mëmëdheun. Një ndër ta ishte dhe patrioti, intelektuali, luftëtari, udhëheqësi, fisniku, Major Rauf Hajredin  Fratari! O Zot! O Zot! Si nuk pate pak mëshirë që shkëpute nga gjiri i fëmijës babanë dhe që i le fëmijët jetimë! Fati i tij ishte i njëjti pikëllim si i atit, Hajredin Rakip Fratarit ku dora makabër e të njëjtit djall i la fëmijët jetimë. Dhe ato, nëna, Sabireja dhe Ganimetja i ushqyen fëmijët e tyre me qumështin e Atdhedashurisë, të fisnikërisë për për t’u thënë djajve se dashuria e nënave dhe përkushtimi i tyre është më i madh dhe më i fortë se mëkatet tuaja! Dhe kjo nuk është rastësi, kjo është forca e Zotit që nxjerr të vërtetën si drita e diellit që u verbon sytë të paudhëve…

Mbas iku nga Shqipëria, u vendos në Itali, më vonë fitoi azil në SHBA duke marrë dhe nënshtetësinë amerikane. Por hija e zezë e merimangave e ndoqi deri sa mëngjesin e 25 Janarit 1973 e vranë dy spiunë me pagesë nga Sigurimi i Shtetit.

“Lisit të Moçëm” i dukej sikur i rifreskonte dhimbjet e së kaluarës duke qëndruar mbi “Gurin e Merifasë”. Vështronte pëllumbat që fluturonin mbi truall dhe qëndronin tek “Trëndafili i Plakur” duke na buzëqeshur ne.

E pyeta “Lisin e Moçëm”: – Ç’ndodhi me bashkëluftëtarët e Raufit? – Disa i vranë, disa i burgosën dhe të tjerët u internuan! Edhe gurët, pemët edhe lulet e kopshtit u trajtuan si “Armiq të Popullit”! – më tha.

MERIFAJA, DADOJA ÇAME QË MBETI BESNIKE FISNIKËVE DERI NË FUND TË JETËS

Nëna e luleve, portreti i ‘Gurit të Merifasë”. I njëjti personazh që erdhi nga Çamëria për të krijuar legjendën e vet në Mallakastrën e Sipërme.

– Po fati i Merifasë si përfundoi? – e pyeta “Lisin e Moçëm”.

Hoqi në zemër dhe pastaj vazhdoi rrëfimin: – Gruaja me tumane (çitjane), dadua çame, ‘nëna e luleve’. Kështu mbeti në mendjen dhe zemrën e atyre që e kanë njohur. Po kështu ajo regjistroi legjendën e vet në Bejar dhe në Mallakastrën e Sipërme. Raufi i tha një ustai që të vendoste një gur të madh 1 metër të lartë dhe 2 metër të gjerë dhe të gdhendte fjalët ‘Guri i Merifasë’ që nëna sa herë që do sodiste kopshtin me lule të ulej te ky vend. Ja ky gur, ku jemi ulur ne sot, mori emrin “Guri i Merifasë”! Vetëm ky gur dhe ‘Trëndafili i plakur’ i kanë shpëtuar katrahurës së ‘Murtajës së Kuqe’. Të nesërmen ajo i tregoi Ramë kosovarit projektin për të ndërtuar një model lulishteje që kishte ndërtuar në një nga provincat e Janinës. Vendi ku ishin ndërtuar shtëpitë ishte si një cep piktoresk i bekuar nga Zoti ku kish hapësirë të bollshme për të ndërtuar lulishte, por dhe vend për të ngritur një farishte lulesh për t’ua falur ato amvisave të Bejarit dhe gjetkë.

