Zanë Mali: Nën hijen tënde
Ngjitem pas teje
drejt folesë së shpresës
për t’u bërë hi i kuq në agoni
tretur në perëndimin që kuqëlohet
si mollëzat e faqeve të mia.
*
Nën mburojën e lutjeve
lutje e vetme më mbete
Gurë përjetësie
dritë që nuk shter.
*
Në portën e qiellit
varg i fundit hiri im bëhet
bojë që shket mbi letër
një pëshpëritje pa zë.
*
Copëzat e shpirtit tim
nuk ndizen flakë
as shndërrohen në prush
sa për një grusht hiri
e për një Feniks
që s’rilind më.
*
Në frymën e shpirtit të paharruar
rizgjohet dashuria
si shenja më e shenjtë e jetës
m’i prek buzët.
*
Me një thërrimë buke në dorë
si mjellmë e ujërave të bekuar
nga ajo grimcë drite
e syve të mi të largët
të lutem:
Lëre shpirtin tim të endet hijes sate
në çdo ag e në çdo mbrëmje
të zgjohet e të frymojë
kësaj hapësire të lirë zemreje
që s’është më veç ëndërr.