Albspirit

Media/News/Publishing

Delo Isufi: “Një çift mështeknash të bardha”

Meditim rreth një poezie mbresëlënëse

Duke lexuar librin me poezi ”Thashë, të bëhem edhe unë poe!”, të mikut tim, njëkohësisht redaktorit dhe nunit të librave të mi, shkrimtarit Viron Kona, më ka mbetur në mendje poezia e titulluar: “Një çift mështeknash të bardha”.

Kjo poezi është një himn për dashurinë bashkëshortore, familjen dhe jetën e përbashkët, e shkruar me një gjuhë të pastër, të ndjeshme dhe plot figura të bukura artistike. Ndoshta në këto kohë “moderne”, ku nën ndikimin e mendimit për një shoqëri të hapur e të lirë, ku edhe në vendin tonë divorcet ecin me hapa të pandalshme, lind nevoja për një familje të qëndrueshme e shembullore, bazuar në një dashuri të sinqertë e të pastër. Duke lexuar këtë poezi, emocionet duken si petale e flutura mijëra ngjyrëshe që të gudulisin zemrën, të bëjnë që ta lexosh e rilexosh poezinë e të thuash: kjo është dashuria.

Poezia ka nota të larta artistike dhe morale, pasi ngre në piedestal vlerat më të mëdha njerëzore: dashurinë, përkushtimin, përkujdesjen dhe jetën bashkëshortore e të harmonishme. Ajo rrëfen për një jetë të ndërtuar me ndjenja të pastra dhe respekt të ndërsjellë, duke e shndërruar përjetimin personal në një përvojë që mund ta ndjejë dhe ta kuptojë çdo lexues.

Poezia është e mbushur me ndjenja dhe emocione të sinqerta, ku dashuria në vargje lodron si fllad pranveror, si vallëzim i luleve plot vesë e ku, freskia dhe aroma e tyre vazhdojnë në udhëtimin e jetës. Mirënjohja për bashkëshorten, krenaria për fëmijët, nipër e mbesa dhe qetësia e ngrohtësia shpirtërore e qarkojnë poezinë me rreze drite. Autori, me shumë kujdes ka përdorur figura të bukura letrare, që e pasurojnë mendimin për dashurinë bashkëshortore: “zemrat si harta gjeografie i hapëm”, “pema e jetës”, “roman i bardhë”, “vela të hapura”, “kapitenia dhe kapiteni”, “shpirti i pastër”, “tempull i shenjtë”, të gjitha këto e të tjera figura letrare tregojnë jetën bashkëshortore si një udhëtim, si një histori, si një hap i madh i jetës që kërkon përkushtim. Po ashtu ” siç mbajnë guaskat e detit – perlat”- një krahasim i bukur për ndjenjat e thella e të ruajtura me kujdes. “Zjarri i dashurisë e ka shkrirë ngricën”, – dashuria përshkruhet si një forcë e gjallë, me fuqi shëruese, ngrohtësi që mposht çdo ftohtësi shpirtërore.

Figurat letrare i japin poezisë vlera estetike dhe emocionuese, kurse simbolika “Mështeknat e bardha” – them se përfaqëson çiftin: të qëndrueshëm, të bardhë, të drejtë, që jetojnë pranë e pranë gjithë jetën, pa u përkulur, duke iu gëzuar jetës së thjeshtë – me dashuri të madhe, duke përballuar çdo sakrificë e vështirësi, si dhe dallgët dhe të papriturat që sjell jeta.

Poezia “Një çift mështeknash të bardha” është një “testament” poetik shpirtëror, një poezi që duhet ruajtur si një kujtim dhe përvojë e çmuar, por edhe si një mësim i vyer për brezat e rinj. Ajo nuk është vetëm një urim për një ditëlindje – është një dëshmi se dashuria e vërtetë ekziston, dhe se ajo nuk është veç ndjenjë, por edhe zgjedhje, punë, sakrificë dhe përkushtim i përditshëm. Gjuha e poezisë është e thjeshtë, e pasur, e drejtpërdrejtë dhe pa perifrazime e ngarkesa të panevojshme. Sidomos përdorimi i gjuhës së përditshme e bën poezinë të sinqertë dhe më të afërt me lexuesin. Aty ka shprehje të natyrshme familjare, që tregojnë se kjo poezi buron natyrshëm dhe vjen nga shpirti e zemra dhe jo thjesht nga një emocion letrar.