Në vitin 1936 Raufit i vdes e ëma, Sabireja. Vdekja e saj e trishtoi jashtë mase. Ajo u varros në Tiranë, po për Raufin ajo mbeti bukuria e zemrës dhe shpirtit për gjithë jetën e tij. Pikërisht ja këtu (ai u çua në këmbë dhe shkoi te ‘Trëndafili i plakur’) duke treguar me shkopin magjik tha: – Nëna e luleve mbolli këtë trëndafil në kujtim të saj, të cilin e ruajti Zoti nga të gjitha stuhitë, është pagëzuar me këtë emër dhe u rezistoi akujve të kohës. Ram Kosovari bisedoi me Imam Veizin që ishte administrator për kujdesjen e pronave të Raufit për ngritjen e fidanishtes së luleve. Të dy filluan nga puna. Në të dy anët e rrugës në hyrje të Vilës mbollën trëndafila me lloj-lloj ngjyrash. Më vonë përgatiti farishten e luleve. Farat e luleve I siguronte vetë Raufi duke i marrë në Itali, Turqi, Greqi e gjetkë. Brenda dy viteve ai vend u quajt ‘Mbretëria e luleve’ dhe çamja me emrin Merifa u quajt ‘Nëna e luleve’. Kushdo vizitor që do të vinte në Vilë, gruaja çame do t’i falte nga një gonxhe trëndafil. Çdo rrugëtari do t’i falte nga një karafil. Nxënësit e shkollës merrnin rrugën dhe ajo u falte lule. Nxënësit i vunë emrin Dadoja Çame. Me nxënësit ndërmori një fushatë sensibilizuese duke u dërguar amvisave fidanë lulesh falas për  t’i mbjellë në oborrin e tyre, duke kultivuar një kulturë të re në mjediset e oborreve të familjeve bejarake. Shumë shpejt emri i saj u bë i dëgjuar jo vetëm në Bejar, por në të gjithë Mallakastrën e Sipërme. Amvisat nga kjo zonë dërgonin fëmijët e tyre dhe ‘Nëna e luleve’ ua jepte lulet falas. Ajo thoshe se të falësh lule, u ke falur Dashuri dhe Paqe njerëzve. Gruaja Çame rrinte gjithmonë me çitjane. Mbante një shami të bardhë lidhur në kokë dhe një shall të bardhë të lidhur në gushë ku ishte qendisur me gërma kapitale në gjuhën shqipe mbishkrimi ‘AT-MËMËDHEU IM ËSHTË SHQIPËRI-KOSOVË-ÇAMËRI, që ia kishte dhënë e vjehrra kur ishte martuar në Çamëri. (Vjehrra e saj e kishte kujtim nga Hasan Prishtina). Nuk e hiqte kurrë nga gusha, vetëm kur e lante. Në vitin 1937 Raufi u martua me vajzën nga Kosova, Ganimete Gjilani. Dasmën e bëri në Bejar. Dasmorët u befasuan nga bukuria e luleve të kopshtit. Kishte dy vjet që i kish vdekur xhaxhai I tij, Sulua. Raufi me të shoqen dhe fisnikët shkonin në përvjetorin e vdekjes të xhaxhait, gjyshes, Sabretit dhe çonin buqeta me lule nga ‘Kopshti i luleve’ në shenjë respekti. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ‘Kopshti i luleve’ i rezistoi katrahurës së madhe, prishjes dhe djegies nga italianët apo gjermanët dhe ata të mahnitur nuk vunë dorë për ta prishur. Por nuk i rezistoi dot ‘Epokës së Zgërbenjve’. Mbas vitit të instalimit të ‘Murtajës së Kuqë’ në Shqipëri, iku personeli që shërbente te shtëpia e Raufi. Kështu Ram kosovari iku në Kosovë. Kushërira, vajza e tezes së Raufit, shkoi në Përmet. E shoqja e Raufit së bashku me fëmijët e saj të vegjël Sabirenë dhe Hajredinin u strehuan te njerëzit e saj në Tiranë. Aty mbeti vetëm dadoja çame me emrin Merifa ose ‘Nëna e luleve’. Pronat e Raufit u sekuestruan nga ‘Murtaja e Kuqe’. Dadon Çame e nxorrën nga shtëpitë dhe e vendosën në një kasolle në fund të varreve të lagjes Zotaj. Mbas dy ditësh e mori Çeço Ramadani në shtëpinë e vet si amanet të lënë nga Raufi. Zgërbenjtë, “Kopshtin e luleve”, murin rrethues të shtëpisë dhe çezmën e ujit i prishën se e kishte ngritur “Armiku i Popullit”. Shtëpinë dhe “Mësonjëtoren e parë shqipe” i kthyen në depo grumbullimi të drithrave. Reliket e  ruajtura me fanatizëm të “Mësonjëtores së parë shqipe” i zhdukën. Pemët i prenë, në fund rrënuan  dhe shtëpinë. Shpëtuan vetëm ‘Guri i Merifasë’,‘Trëndafili i plakur’ dhe një mace e shtëpisë që u largua vetë dhe vinte herë pas here te çerdhja e vet. Macja e dinte se aty kishin ardhur ‘minjtë’. Dhe ajo do të luante me ta. Ishte instaluar “Koha e minjve” që do të brenin Shqipërinë. Zhdukën çdo gjurmë që i përkiste “Armikut të Popullit”. Filluan reprezaljen me njerëzit e afërt të Raufit dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Mbas vdekjes “Nëna e luleve” u varros në fund të varreve të lagjes, pranë djalit të saj Kamber Çami, që u vra në luftë, por ata nuk e regjistruan si ‘Dëshmor’ se ai ishte luftëtar i batalionit “Hajredin Fratari” të udhëhequr nga Rauf Fratari. Zgërbenjtë e quajtën viktimë të vrarë për interesat e Raufit. Mëkati i tyre vazhdon. Në vitin 1975 pranë varreve të nënës me të birin u hapën ‘gropat e silazhit’ për lopët e cooperatives dhe atyre u prishën varret. I nxorrën nga varret  dhe nuk dihet ku i sëkëlldisën eshtrat! Ky ishtefati i gruas çame me emrin Merifa, Dados Çame dhe “Nënës së luleve’!… Këtu përfundoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”. U ngritëm për të ikur në shtëpi.

