Albspirit

Media/News/Publishing

Anët e panjohura të gjeniut të letërsisë britanike, Shekspir

Gjeniu i letërsisë britanike, Uilliam Shekspir (William Shakespeare), u lind dhe vdiq në të njëjtën datë, më 23 prill (1564-1616), sipas BBC.

Më poshtë janë disa fakte surprizë, të zbuluara nga historianët:

1. Babai i tij ishte një shijues birre dhe një prodhues dorezash

Shekspiri u lind më 23 prill 1564 në një qytet të quajtur Stratford-upon-Avon, në mes të Anglisë. Familja e tij ishte me të ardhura mesatare. Babai i tij bënte një sërë punësh, duke përfshirë shitjen e lëkurës dhe leshit, shijimin e birrës (në të vërtetë) dhe prodhimin e  dorezave.

2. Ai nuk mund të shkruante në mënyrë korrekte

Edhe pse Shekspiri mësoi latinisht në shkollë, drejtshkrimi nuk ishte pjesë e mësimeve dhe të gjithë i shkruanin fjalët si të donin. Imagjinojeni atë! Shekspiri e shkruante emrin e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë: Willm Shakp, William Shaksper, Wm Shakspe, William Shakspere dhe Willm Shakspere!

3. U martua i ri

I martuar në moshën 18-vjeçare me Anne Hathaway, ai pati tre fëmijë.

4. Së pari u përpoq të bëhej aktor

Shekspiri shkoi në Londër për t’u bërë aktor. Vëllai i tij Edmundi e ndoqi atë në qytet për të bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, Shekspiri kishte më shumë fat që të shkruante shfaqje sesa të aktronte. Ai mësoi shpejt dhe shkroi tragjedi dhe komedi.

5. Ishte shumë produktiv

Shekspiri shkroi të paktën 37 drama në jetën e tij, të cilat ne i njohim – mesatarisht dy në vit! Ai gjithashtu shkroi shumë poezi, kryesisht poezi të quajtura sonete. Vetëm në një vit, 1609, ai botoi 154 prej tyre!

6. Ai i mbijetoi një pandemie

Ju keni më shumë të përbashkëta me Shekspirin sesa mendoni. Shekspiri jetoi dhe i mbijetoi një pandemie, një nga një sërë valësh të murtajës bubonike. Megjithatë, për fat të keq, djali i tij Hamnet vdiq nga murtaja, në moshën vetëm 11-vjeçare. Kjo ndikoi në shkrimet e tij.

7. Na dha disa fraza të njohura

Shekspiri sigurisht kishte anën e tij më të lehtë, krahasuar me vdekjen e djalit. Atij i pëlqente të vinte shaka në shfaqjet e tij, madje edhe në tragjeditë e tij, si dhe sajonte fraza që i përdorim edhe sot, si “i shkrirë në ajër” apo ”kam fjetur me një sy”.

8. Fyerjet e vrazhda ishin specialiteti i tij

Shekspiri ishte shumë njohur edhe për ofendimet si ”fytyra jote nuk ia vlen të shihet nga dielli” apo “je i trashë si gjalpi” apo ”unë do ta gudulis katastrofën tënde!”.

9. Ai ishte një biznesmen i regjur

Përveçse ishte një shkrimtar krijues, William ishte një biznesmen i regjur. Ai ishte bashkëpronar i kompanisë së tij teatrore, ”Lord Chamberlain’s Men”, dhe ”Globe”, një teatër i ndërtuar në Londër në vitin 1599. Ai madje hapi një teatër të dytë, një teatër elegant të quajtur ”Blackfriars”./atsh

Please follow and like us: