Protestues anti-Trump mbushin rrugët në Nju Jork, Uashington dhe qytete të tjera në të gjithë SHBA
Kundërshtarët e administratës së Presidentit Donald Trump dolën në rrugët e komuniteteve të mëdha dhe të vogla në të gjithë SHBA-në të shtunën, duke denoncuar atë që ata e shohin si kërcënime ndaj idealeve demokratike të vendit.
Ngjarjet e ndryshme shtriheshin nga një marshim përmes lagjes Midtown në Manhattan dhe një tubim përpara Shtëpisë së Bardhë, deri te një protestë në Massachusetts gjatë një përkujtimoreje për fillimin e Luftës Revolucionare Amerikane, 250 vjet më parë.
Në San Francisko, protestuesit formuan një parullë njerëzore me trupat e tyre në rërën e plazhit Ocean Beach me mbishkrimin “Impeach & Remove” (Shkarkoje dhe Hiqe) përballë Oqeanit Paqësor, raporton noa.al duke cituar një raport të gjerë të AP.
Thomas Bassford ishte një nga ata që iu bashkuan demonstruesve gjatë rikrijimit të betejave të Lexington dhe Concord pranë Bostonit. “E shtëna që u dëgjua në të gjithë botën” më 19 prill 1775 shënoi fillimin e luftës për pavarësinë e vendit nga Britania.
80-vjeçari i dalë në pension, murator nga Maine, tha se ai besonte se amerikanët sot janë nën sulm nga vetë qeveria e tyre dhe duhet të ngrihen kundër saj.
“Kjo është një kohë shumë e rrezikshme për lirinë në Amerikë, tha Bassford, ndërsa ishte në aktivitet me partneren, vajzën dhe dy nipërit. – Doja që djemtë të mësonin për origjinën e këtij vendi dhe se ndonjëherë duhet të luftojmë për liri”.
Në vende të tjera, u organizuan protesta përpara pikave të shitjes së makinave Tesla, kundër këshilltarit miliarder të Trump-it, Elon Musk, dhe rolit të tij në zvogëlimin e qeverisë federale. Të tjerë organizuan aktivitete më komunitare si mbledhje ushqimore, mësime publike dhe vullnetarizëm në strehimore lokale.
Protestat vijnë vetëm dy javë pas demonstratave të tjera në nivel kombëtar kundër administratës Trump, ku mijëra njerëz dolën në rrugë në mbarë vendin.
Organizatorët thonë se po protestojnë kundër, siç i quajnë ata, shkeljeve të të drejtave civile dhe kushtetuese nga Trump, përfshirë përpjekjet për të dëbuar mijëra emigrantë dhe për të zvogëluar qeverinë federale duke pushuar nga puna mijëra punonjës dhe duke mbyllur efektivisht tërësisht agjenci të tëra.
Në përkujtim të Luftës Revolucionare Amerikane, protestuesit bënin thirrje për “asnjë mbret” dhe rezistencë ndaj tiranisë.
George Bryant nga Bostoni, i cili ishte mes protestuesve në Concord, Massachusetts, tha se kishte shqetësim se Trump po krijonte një “shtet policor” në Amerikë, ndërsa mbante një pankartë ku shkruhej: “Regjimi fashist i Trump duhet të ikë tani”!
“Ai po sfidon gjykatat. Po rrëmben studentët. Po e shkatërron sistemin e kontrollit dhe balancave,” tha Bryant. “Kjo është fashizëm.”
Në Washington, Bob Fasick tha se kishte ardhur në protestën pranë Shtëpisë së Bardhë për shkak të shqetësimeve për kërcënimet ndaj të drejtave kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, si dhe për programet e sigurisë sociale dhe të tjera të ndihmës federale.
Administrata Trump, ndër të tjera, ka ndërmarrë hapa për të mbyllur zyrat lokale të Administratës së Sigurisë Shoqërore (Social Security), ka ulur financimet për programet e shëndetit publik dhe ka zbutur mbrojtjet për personat transgjinorë.
“Nuk mund të rri duarkryq duke ditur që nëse unë nuk bëj asgjë dhe askush nuk bën asgjë për ta ndryshuar këtë, atëherë bota që po ua lëmë fëmijëve tanë dhe fqinjëve tanë nuk është një botë ku do të doja të jetoja,” tha 76-vjeçari në pension, ish-punonjës federal nga Springfield, Virginia.
Në Columbia, Karolina e Jugut, disa qindra vetë protestuan në ndërtesën e parlamentit të shtetit. Ata mbanin pankarta me slogane si “Lufto me guxim, Harvard, lufto” dhe “Shpëto SSA”, në lidhje me Administratën e Sigurisë Shoqërore.
Ndërkohë në Manhattan, protestuesit protestuan kundër deportimeve të vazhdueshme të emigrantëve, ndërsa marshuan nga Biblioteka Publike e New York-ut drejt Parkut Qendror, duke kaluar pranë Kullës Trump.
“Pa frikë, pa urrejtje, pa ICE në shtetin tonë”, brohorisnin ata në ritmin e daulleve, duke iu referuar Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave të SHBA (ICE).
Marshall Green, një nga protestuesit, tha se ai ishte më i shqetësuar nga fakti që Trump ka përmendur Ligjin e Armikut të Huaj të kohës së luftës nga viti 1798, duke pretenduar se vendi është në luftë me bandat venezueliane të lidhura me qeverinë e atij vendi.
“Kongresi duhet të reagojë dhe të thotë ‘jo, ne nuk jemi në luftë’. Nuk mund ta përdorësh këtë”, tha 61-vjeçari nga Morristown, New Jersey. “Nuk mund të deportosh njerëz pa proces të rregullt ligjor, dhe të gjithë në këtë vend kanë të drejtë për një proces të drejtë, pa marrë parasysh çfarë”.
Ndërkohë, Melinda Charles nga Connecticut, shprehu shqetësimin për “tejkalimin ekzekutiv” të Trump, duke përmendur përplasjet me gjykatat federale dhe universitetin Harvard e kolegjet e tjera elitare.
“Duhet të kemi tre degë të barabarta të qeverisë, dhe kur dega ekzekutive bëhet kaq e fuqishme, tha ajo, është thjesht e pabesueshme”./npa.al