Pëllumbat e bardhë vazhdonin të fluturonin mbi truall.

BARKOÇINI

Atë ditë ndodha rastësisht në qytetin e Fierit takova një bashkëfshatarin tim aty te xhamia, u takuam si miq të vjetër, pavarësisht se unë nga mosha isha fëmija i tij. E dija shumë mirë që kishte qenë shokë fëmijërie me tim atë. E kisha takuar dhe herë të tjera. Ai e dinte që unë isha mësues. U përqafuam me njëri-tjetrin. Më ftoi të pinim një kafe. Nuk kundërshtova. U ngjitëm te kati i dytë te lokali përballë xhamisë. Hymë në lokal dhe u ulëm në në një tavolinë pranë dritares. Ai ishte 90 vjeç, por një plak i mbajtur për moshën që kishte. Kishte ikur shpejt nga fshati dhe kish shtegtuar në disa qytete të Shqipërisë si oficer. Mbas viteve 1990 u vendos në qytetin e Fierit, pa i shkëputur lidhjet me fshatin. Merrte pjesë në të gjitha ceremonitë që organizoheshin në shkollë me raste festash. Unë doja ta takoja se atë vit po punoja për të bërë një monografi për vendlindjen time. Dhe takime me personalitete të tilla ta shtonin më tepër kureshtjen për të zbuluar misterin, të panjohurat, intrigat, pabesitë e bëra ndaj vendlindjes sime dhe histories së saj. Pastaj doja të peshoja fjalët e të moshuarve të vendlindjes sime duke bërë krahasimet me njëratjetrën për të nxjerrë të vërtetën. Porositëm nga një kafe.

Ai më pyeti: – Kam dëgjuar se po punon për një libër që bën fjalë për historikun e vendlindjes sonë?

– Po! – i thashë.

– Të përgëzoj! – më tha. – Unë jetën e kam nga Rauf Fratari! (E dija që kishte qenë partizan dhe  vëllai i tij ishte dëshmor). Po e vështroja me kujdesjo se nuk i besoja fjalëve të tij, por më dukej çudi. Dhe e pashë drejt e në sy.

– Mos çudit, – më tha, – është e vërtetë. – Me krijimin e batalionit “Hajredin Fratari” nga i biri Raufi, unë kam qenë luftëtar i tij deri në fundi i Tetorit 1943. Pastaj kalova me grupin e  tretë të Mallakastrës të drejtuar nga Qamil HamzoRakipaj. Në Mars të vitit 1944 më kapin forcat e Ballit në Povël. Kish vajtur për të bluar miell në mulli së bashku me ca kushërinjtë e mi. Më kapin dhe më çojnë në Fier në garnizon ku ishte Raufi. Një miku im që ishte me Raufin më pa dhe shkon i thotë Raufit

– Forcat e Ballit kanë zënë S. P.!

