Zana Tako: Libri, miku më i mirë!
Libri është shoku i shpirtit, është dritarja e dijes ku shpirti sheh udhën e tij. Është e kthjellët dhe e pastër kjo udhë, të fton pranë vetes me ëmbëlsinë e gjuhës së komunikimit të heshtjes. Heshtja nuk flet, por gjuha e saj është e folura që të shoqëron në rrjedhën e mendimit nëpërmjet shqisës së ndijimit dhe të perceptimit.
Libri është miku që bashkëbisedon me ty nëpërmjet këtyre shqisave, është bashkëbisedues i shpirtit në nevojë, i shpirtit në vetmi, duke të dhuruar harmoninë dhe paqen shpirtërore.
Vlera e librit është domosdoshmëria e jetës së përditshme. Faqet e tij janë copëza dielli që depërtojnë në detin e mendimit, duke harmonizuar ngjarje dhe përjetime, të cilat formojnë këndin e dashur të leximit të çdo dite në bashkim me çdo pjesëz jete që jetohet në minutat e kohës në vazhdim.
Libri është miku i shpirtit. Shpirti pasurohet me këtë mik të dashur që të shoqëron në heshtje, dhe pa u lodhur futet brenda teje nëpërmjet dashurisë së tij të heshtur por të gjallë.
Libri është fuqi që përshkon mendimin duke dhuruar sekretin e bukurisë së tij. Ashtu si vasha e bukur që të tërheq me nurin e saj, ashtu edhe libri, e tërheq shpirtin me nurin e vet për ta përkëdhelur me duart e dashurisë, për ta ruajtur brenda bukurisë së tij, për ta prekur çdo ditë me puthjen e shpirtit që endet brenda fletëve, me shkronjat që rendin pas njera-tjetrës gjatë leximit ëndërrimtar.
Libri nuk ka këmbë dhe të ecë drejt teje, por vjen me ecjen e shpirtit të tij drejt përqafimit me shpirtin tënd, për të udhëtuar në detin e pafund të bashkimit shpirtëror.