Viron Kona: Prezantohu, sa vlen ti zotëri?
Në bibliotekë pashë mijëra libra,
shkruar nga mijëra mendimtarë,
fare mikroskopik m’u duk vetja,
në qiellin e madh shkëlqimtar.
*
Kujdestari i bibliotekës m‘pyeti:
S’po të njohim nga vjen, o njeri,
duke m’u afruar, më pëshpëriti:
na u prezanto, sa vlen ti zotëri?
*
U prezantova e ai butë më tha:
ty zotëri, s’të kemi fare n’listë,
por vend më t’mirë se ky s’ka,
ku ti mund të përfitosh dituritë.
*
Librat e radhitur bukur në rafte,
nga mendjendritur janë krijuar,
aty është nektari, ajka e dijeve,
ta dish shumë ke për t‘mësuar!
*
Kur të vijë çasti që të shkruash,
ji vetvetja, askush s’të detyron,
por vepra jote do të jetë e vyer,
nëse zërin e zemrës dëgjon.
*
Nga misioni kurrë mos u tërhiq,
ndonëse mund të kesh dështim.
Asgjë s‘arrihet me fjalë magjike,
por me vullnet dhe përkushtim.
*
Ti duhet të dish që të zgjedhësh,
të jesh meteor apo yll jetëgjatë,
i pari flakëron dhe shuhet shpejt,
i dyti shkëlqen qiellin çdo natë.
*
Do shpërblehesh me mirënjohje,
S’do të kesh përfitim dhe pasuri,
njerëzimi i mban në zemër bijtë,
siç mban dielli rrezet e tij.
*
Në qoftë se veprat që do kryesh,
do të shpallen me vlera një ditë,
i nderuar e krenar do t’ndihesh,
dhe emrin do ta kesh në listë.