– Mirë!- i thot Raufi. – Kujdesu për të!

Isha i bindur që nuk dilja i gjallë për dy arsye. E para: Komunistët kishin vrarë shumë Nacionalistë  të ndershëm dhe dyta vëllavrasja ishte në kulmine saj dhe e unë e kisha ‘tradhëtuar’ Raufin. Nuk kisha asnjë shpresë shpëtimi. Në orën 12 të natës të datës 26 Mars 1944 më vjen në qeli miku im së bashku me dy shokë. Njëri prej tyre më thotë: – Çohu! – dhe më kapi për krahu.

U çova dhe po mendoja se po shkoja drejt pushkatimit. Më hipën në një makinë dhe më sollën deri në fushë të Bejarit. Miku më tha: “Ik në shtëpi dhe ruhu”! Më dha një copë letër që ia kishte dhënë Raufi ku ishin emrat e disa bashkëfshatarve  tanë që të ruheshin se po të kapeshin mund të pushkatoheshin në vend. Ata dy të tjerët dhe shoferin nuk e mora vesh se kush ishin dhe nga ishin sepse mikun tim që unë kisha shpresë të zbuloja se kush ishin ata e vranë komunistët pagjyq në Lushnje dhe as sot nuk i dihet varri. Pa mbaruar fjalën miku im në derën e lokalit hyri një burrë i bëshëm, me kostum të zi, me këmishë të kuqe me kullaro, me kapele republike në kokë me një bastun në dorë, me një bark të fryer si të derrit dhe me një gazetë ‘Kushtrim brezash’ në dorë. U drejtua drejt tavolinës sonë dhe me një zë autoritar tha (duke ngritur shkopin lart):

– Tunjatjeta!

– Urdhëro Çeço! – i tha miku im.

Ai u ul dhe iu drejtua mikut tim: – Nga e kemi këtë mikun! – tha.

– Është bashkëfshatari im! – i tha miku.

– Nga ç’lagje e Bejarit je? – më pyeti i porsa ardhuri. E kuptova që i porsa ardhuri e njihte mire mikun tim dhe fshatin tim Bejarin.

– Nga Zotaj!- i them.

– O! Qenke nga lagjia e Rauf Hajredin Fratarit! – më tha.

– Po! – i thashë.

– Ka qenë burrë trim! S’ia hante qeni shkopin! I zgjuar, i mençur, i qetë, i matur! Rrallë i vijnë Shqipërisë ata burra!

– E keni njohur!? – e pyeta.

– Jo vetëm që e kam njohur, por dhe e kam patur kundërshtar numër një! Por jetën nga ai e kam! Po të mos ishte ai nuk do të isha gjallë sot! – tha. – Ti Sabo e di se ke qenë vetë në atë ngjarje, po ja tregoj këtij zotnisë se është edhe i vogël krahasuar me ne!

Dhe vazhdoi rrëfimin: – Unë kam qenë i deleguar i Qarkorit për Mallakastrën e Sipërme. Mbas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në Shtator 1943, u zhvillua një mbledhje e përbashkët aty te ‘Maja e Bregut’ te shtëpia e Raufit. Pjesëmarrja ishte e madhe. Raufi po fliste për Marrëveshjen e Mukjes, unë i ndërpreva fjalën duke iu drejtuar  të pranishmëve: “Mos e dëgjoni atë, ai është djalëbeu! Shikoni si e ka barkun ai”! Në këtë kohë një nacionalist, me revole në dorë erdhi drejt meje dhe më tha: “Ti dil jashtë nga mbledhja! Ti nuk je mallakastriot! Mos i ndërpre fjalën atij burri”! Atje kam parë që burri dridhej si lepuri. Ndërhyri Raufi duke i thënë “Mos, mos Kaso”! Mua menjëhere m’u kujtua historia që më pat rrëfyer “Lisi i moçëm”.