Poezia përcjell edhe disa mesazhe të fuqishme si: Harmonia në familje është një vlerë e madhe që ruhet me përkushtim. Jetesa në çift është një udhëtim, apo një lundrim ku dy kapitenët përballojnë bashkërisht, si motin e mirë dhe gëzimet, ashtu dhe dallgët dhe stuhitë, gjithnjë bashkë e duar shtrënguar. Kjo poezi, edhe pse ka natyrë personale dhe i është dedikuar një personi të veçantë, bashkëshortes së shtrenjtë të autorit, ajo përçon njëherazi edhe vlera universale. Stili i poezisë është liriko-epike. Gjuha është e pastër shqipe, e thjeshtë, e komunikueshme dhe e ndjerë, larg çdo fjalori të fryrë ose të sforcuar. Ajo përdor një leksik të përditshëm, përcjell një emocion të qëndrueshëm – jo një pasion të çastit, por një ndjenjë të lindur dhe të ruajtur me kujdes dhe të forcuar ndër vite. Ajo është e përpunuar artistikisht brenda familjes, “guaskës”, ku, perla brenda saj, njeh vetëm shkëlqim dhe, e tillë, e pastër si drita e diellit do të vijojë të ndriçojë. Poezia shpreh modelin e jetës bashkëshortore të shëndetshme, kujdesin për familjen dhe brezin e ri, respektin ndaj dashurisë dhe familjes si institucion shpirtëror, rëndësinë e jetës së ndershme, korrekte e të qetë. Thjeshtësia, sinqeriteti dhe ndjenjat e thella të dashurisë bashkëshortore janë vlerat më të çmuara që ajo mbart.

E, më në fund, ja dhe poezia e marrë nga libri “Thashë, të bëhem edhe unë poet”, i autorit Viron Kona:

Një çift mështeknash të bardha

Ia kushtoj bashkëshortes sime të shtrenjtë, Liljanës në 55-vjetorin e lindjes.

Sot në 55-vjetorin e lindjes,

unë dhe e tërë familja t‘urojmë,

qofsh e lumtur përgjithmonë,

u bëfsh dhe 100 vjeçe Liljana jonë!

S’këmbyem xhevahire për dashurinë,

veç zemrat si harta gjeografie i hapëm,

u betuam sinqerisht për besnikërinë,

rrëfyem ndjenjat dhe shpirtin e pastër.

Mendimet në sy t‘njëri-tjetrit kemi lexuar,

“detyrat” i kemi i kryer pa zhurmë e bujë,

pemën e jetës e kemi mbajtur të gjelbër,

për çikërrima s’kemi prishur qejf kurrë.

Dy fëmijë lindëm, Tolinin dhe Amantien,

ëndrrat për ta çdo çast i mbajmë zgjuar,

janë qëllimet më të bukur të jetës,

për ta merakosemi, kemi festuar e gëzuar.

Erdhi në familjet tonë nuse Anisa,

me djalin, Tolinin, krijuan familjen e re,

lindja e Diorës e zbukuroi m ‘shumë jetën,

dritë për çiftin, më e ëmbla për t ‘gjithë ne.

Shtëpinë e kemi një tempull të shenjtë,

zjarrin në vatër kurrë s’e kemi shuar,

në zemrat e njëri-tjetrit ngrohtë jetojmë,

me mirëkuptim dhe duar shtrënguar.

Kur ka ndodhur që n ‘dimrat e jetës,

befas është shfaqur ndonjë ngricë,

përpara se dielli ta shkrijë me rreze,

e ka shkrirë zjarri i fortë i dashurisë.

Ndjenjat e bukura dhe të kulluara,

n ‘zemra i ruajmë përherë t ‘freskëta,

të ndritshme, t ‘dëlira, t ‘paprekura,

siç mbajnë guaskat e detit – perlat.

Jeta jonë në vite një roman i bardhë,

i hapur për këdo që dëshiron ta lexojë,

s’jam i sigurt se e fitoj vendin e parë,

për “Nobeli” e di se tek ty do t ‘shkojë.

Ndihemi mirë dhe të shëndetshëm,

njerëzve u shprehim paqe e mirësi,

ti kapitenia, unë kapiteni,

jemi gati për lundrim të ri.

Atëherë, kapitene, t ‘mos humbim kohë,

vijojmë lundrimin me vela të hapura,

pulëbardhat lajmërojnë mot të mirë,

erërat e dashurisë si gjithnjë të mbara…

Bashkë me mua t ‘urojnë,

Amantja, Anisa, Tolini,

vogëlushja Diora bënë urim të veçantë

Jetë të gjatë sa qielli, nona Lili!

Please follow and like us: