Eva Vatoci: Misteri i dhimbjes sonë
E çuditshme si funksionon njeriu.
Qajmë të vdekurit, ata që jeta na i mori pa na pyetur dhe i mbajmë gjallë brenda vetes, si një kujtim që nuk shuhet kurrë.
U flasim në heshtje, u buzëqeshim në ëndrra, u prekim hijen në kujtime dhe u kërkojmë aromën në erën e lehtë të mbrëmjes.
Por ja, ndonjëherë, janë të gjallët ata që i humbasim më thellë.
Ata që ecin pranë nesh, që marrin frymë, që shohin të njëjtin qiell, por që nuk kanë më vend në zemrën tonë.
Jo se ne nuk deshëm, jo se ne nuk u përpoqëm, por sepse ndonjëherë rrugët e shpirtit ndahen pa zhurmë, si degët e një peme që rriten larg njëra-tjetrës, ndonëse rrënjët janë ende në të njëjtën tokë.
Dhe dhimbja e tyre është më e heshtur, më e fshehtë, më e thellë.
Sepse si t’i qash një njeriu që ende jeton?
Si t’i thërrasësh një kujtimi që ende ka sy, zë, frymë?
Si t’i thuash lamtumirë dikujt që nuk të ka thënë kurrë: “Po iki”?
Ne qajmë ata që i mori vdekja, sepse i kuptojmë ato lot, por nuk dimë si të qajmë ata që i varrosim brenda nesh, ata që nuk u larguan nga kjo botë, por nga bota jonë.
Dhe kështu, njeriu mëson të ecë përpara, me kujtime që mbajnë gjallë të vdekurit dhe me heshtje që fshehin ata të gjallë që nuk jetojnë më në ne.
Ky është misteri i dhimbjes sonë dhe forca jonë: të falim, të pranojmë, të kujtojmë dhe të duam edhe atëherë kur nuk dimë më si.