Intermexo

… “Lisi i Moçëm” mori frymë thellë, hoqi në zemër dhe asaj nisi të më rrëfente: – Nuk është rastësi që Rauf Hajredin Fratarin e përndoqi agjentura e ish kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu deri sa e vrau në fund të Janarit 1973 në SHBA, ndërsa i ati i tij Ismaili nga Çorrushi dhe Jonus Musai nga Kuta, të cilët ishin nga ata eksponentë që ‘hidhnin gurin dhe fshinin dorën’ e spiunuan Hajredin Fratarin te Ramazan Aga (komandant i garnizonit të Beratit) dhe te Musa Qazimi (I plotfuqishëm i qarkut të Beratit). Në Prill 1915, ashtu siç e thotë dhe kënga e kënduar nga populli në odat mallakastriote.

Pëllumbat qëndruan mbi ‘Trëndafilin e plakur’ dhe po dëgjonin me vëmendje rrëfimin e ‘Lisit të Moçëm’. Ai vazhdoi: Kënga për kallzimin e  ‘Dëshmorit të Kombit’ Hajredin Fratari ka një histori të dhimbshme more bir! Në mesin e viteve ‘50 të shekullit 20-të në një  dasmë, një i moshuar që kishte qenë bashkëluftëtarme Hajredin Rakip Fratarin (martonte nipin) e mori këtë këngë, mbasi ajo kishte vite që këndohej  e para nëpër dasmat e mallakastriotëve. Tënesërmen plakun që këndoi këngën e arrestuan dhe e futën në burg. Faj i tij ishte se ai kishte kënduar një këngë ku i bëhej jehonë të atit të “Armikut të Popullit”, Rauf Fratarit. Familja e tij u shpall ‘familje kulake’, ndërsa i moshuari bëri një vit burg. Që nga ajo kohë kënga u çensurua dhe u ndalua. Pseudohistorianët e fshijnë nga historia, por jo nga kujtesa e popullit. Ajo vazhdon të transmetohet nga brezi në brez! Edhe dera e fisnikëve i falën për të mos krijuar vëllavrasjen sepse ishin momentet më të vështira për fatet e At-mëmëdheut, të gjithë u bashkuan për çështjen kombëtare-atdhetare. E  pranuan të birin në konaku e tyre kur Mehmetivazhdonte shkollën fillore në Bejar. Dhe deri mbas prishjes të Marrëveshjes së Mukjes, Raufi dhe Mehmeti luftuan kundër fashizmit në një llogore në batalionin “Hajredin Fratari”, të formuar nga Raufi. Dera e Fisnikëve nuk u mor me të kaluarën, jo se e harroi, por kishin si qëllim çështjen kombëtare, atë të çlirimit të At-mëmëdheut nga Italia fashiste. Mbas Shtatorit 1943, Mehmeti i shpalli luftë të hapur Raufit duke shkelur çdo normë të moralit njerëzor dhe kanunor, duke shkelur Besën, Bukën dhe Mirënjohjen. Urdhëroi që ku të kapej Raufi e të vritej pa gjyq duke i vënë damkën “Armiku i Popullit”. Por ajo luftë tregoi dinjitetin e Fisnikut. Ai u largua nga Shqipëria, kur e pa se nuk kishte rrugë tjetër. Shpirti i Raufit iu lut zotit t’i mbronte familjen, gruan dhe fëmijët, të cilët ishin ‘pengu’ më i madh i tij. Zoti dërgoi pranë tyre ‘Kalin e shpresës’ që ata të përballonin tmerret e një diktature të paparë në historinë e njerëzimit dhe fal Zotit ata mbijetuan. Atje në mërgim Raufi vazhdonte të jetonte me shpirt e zemër te familja e tij e dashur. Edhe mbas vrasjes shpirti i tij nuk gjeti kurrë qetësi. Ai shpirt nuk u tret, por u kthye në një pëllumb të bardhë dhe çdo ditë shtegëton larg në truallin e tij të dashur ku vështronte gruan dhe fëmijët kur përballeshin  me tmerret, vuajtjet dhe dhimbjet e mëdha tëdiktaturës komuniste. Ne shikonim kur pëllumbat vazhdonin të fluturonin mbi truall. Dhe priste një ditë që të kthehej përgjithmonë në At-mëmëdheun e tij të dashur. Të ndjente aromën e luleve dhe trëndelinave të vendlindjes së tij. Të puthte gurët për të cilët e kishte marrë malli aq shumë, – përfundoi rrëfimin “Lisi i Moçëm”.

Please follow and like us: