Zana Tako: Lufta, kaosi i të marrëve
Sprovë
Legjenda e luftrave ka shpallur të humbur dhe të fituar. Humbësit janë përndjekur, të fituarit kanë udhëhequr. A u prodhua barazi? Humbësit e thonë fjalën e tyre nëpërmjet dhimbjes, vuajtjes. Të fituarit flasin nëpërmjet pushtetit, nëpërmjet të mirave që gëzojnë e trashëgojnë.
Lufta është një fjalë e vetme, por që brenda vetes ka pushtet të jashtëzakonshëm psikologjik. Që këtu fillon lufta për të pushtuar mendjen, pa dallim.
Frika është një nga armët që zotëron gjithmonë kundërshtari i njeriut. Nëpërmjet frikës zbulohen territore të cilat sulmohen në mënyrë të rrufeshme për të fituar kohën, aq të çmuar dhe të vlerë, pasi sulmi nëpërmjet frikës siguron hapjen e disa shtigjeve të cilat nevojiten për të lehtësuar alternativa që presin rradhën e veprimit.
Kush po sulmon në këtë luftë të shpallur mbi popuj me autokraci të kahershme dhe jo asnjëanëse? Cili nga këta popuj e do zhvillimin e kësaj lufte për të përfituar territore apo për të siguruar pavarësinë e kombit të vet?
Pavarësi do të thotë liri, e liria e kërkon pavarësinë si vulë sigurie për të mbajtur në këmbë një shtet, një komb. Kur cënohet pavarësia është cënuar liria. Liria mbrohet me çdo kusht. Pavarësia bie nën thundrën e pushtuesit kur nuk e mbron atë.
Shtetet e njohin mirë ligjin e sovranit, e megjithatë, ka nga ata udhëheqës neomarksistë, neokomunistë, të ushqyer me idealizma sovranësh, të cilët në emër të të drejtave të njeriut mund të zgjidhin por edhe të lidhin njeriun pas ligjit të më të fortit.
I forti e lëshon ulërimën e vet edhe me mikrofon, por edhe pa mikrofon, i sigurt se zëri i tij tashmë njihet. Kjo ulërimë lëshohet për t’u dëgjuar si nga popuj të vegjël ashtu edhe të mëdhenj në numër dhe territore.
I vogli ka nevojë për ndihmën e më të fortit, por të fortit edhe nuk i nevojitet ndihma e më të voglit.
Kjo luftë e vetëshpallur nga të fortët, brenda rrezes së saj ka modulin e frikës, e cila lëshohet me raketa dhe armë të shpikura për të mbjellë frikën.
Të sulmosh do të thotë të përdorësh forcën. Të mbrohesh do të thotë të përballosh brenda territorit tënd armikun.
Negociatat nuk vlejnë përsa kohë fuqia e të fortit sundon me ligjin e më të fortit.
Lufta nuk sjell drejtësi por shkatërrim. Shkatërrimi prodhon kaos, pasiguri për të nesërmen, uri, sëmundje, vuajtje dhe dhimbje.
Kushdo që merr pjesë në luftë ka dy qëllime, të mbrojë më të dobtin ose të bashkohet me më të fortin. Por a prodhohet paqe dhe dashuri nga ky bashkëpunim? Veç interesit, kurgjë tjetër!
Kujt i intereson lufta? Veç të marrëve dhe të marrosurve për pushtet dhe lavdi. Por bota nuk mund të gjunjëzohet nga të marrët që kërkojnë ta sundojnë atë nëpërmjet ligjit të më të fortit.
Iluzioni se nga kjo luftë do të dalim edhe më të fituar, e bën luanin ta shohë vrimën e miut si shpëtim. Në këtë luftë frika do hyjë në zyrat nga ku dalin shkresa, vendime dhe fjalime të marrësh të etur për pushtet por jo për paqe.
Frika do pushtojë shpirtin e çdo politikani marroq që guxon të konkurojë fuqinë e Zotit të krijimit. Njeriu prandaj u quajt i marrë, se e mohoi ekzistencën e Zotit, i cili sheh dhe finalizon gjithçka, jo në favor të marroqëve, por në të mirë të paqes dhe të dashurisë që do sundojnë mbarë botën dhe krijimin.
Lufta është dëshmi e gjallë se si njeriu udhëhiqet nga njeriu, se si gremina që i hap njeriu njeriut është e pashpresë për të gjetur mirëqenie dhe dashuri.
Kjo dëshmi do të shkruhet nga mundimi dhe vuajtja për thyerjen e besës dhe mohimin e ekzistencës së Zotit!
Lufta vazhdon…